Më fal buzëqeshjen tënde
Ta mbështjell ngrohtësinë e vetmuar;
Është mbrëmje e vonë në skajin ku jam,
Nëpër rrugët e mbushura me baltë
Asnjë gjurmë të mos rrojë;
Shiu i pranguar po bie
I thyer përplaset teposhtë!

Dhe pamjen tende e kam në sy,
Edhe pse s’të kam takuar kurrë;
Me natën udhëtoj drejt territ,
Nuk shoh asgjë në këtë botë
Veç në mendime të vijëzoj!

Nuk e di ku të të zbres;
S’ka më asnjë bujtinë në alpet shqiptare;
As rrugët me besë nuk janë më;
Do të të varë në xixëllimën e yjeve,
Atje askush s’mund të të arrijë,
E kanë krejt kot;
Sapo agu të çapitet ngadalë përmbi male
Do të të shkund prej tyre
E ti do të biesh
Si molla e Newton-it në tokë!