Rifat Ismaili

Më erdhi Vdekja papritmas në gjumë
E veshur me stoli dhe rroba nusërie
Si fëmijë në djep ajo më përkund
Dhe më këndon ninulla dashurie…

Më ngriti me duart e saj në ajër
Dhe botën e pashë krejt ndryshe
Ne dhimbje u vesha me lot dhe ar
Dhe zemra mu be krahë dallëndyshe.

Me puthjet e saj u deha gjer në zbardhje
Çfarë zjarri hyjnor më pushtoi në zemër
Me trupin veselot nuk kishte ndarje
Dhe qielli si poet ishte dehur…

Më erdhi Vdekja dhe gishtat mi preku
Magjepsi tërë mëngjeset larë në ar
Ëndrrat thurën lotë e buzëqeshje
Nata mbolli yje e margaritarë…

Më erdhi Vdekja e më vuri lehtaz në gjumë
Ndër yje më çoi dhe më ktheu në shtrat
Pas më ndoqën një krua dhe një lumë
U shtrinë me mua e fjetëm bashkë.

Një lëndë u bëmë në atë të bukurin rizgjim
Kanatat e shpirtit i hapa pash me pash
Me zëra jete u shkrimë në përqafim
Mes dhimbjeve veten peng e lashë.