Një cikël i kompozitorit italian Bellini, disa arie botërore dhe një vepër shqiptare ka bërë tok në një koncert tri Zana. Koncerti “Duo Zana & Zana” bashkoi në skenë sopranon Zana Abazi-Ramadani e pianisten Zana Badivuku-Basha, që e ftuan si mysafire edhe flautisten e re, Zanë Abazi.

Katër veprat e Vincenzo Bellinit – “Malinconia, Ninfa gentile”, “Vanne, o rosa fortuna”, “Per pieta, bell’idol mio” dhe “Ma rendi pur contento” – me të cilat u hap koncerti, nxorën në pah potencën e pastërtinë e zërit të sopranos Abazi-Ramadani, shkruan sot “Koha Ditore”.

U shoqërua mjeshtërisht nga pianistja Badivuku-Basha me lojë virtuoze. Sinkronizmi i duos u dëshmua edhe në veprën “Sei liebten sich beide” të kompozitores gjermane Clara Schumann.

Performanca nuk kaloi pa u përgëzuar nga publiku. Pianistja Lejla Pula ishte njëra nga ata që duartrokitën interpretimin e duos. Ajo ka thënë se artistëve të tillë duhet t’u hapen rrugë që ata të performojnë edhe jashtë kufijve të Kosovës.

U veçua vepra shqiptare “Valsi i lumturisë” i kompozitorit Avni Mula.

Pas veprës shqipe, “Lenski”, aria nga “Eugen Onegin” e kompozitorit Pyotr Ilyich Tchaikovsky u interpretua nga pianistja dhe flautistja. Interpretimi Abazi-Ramadani bëri që ajo të cilësohet si njëra nga sopranot më të mira që ka vendi. Këtë epitet ia dha pianistja Lejla Pula.

Koncerti i radhës i “KamerFestit” do të mbahet më 30 tetor në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, ku do të interpretojnë pianisti italian Antonia Cagnazzo dhe pianistja nga Maqedonia, Ana Josimovska-Cagnazzo./koha.net/