Në kulmin e famës së tij si poet e mendimtar, vendosi ta braktisë Republikën e Turqisë, e dalë nga Perandoria Osmane, e të shkojë në Egjipt për të jetuar atje vitet më të pjekura dhe produktive (1925-1936) deri kur ra i sëmurë dhe u kthye në Stamboll për të vdekur atje më 27 dhjetor 1936

Ndonëse njihet më shumë si poet me kulturë të gjerë letrare të Lindjes dhe autor i himnit nacional turk nga viti 1921, Mehmet Akif Ersoj (1873-1936) gëzoi një famë që ende ndihet në Lindjen e Mesme si mendimtar me ide reformiste për gjendjen e botës myslimane. Si i tillë, veprat e tij u ribotuan dhe ende botohen në gjuhë të ndryshme. Megjithatë, në Egjipt ndihet prania e tij si “poeti i Islamit” në saje të rrethanave që e përcollën ardhjen e tij në Egjipt dhe qëndrimin e tij në vitet e fundit të jetës (1925-1936). Në këtë kontekst më 2017 u botua në Kajro një përzgjedhje prej shtatë përmbledhjeve të “poetit të Islamit” me titull të përbashkët “Safhat”, në përkthim të prof. Abdulla Azab, i cili ia kushtoi një hyrje të gjatë për jetën dhe veprat e tij. Botimi i këtij libri në Kajro, përkatësisht interesimi i intelektualëve egjiptianë për Mehmet Akifin, tregon një aspekt të lidhjes së tij me Egjiptin, ku jetoi vitet e fundit të jetës (1925-1936) dhe la ndikim të mirë që ende ndihet atje. Kështu, prof. Abdulsalam Fahmi kishte botuar më 1984 një monografi me titull “Poeti i Islamit Mehmet Akif Ersoj” në Riad, ku punonte si profesor vizitor në Universitetin e Riadit, e cila u ribotua më 1990.

BRAKTISJA E TURQISË NË KULMIN E FAMËS SI POET E MENDIMTAR

Kjo lidhje e Mehmet Akifit me Egjiptin dhe ndikimin e ndërsjellë midis poetit dhe vendit meriton më shumë, sepse ka aspekte të ndryshme politike, poetike, kulturore e akademike. M. Akifi ishte në kulmin e famës së tij si poet e mendimtar kur vendosi ta braktisë Republikën e Turqisë, e dalë nga Perandoria Osmane, e të shkojë në Egjipt për të jetuar atje vitet më të pjekura dhe produktive (1925-1936) deri kur ra i sëmurë dhe u kthye në Stamboll për të vdekur atje më 27 dhjetor 1936.

M.Akifi kishte fat që të rritej nën kujdesin e të atit Ipekli Emin Tahiri (1826-1888), i cili u lind në Shoshicë të Istogut, dhe u bë myderriz në Medresen e Fatihut në Stamboll, duke u bërë i njohur me nofkën Pejani (Ipekli), pasi Shoshica ishte në sanxhakun e Pejës në atë kohë. Kështu, me të atin në fëmijëri ai mësoi mirë turqishten, persishten, arabishten dhe filloi të interesohej herët për letërsi të këtyre gjuhëve. Ndonëse iu paraqit talenti për poezi në shkollë të mesme, pasi i vdiq i ati, për ta mbajtur familjen ai u detyrua të regjistrohet në Fakultetin e Veterinarisë. Më 1893 ai e kreu fakultetin dhe filloi të punojë si inspektor në Ministrinë e Bujqësisë, duke kaluar në shumë vende në Perandorinë Osmane, në Anatoli, Rumeli e Arabi. Në këtë kontekst, ai kishte kujdes t’i vizitojë xhaxhallarët në Shoshicë, kurse Kosova do të inspironte më vonë në poezinë e tij.

