“Shkruaj që të sjell në jetë përvojat e dhimbjes dhe lumturisë” -Kurrë s’kam besuar e as s’besoj në shkrimet e mia! Nuk jam as poete e as shkrimtare. Nuk jam e fuqishme të shkruaj bukur me estetikë në gjuhën e poetit. Hezitoja të “shfaqesha” qëndroja e heshtur dhe mbështillesha brënda zheleve t’mija. Miqtë e mirë më dhanë shtysën edhe pse ngurova, përsëri guxova të provoj. Nuk e studiova gjuhë-letërsinë edhe pse ajo ishte një ëndërr e imja më e madhe, peng i mbetur prej kohësh që kurrë nuk hiqet.Nuk pata mundësi të studioj.! Gjithsesi jam munduar të trajnohem vetë.

 “Pse shkruaj”? -Nuk shkruaj për konkurrencë, emër, famë e as për karrierë…nuk janë këto në natyrën time. Nuk më lindi sot ideja që të shkruaja, por isha e destinuar, ëndërrimtare dhe e dashuruar me të shkruarën që në fëmijërinë time të hershme. Shkruaj sepse linda me muzën time, kisha pasionin e ndezur por që flakët mbyteshin në tymin e jetës me ngjyra gri të errëta. -Shkruajta në ditaret e fëmijërisë,adoloshencës, rinisë dhe në vazhdim. Shkruajta të bukurën e të trishtën, dhimbjen e gëzimin, i ruajta por shumë shpejt u zhdukën ato zhgarravina që i quaja thesaret e shpirtit. Një zjarr fatkeq i shkrumboi të gjitha ato, gjithçka mbeti veçse një hi që i fryu era. S’mu dhimbs banesa e as orenditë e saj më shumë se ato letra me zhgarravinat e mija të famshme ku ishte shkruajtur e zeza mbi të bardhë. Ndoshta do më shajnë të gjithë ashtu siç kanë bërë të tjerët kur më shihnin tek qaja pa u ndalur për ata fletore e letrat që për mua ishin pasuri e frymëzimit tim.! Oh” zot thashë” pse të ndodhë kjo, e kam përjetuar shum keq.! U ndala së shkruari për disa kohë të gjata, nuk shkruaja dot më, një imazh flake ku digjeshin letra më paraftyrohej gjithnjë…gishtat e mi se mbanin dot më lapsin e as fletën në dorë, isha e dobët, shkruaja vetëm në imagjinatën dhe iluzionet e mendjes por si regjistroja dot, humba.! Pse shkruaj ?

-Fillova të shkruaj pas disa kohësh përsëri për shkak që trysnia e madhe më shtyu dhe më dha forcë të përballem me shumë situata të vështira në ecurinë e jetës. -Shkruaj që të sjell në jetë përvojat e dhimbjes dhe të lumturisë. -Shkruaj të kaluarën për të gjetur të tashmen, për të krijuar dhe shpresuar në ide të ndryshme. -Shkruaj të trajnoj veten në rritje dhe aftësi personale dhe zgjedhje të problemit…duke e përdorur si një mjet të efekshëm dhe terapi psikologjike dhe trajnim të domosdoshëm për gjëndjen emocionale timen…gjë e cila më ka dhënë efekt.! -Shkruaj me botën shpirtërore, me fuqi të pa kufizuar ku një forcë e jashtme më flet brënda meje. Provoj instiktin që më udhëheq dhe sa funksionale është brënda meje. -Shkruaj sa herë që ndihem e frustruar meqë kurrë nuk i konsideroj ëndrrat e mija të plotësuara dhe përpiqem të gjej vet-veten.!

Pse shkruaj ? Po,” unë shkruaj “nga dëshira që nuk e shmang dot veten nga 36 ( tridhjetë e gjashtë ) gërmat e Alfabetit shqip të cilat më gjallërojnë ata kur unë i marr disa dhe i bashkoj me njëra tjetrën, sa më ngazëllejnë kur formohet një fjalë, fjali dhe më shumë, ah, sa bukur duket, kështu kënaqësia e të shkruarit më çon në botë tjetër…drejt qëllimit, pasionit, dëshirës dhe dashurisë së madhe sublime të bukurës dhe artit.. -Shkruaj që të qëndroj në zonën e rehatisë shpirtërore e të ndjehem më mirë, të argumentoj dobësitë e mija,ndërgjegjen me veten, të jemë idealiste.

-Shkruaj të jem model për fëmijët e mi, për komunitetin tim, për kënaqësinë e të afërmëve dhe shoqërisë që na rrethon. Paçka që për fëmijët e mi dhe komunitetin nuk po e gjej mënyrën e duhur që të mund ti bind mjaftueshëm të kenë dëshirën për të ardhmen, të njohin të bukurën dhe t’ju vlejë si një kulturë dhe virtyt i cili do trashëguar ndër breza duke patur një përfshirje të të gjitha fushave ku hapat e jetës të nxiten për një mirëqenie dhe stabilitet.

Të jenë të devotshëm dhe të ndjehen të barabartë në shoqëri.! -Pse jo të Shkruaj dhe për tjetër arsye!? Dhe një nga arsyet është që të mbetet në kujtesë diku e ruajtur, një vepër do ta quaja nga një njeri i thjeshtë pa shkollë ashtu sikurse jam unë për të treguar që bota e brëndshme e njeriut përmban grimca mineralesh ku këtu nuk hyjnë në punë diplomimet e universiteteve….por është një dhuratë nga zoti.!

 Nga Thesaret e Davës ( Davë Begu ) dt.16.mars. 2021.