Për herë të parë, “Vizita e mrekullueshme”, kryevepra e shkrimtarit anglez Herbert George Wells, u vu në skenë si një vepër teatrale dhe për këtë premierë botërore, regjisori italian Davide Iodice, zgjodhi teatrin “Migjeni”.

E gjithë historia zhvillohet në një fshat ku shfaqet një engjëll dhe njerëzit e bëjnë të vuajë duke na treguar mënyren se si mirëpritet “ai që vjen nga jashtë”, qoftë emigrant, apo qoftë engjëll.

Davide Iodice, një ndër regjisorët më të suksesshëm në Europë në teatrin kontemporan, thotë se ky takim i tij me artin në Shkodër ishte ndryshe.

“Jam shumë i kënaqur me këtë takim me publikun e Shkodrës. Teatri këtë gjë duhet të bëjë, duhet të krijojë një komunitet bashkëkohor. Është si një spital, si një objekt kulti, është një vend takimi, i cili duhet të jetë i hapur çdo ditë dhe i gjallë. Kjo vepër flet për pranimin dhe lidhje me çdokënd. E parë nga afër, askush prej nesh nuk është normal. Bashkëpunim në të ardhmen? Do të shohim. Ky qytet më ka mbetur në zemër”.

Për aktorët, kjo ishte një shfaqje me shumë mesazhe për jetën tonë të përditshme.

“Është një rol, i cili do të thotë shumë për mua, por ka disa mesazhe të jashtëzakonshme, sikurse ka edhe vepra në tërësi”, u shpreh aktori Fritz Selmani.

“Kështu është bota. Pak më pak, pak më shumë kështu është bota, jo vetëm Shqipëria dhe jo vetëm Shkodra. Me dit me dashtë sepse ne nuk e pranojmë. Ne nuk e pranojmë tjetrin, nuk e pranojmë të ndryshmin, nuk e pranojmë të huajin, nuk e pranojmë atë që nuk është si ne”, tha aktorja Rita Gjeka.

Falë bashkëpunimit me Institutin Italian të Kulturës “Vepra” pas teatrit “Migjeni” do të shfaqet edhe në Teatrin Kombëtar në Tiranë./t.ch/