Libri më i ri i gazetarit dhe studiuesit letrar, Arben Veselaj, “Observime letrare dhe publicistike”, që sapo ka dalë nga shtypi nën siglën e shtëpisë botuese “Jakup Ceraja”, përmbledh recensione, vështrime letrare dhe ese.

“Observime letrare & publicistike” ka tri pjesë: në pjesën e parë – “Recensione”, janë përfshirë një numër shkrimesh për libra e autorë të ndryshëm të letërsisë shqipe dhe botërore, të shkruara përgjatë punës së autorit si gazetar për kulturë nëpër medie të ndryshme, duke aplikuar shkrimin okazional (metodën okazionale – publicistike të vlerësimit).

Nën observim janë vënë libra dhe autorë, të cilët lexohen një herë por mbahen mend për më gjatë. Duke mos u thelluar shumë në ujërat e hermeneutikës, megjithatë autori i mbetet besnik kredos së kritikëve, sipas së cilës “pas çdo leximi krijues pason dhe një shkrim krijues”.

Pjesa e dytë, “Vështrime”, përmbledh disa nga hulumtimet më të fundit që autori i ka realizuar në fushën e kërkimeve letrare, nisur nga autorët e letërsisë arbëreshe (“Skiroi, autori ikonoklast”), e deri te miti i Kosovës në veprat e Ismail Kadaresë (“Prosedeu kadarean i çmitizimit”).

Viteve të fundit, Veselaj i ka thelluar kërkimet në letërsinë arbëreshe, duke qëmtuar aspektin johistorik të kësaj letërsie, si dhe në krijimtarinë e Ismail Kadaresë – ekzaktësisht opozicionin mes tiranive dhe individit që trajtohet në disa vepra të këtij autori.

Kurse pjesa e tretë – “In Memoriam”, përmban dy ese kushtuar dy shkrimtarëve dhe miqve të ndjerë të autorit: Ragip Sylajt dhe Zef Kakocës.

Arben Veselaj deri më tani ka publikuar kryesisht studime letrare dhe kritikë. Në vitin 2001 botoi librin “Shpërrallosje”, më 2017 monografinë “Tema kadareane”, më 2020 librin eseistik – studimor “Triptikon arbëresh” etj.