Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës me rreth gjysmëshekulli “jetë” është kandidat për t’u pranuar në regjistrimin e praktikave më të rëndësishme të ruajtjes edhe të trashëgimisë jomateriale, në UNESCO.

Formulari i Aplikimit, një film dokumentar 10 minuta kushtuar këtij festivali, 10 fotografi, si dhe mbështetja me shkrim të institucioneve, personaliteteve të vendit dhe të huaja dhe të komunitetit nga e gjithë Shqipëria, janë disa nga materialet që përmban dosja.

Gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, nënkryetari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole tregoi rëndësinë dhe detaje nga kjo dosje si dhe përfitimet e pranimit të Festivalit të Gjirokastrës në UNESCO.

“Festivali i Gjirokastrës si një dukuri dhe si një aktivitet unik në ruajtjen e trashëgimisë jomateriale menduam që ishte një model që nuk duhet ta mbajmë për vete, por ta pasqyrojmë dhe tek të tjerët. Kështu nisi kjo ide edhe nga fakti që festivali kaloi mbi gjysmë shekulli”, shprehet akademiku Tole për ATSH.

Tole theksoi se, “dosja e dorëzuar në UNESCO përmban një formular aplikimi ku shprehen veçantit dhe pse ky festival është i rëndësishëm. Gjithashtu nga ana tjetër duhet të provosh përmes dokumenteve që ky festival jo vetëm që është serioz por dhe që për organizimin e tij ekziston një bazë ligjore dhe që ka mbështetjen e gjerë të komunitetit. Kërkoheshin 10 foto me cilësi të lartë që të provonin ekzistencën e tij dhe një dokumentar 10-minutësh i cili duhet të pasqyrohet në formë filmike, ky material 10-minutësh është një përmbajtje shkencore. Gjithashtu kërkohej dhe mbështetja e komunitetit ku duhej një numër i caktuar firmash ku ne mblodhën rreth 10 mijë firma, firma këto që kanë të bëjnë me mbështetjen e komunitetit vendor në Gjirokastër, e bartësve e shoqatave të folklorit dhe të institucioneve të shtetit shqiptar”.

“Nëse kjo dosje pranohet në UNESCO ka disa përfitime ndër të cilat promovohet festivali si një praktikë e mirë në ruajtjen e trashëgimisë jomateriale. Gjithashtu përmes këtij festivali promovohen vlerat jo vetëm të popullit shqiptar, por dhe të minoriteteve që shfaqen në këtë festival. Pra impakti do jetë si një pol magnetik për vëmendjen kombëtare dhe ndërkombëtare ndaj këtij festivali. Së fundmi nëse ky festival pranohet tërheqin vëmendjen për mirë në sytë e të huajve për vendin tonë”, përfundoi akademiku Tole.

Edicioni i parë i këtij festivali është çelur në  11 tetor të vitit 1968 në qytetin muze të Gjirokastrës duke u konsideruar asokohe si një festival unikal në ruajtjen, mbrojtjen dhe popullarizimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore në Shqipëri.

Në këtë regjistër pranohen aktivitete dhe organizime nga vende të ndryshme, të cilat dëshmojnë se kanë shërbyer për një kohë të gjatë si faktorë esencialë në ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore.

Në pritje të edicionit të radhës, në vitin 2020, kjo dosje është dorëzuar, si propozim i Akademisë së Artit dhe Trashëgimisë ODEA dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Akademisë së Shkencave, Komisionit Kombëtar të UNESCO-s, Arkivit Shtetëror të Filmit, pushtetit vendor në Gjirokastër, Akademisë së Studimeve Albanologjike-ASA etj., prandaj konsiderohet e plotë dhe është në procedurë shqyrtimi pranë UNESCO-s në Paris. /atsh/