Në fillim të shekullit XX M. Akifi përjetoi ato ndryshime të mëdha politike e kulturore në Perandorinë Osmane. Në vitet e para të shekullit, ai u dallua si poet dhe njohësi i mirë i letërsisë turke e orientale, duke punuar si profesor i letërsisë osmane në Universitetin e Stambollit gjatë 1908. Ndërkohë, ai u lidh me opozitën (Ittihad ve Terakki) që e detyroi Sulltanin Abdulhamit II për ta shpallur kushtetutën më 24.07.1908. Në vitet e lirisë së re ai mori pjesë në nxjerrjen e revistës “Sirati mustakim” (Rruga e drejtë), në të cilën botoi shumë vjersha që do ta përbënin përmbledhjen e parë “Safhat”, e cila doli më 1911. M. Akifi u dëshpërua prej partisë “Ittihad ve Terakki”, e cila mori pushtetin në dorë dhe u tregua ndryshe me ato premtimet për liri. Po ashtu, M. Akifi e përkrahu Mustafa Qemalin në lëvizjen e tij për rezistencë kundër okupatorëve të rinj dhe për pavarësi të vendit, duke nxitur popullin me poezi e fjalime nëpër xhami për të marrë pjesë në këtë lëvizje. Ndonëse u zgjodh deputet në prill 1920 dhe mori pjesë në hapjen e Këshillit Nacional në Ankara, e cila e pranoi poezinë e tij për himn të ri nacional më 12 mars 1921, ai më vonë nuk u pajtua me orientimin e Mustafa Qemalit, pasi që u bë kryetar i Republikës në tetor 1923.

Në këtë kontekst, sikurse në Shqipërinë e viteve 1921-1924,në Turqinë e re dominoi orientimi i ri për “turqizimin e Islamit”, duke shndërruar ezanin në gjuhën turke dhe duke kërkuar më 1924 në Parlamentin e ri që të përkthehet Kur’ani në gjuhën turke, për çka Drejtoria për çështjet fetare e ngarkoi M. Akifin me këtë punë, pasi ai njihte shumë mirë gjuhën e kulturën arabe. Mirëpo, M. Akifi nuk gjeti veten më në regjimin e ri në krye me Mustafa Qemalin, i cili ndoqi një politikë radikale për çorientizimin e vendit deri në ndalimin e fesit për nëpunësit e shtetit më 3.10.1925 dhe për popullin më 20.11.1925 dhe imponimin e kapelës cilindër ose kasketit në vend të fesit. Si pasojë, M. Akifi vendosi të shkojë në Egjipt, i cili u bë shtet i pavarur më 1922 nën sundimin e mbretit Fuad, stërnipi i Mehmet Ali pashë Kavallas, për të jetuar atje e për ta vazhduar punën në përkthimin e Kur’anit në turqisht.

LIDHJET E HERSHME E ME EGJIPTIN DHE DINASTINË E MEHMET ALI PASHËS

Vendimi për të shkuar në Egjipt në fund të vitit 1925 nuk ishte i rastit, por ishte pasojë e një lidhjeje të mirë që e kishte M. Akifi me Egjiptin dhe dinastinë e Mehmet Ali Pashës. Pasi që Egjipti gëzoi de facto një pavarësi nën sovranitetin formal të sulltanit me Marrëveshjen e Londrës 1841, me çka sulltani ia njohu Mehmet Ali Pashës një sundim trashëgues, Kajroja u bë qendër e lirë për gazetarë, shkrimtarë e politikanë të ikur nga absolutizmi i Sulltanit Abdulhamid II. Në këtë drejtim u paraqitën në fund të shekullit XIX dy figura që lanë ndikim edhe në Stamboll: Xhemaluddin al-Afgani (1838-1897) dhe Muhammad Abdo (1849-1905). M.Akifi ra më shumë nën ndikimin e M. Abdos, i cili u bë Myfti i Egjiptit dhe reformator i njohur i sistemit mësimor në Az-har, duke ia përkthyer në turqisht librin “Islami midis shkencës dhe civilizimit” që përmban polemikën e tij me historianin francez dhe ministri i jashtëm 1894-1898 G. Hanataux.

