Sami Milloshi

Zonjusha Betty u paraqit përballë meje dhe bëri kërkesë për librin që do të merrte. Titulli i librit qe ” Historical guide of lingeries”. Dhashë e mora në kërkimin tim në kompjuter , por për dreq atë libër nuk e kishte biblioteka jonë. – Betty – i thashë- këtë libër nuk e kemi në bibliotekën tonë.

Por , unë mund të bëj kërkesë për bibliotekën simotër të Universitetit të Teksasit dhe na vjen prej andej. Do presësh ndoshta dhjetë ditë gjer kur të vijë, por është sigurtë që ne mund ta huazojmë prej andej, se kemi marreveshje për këmbim librash… – Oh,-tha Betty – duke qeshur – nuk kam ndonjë ngut të madh .Siç e sheh është thjesht një kuriozitet që dua ta shuaj mbi historinë e brekëve…. – Mirë e ke- i thashë- Secili ka kuriozitetin e tij. Ti je çupë e re , por sa dij unë në lashtësi, ndoshta edhe pesëdhjetë vjet më parë, brekët kanë qenë më të mëdha se sa janë sot, kur po thuaj janë inekzistente, sidomos për femrat… Qeshi. Nuk e priste që unë të kisha kaq ekspertizë estetike, sepse herë të tjera, nuk kisha ndërruar as gjysmë fjale me Bettyn. Ajo kishte kërkuar librin dhe unë ia kisha nxjerrë prej ku të ishte në raftet e pafundme të bibliotekës… Betty më falenderoi dhe iku. Besoj me buzë të qeshura, megjithse nuk ia shihja për shkak të maskës. Jam i sigurtë sepse sytë i qeshnin dhe është e pamundur të mos qeshin edhe buzët kur qeshin sytë… Dy javë në pritje të librit që kërkoi Betty kaluan sa çel e mbyll sytë. Por në bibliotekë u bënë ndryshime të mëdha. U shtrua e gjithë dyshemeja e katit kryesor me karpet të ri. U ndryshuan të gjitha llampat e ndriçimit dhe u shtuan njëzet piktura të reja. Unë, ç’është e vërteta i thashë drejtoreshës se karpeti që kishim nuk ishte edhe aq i vjetër dhe se nuk kishim pse të harxhonim para për dyshemenë. Por, ajo nuk më dëgjoi dhe nuk është hera e parë që nuk më dëgjon. Nuk është puna se nuk më dëgjon nga që , tek e fundit, unë një copë nëpunësi i rëndomtë jam në hierarkinë e bibliotekës. Mua më duket se zonja Ashley mendon se unë jam tip dogmatiku dhe nuk i dua ndryshimet… Unë , ç’është e vërteta ndryshimet i dua, por më duket se ndryshimet nuk fillojnë as nga dyshemeja dhe as nga tavani i bibliotekës. Tek e fundit, ne na kanë ikur lexuesit dhe , edhe ato të paktë që vijnë, si puna e Bettyt, kërkojnë libra me histori brekësh e më the të thashë…

Një ditë prej ditësh, ndërsa ende nuk kishte ardhur ende libri nga Teksasi, unë ia thashë zonjës Ashley se kërkesa si ajo e Bettyt për libra mbi historinë e brekëve , më dukeshin krejt qesharake dhe po aq edhe brengosëse për të ardhmen e leximit… – Nuk është puna jote as të brengosesh as të hedhësh valle – tha zonja Ashley. ” Ne jemi këtu thjesht të plotesojmë kërkesat që kanë lexuesit. A kërkojnë të lexojnë për brekë apo për planete të tjerë , është çështje e tyre… – Yes ma’am – i thashë dhe heshta.

Kur , më në fund mbërriti libri që kishte kërkuar Betty,unë i telefonova asaj të vinte ta merrte. Erdhi shumë shpejt. E mori , e futi në çantë dhe gati sa nuk po fluturonte nga gëzimi që, më në fund, ai libër i ra në dorë. Unë çuditesha me veten time se si është e mundur që Betty të gëzohej kaq shumë për atë libër që mund ta shkruajë cilido në këtë Botë, mjafton që edhe vetë , në kohën që e shkruan t’i ketë veshur një palë brekë…

Betty fluturoi shkallëve të librarisë duke i zbritur ato dy e nga dy me nxitim, a thua se dikush , diku e priste të shihte librin që posacërisht për të u huazua nga Universiteti i Teksasit … Mirardhsh Betty, pëshperita me veten. Ndoshta kur të vish herën tjetër do të kërkosh një libër mbi ata që nuk mbajnë brekë fare…