Ç’është e vërteta, në atë kohë sikurse te Sami Frashëri në veprën “Qytetërimi Islam”, ashtu edhe të disa intelektualë të asaj kohe, ishte aktuale pyetja për arsyet e prapambetjes së myslimanëve në krahasim me progresin evropian. Disa orientalistë e historianë evropianë, që kishin ithtarë tani në Kajro e Stamboll, mendonin se arsyeja kryesore qëndron në vetë Islamin, ndaj duhet të merret Evropa si shembull për reformimin e fesë dhe progresin. M. Abdo, duke pranuar prapambetjen e myslimanëve në krahasim me Evropën, mendonte se arsyeja e kësaj prapambetjeje qëndronte në largimin e myslimanëve prej zhvillimit të shkencave, ndaj apelonte për reformimin e shkollimit tradicional, që myslimanët të ngrihen përsëri e të përparojnë në çdo fushë.

  1. Akifi, si ithtar i M. Abdos, kishte një lidhje të ngushtë me stërnipin e Mehmet Ali Pashës, princi Said Halim Pasha (1863-1921), i cili po ashtu u paraqit me mendimet e veta në këtë polemikë midis intelektualëve të kohës. Vlen të përmendet këtu se Said Halim Pasha kishte shpresa në fillim te Sulltani Abdulhamiti II, por më vonë kaloi në Kajro dhe financoi opozitën (Ittihad ve Terakki). Me rrëzimin e Abdulhamitit II më 1909, Sait Halim Pasha u emërua së pari ministër i Jashtëm më 1912 dhe sadriazëm gjatë 1913-1917. Ai njihte shumë mirë frëngjishten dhe botonte mendimet e tij rreth kësaj polemike në organet franceze. M. Akifi, i cili po ashtu e dinte mirë frëngjishten dhe letërsinë frënge, e përcillte shkrimet e Sait Hilm Pashës në frëngjisht dhe ia përktheu në turqishte një vepër me titull “Përqafimi i Islamit”. M. Akif u lidh mirë edhe me vëllain e Said Halim Pashës, Abas Halim Pasha (1866-1934), i cili u bë Ministër i Punëve Botore (1915-1917) dhe e nxiti për të shkuar për vizitë në Egjipt në pranverë të vitit 1914. Kjo lidhje midis tyre vazhdoi edhe në Egjipt, kur të dytë vendosën të shkojnë në fund të 1925 në Egjipt për të jetuar atje. Ardhja e M. Akifit në Egjipt ishte një kthesë qoftë për të si dhe për rrethin e ri ku u vendos. Mu në atë vit (1925) u themelua Universiteti Egjiptian si institucion shtetëror. U themelua më 1908 me nismën private dhe hasi në pengesa të ndryshme, kurse filloi punën e rregullt në 1926. Qysh nga fillimi, ai kishte Degën për gjuhët orientale, por nuk kishte profesorë të karrierës. Më 1927 u kthye në Kajro Abdulvehap Azzam (1894-1959) pasi që magjistroi në Fakultetin e Studimeve orientale në Londër, duke u specializuar në gjuhë e letërsi perse. Me të arritur në Kajro, ai u lidh me M. Akifin, duke çmuar shumë njohuritë me gjuhët e letërsitë orientale (turke, perse e arabe). Kështu, me iniciativën e tij, M. Akifi u pranua në Degën e Gjuhëve Orientale si profesor i gjuhës dhe letërsisë turke.

Me anë të A. Azzamit, M. Akifi u njoh me elitën intelektuale egjiptiane. Megjithatë, ai la ndikim të madh në kolegun dhe mikun e tij, A. Azzam. Ai vetë e pranoi se vetëm me ardhjen e M. Akifit në Egjipt dhe miqësisë së tyre u njoh me poetin e madh Muhamed Ikbal (1877-1938) dhe më vonë u bë ekspert duke ia përkthyer katër përmbledhje në arabisht dhe duke ia kushtuar disa studime. Gjatë qëndrimit të M. Akifit në Egjipt (1925-1936) kemi dy ngjarje domethënëse: mbarimi i përkthimit të Kur’anit në turqishte dhe botimi i përmbledhjes së shtatë të poezive, “Hije”, në Kajro më 1933, që përmbante shumicën e vjershave të krijuara në atë vend. Këtu vlen të përmendet se M. Akifi filloi të vuante nga sëmundja më 1935, ndaj mjakët e këshilluan të shkojë për pushim në Liban në verë të atij viti. Mirëpo, gjendja e tij shëndetësore u keqësua më vonë, për çka vendosi në korrik 1936 të kthehet në Stamboll, ku vdiq më 27 dhjetor dhe u varros me heshtje zyrtare por me nderim të popullit.

DJEGIA E PËRKTHIMIT TË KUR’ANIT

Në lidhje me përkthimin e Kur’anit ai i la për amanet mikut myderrizit të njohur Mehmet Ihsanit (1902-1961), me të cilin erdhën bashkë me anije në Egjipt më 1925, me porosi se nëse nuk kthehet në Kajro, ta djegë atë përkthim. Ende është enigmë përse M. Akifi nuk e autorizoi mikun për ta ruajtur përkthimin e Kur’anit në turqisht. Sipas prof. Ekmeludin Ihsanoglu në librin për jetën e të atit në Egjipt (1925-1961) dhe miqësinë e tij me M. Akifin, mund të konkludohet se M. Akifi nuk ishte tejet i kënaqur me përkthimin, dhe se dëgjoi në atë kohë se qeveria turke nuk do të lejonte turqit ta lexojnë Kur’anin në arabisht, por në turqisht. Në lidhje me përmbledhjen e fundit që e botoi në Kajro më 1933, vlen të përmendet se M. Akif ishte tip shumë modest, ndaj ai preferoi të jetojë në një shtëpi modeste në qytetin Halvan, në jug të Kajros. Ai shëtiti nëpër Egjipt duke vizituar vendet historike të civilizimit të vjetër egjiptian. Mirëpo, as ai e as shoqja Emine hanëm nuk ndiheshin rehat larg fëmijëve dhe familjes, ndaj në këtë përmbledhje kemi shumë vjersha që reflektojnë ndjenjat e poetit ndaj monumenteve të vjetra të Egjiptit si dhe shqetësimet e tij personale në vendin që përjetonte atëherë krizën e identitetit midis Lindjes dhe Perëndimit.

Ç’është e vërteta, M. Akifi erdhi në Egjipt në kohë kur zhvilloheshin polemikat për identitet politiko-kulturor të Egjiptit midis rrymave të ndryshme për vendin e Egjipt në botë: pjesë e Orientit, pjesë e botës Islame, pjesë pellgut të Mesdheut ose propërendimor. Në këto polemika paraqiten dy qëndrime të kundërta, proqemaliste, nacionaliste e laike, e antiqemaliste proislame. M. Akifi erdhi në Egjipt si figurë antiqemaliste, ndaj u promovua më shumë si “poet i Islamit”. Është vërtetë se M. Akifi nuk ishte për Panislamizëm të Abdullhamitit II, ndaj ai iu bashkua opozitës (Ittihad ve Terakki), por ishte për përtëritjen e Islamit që myslimanët të luajnë rolin e tyre në progresin e njerëzimit.

ERDOGAN: “EDHE MEHMET AKIFI ËSHTË SHQIPTAR”

Ky imazh i ri M. Akifit u paraqit viteve të fundit me deklarata publike të kryeministri dhe kryetari i Republikës Recep Tayip Erdogan. Kështu, ai duke mbrojtur deklaratën e deputetit të partisë së Drejtësisë dhe Prosporitetit, Hakan Sukur, i cili deklaroi se ai “është me origjinë shqiptare” në një ligjëratë në Universitetin e Mehmet Akif Ersojit në Burdur, Erdogon shkoi më larg duke thënë “Edhe Mehmet Akifi është shqiptar” (Shekulli,23.2.2013). Në rastin tjetër kur u nderua me gradën Doktor Nderi në Universitetin Mehmet Akif më 11.3.2016,ai deklaroi se autori i Himnit Nacional “meriton të quhet Poet i Pavarësisë”.

(Fragmente nga libri “Figura shqiptare në Lindjen e Mesme-shek. XVI-XX” që del gjatë këtij muaji në Shkup)