Nga: Branko Merxhani 

Filozofia më e mirë është ajo që lindi nga Shkenca Sociologjike, ajo që mbështetet mbi njohje pozitive dhe arrinë gjer në majen e idealeve më të larta dhe më të bukura. Ja një aksiomë tjetër e neo-shqiptarizmës.

Mirë, po ç’është ideali?

Filozofia më e mirë është ajo që lindi nga Shkenca Sociologjike, ajo që mbështetet mbi njohje pozitive dhe arrinë gjer në majen e idealeve më të larta dhe më të bukura. Ja një aksiomë tjetër e neo-shqiptarizmës.

Mirë, po ç’është ideali?

Ideali është një gjë misterioze, që gjendet kurdoherë jashtë lëndës dhe interesit. Filozofët metafizik dhe ideologët, idealin e interpretojnë në mënyra të ndryshme. Por, asnjëri prejt tyre nuk e goditi një interpretim të drejtë. Disa, idealin e pranuan si një realitet të botës metafizike, si p.sh.: Platoni, Muhedin-i-Arabiu, Kanti etj., ndërsa disa të tjerë, e mohuan tërësisht se ideali mbështetet mbi një realitet. Për ‘ta, ideali nuk është gjë tjetër veçse një ëndërr perfeksioni, një fabrikim i nxituar i fantazisë së individit.

Të gjitha këto definicione u treguan të pabazuara. Dhe, kjo ndodhi për hirë të Shkencës së Sociologjisë, e cila i hodhi poshtë dhe i thërmoi interpretimet filozofike, si dhe provoi se ideali është një realitet i cili i përket botës pozitive.

Sipas definicionit pozitivist të shkencës së sociologjisë, ideali është ajo jetë që e jetojnë shoqëritë në epokat e krizës së tyre, domethënë kur marrëdhënjet mes individëve, aksiomat dhe reakcionet gjenden në të zier e sipër. Jetërat që rrojmë në epokat e tjera të historisë janë vetëm jetëra individuale. Kjo jetë individuale është e zonja të sigurojë vetëm mbrojtjen materiale. Lumturia shpirtërore mbetet e parealizuar. Individët që janë prej natyre partikularist dhe egoist, vetëm kur hidhen brenda në trazirën dhe në të zierit e jetës shoqërore, vëtiten jashtë qarkut të ngushtë dhe barbarë të natyrës së tyre. Atëherë, individi fiton ideale. Bëhet altruist.

Individët, vetëm në çaste të jashtëzakonshme të jetës kombëtare e kuptojnë ekzistencën e padukshme të jetës shoqërore. Për këtë arsye Ideali nuk është tjetër veçse shoqëria. Ideali është pjellë e shoqërisë.

Rini, ti që bredh si hije e heshtur brenda në nostalgjitë e shpresave të humbura! Njerëz, juve që shpirti ju bredh në errësirën e dëshpërimit! Hidhuni me guxim e sakrificë në valën e turbullt të jetës shoqërore!

Një shoqëri nuk është një entitet që përbëhet nga shuma e njerëzve që e formojnë atë. Një shoqëri është një entitet që krijohet nga ndjenjat shoqërore dhe nga ndërgjegjja e përbashkët. Një shoqëri nuk është një përzierje elementesh të ndryshëm, por një sintezë e brendshme, siç është për shembull edhe lënda kimike. Pra, tërësia shoqërore që formohet në këtë mënyrë, si cilësi unitare, si përmbajtje egocentrike, si shpirtë dhe si formë, është krejt e ndryshme nga forma individuale e individëve të veçantë që e përbëjnë atë.

Këtë entitet shpirtëror dhe moral, që është krejt i padukshëm, krejt misterioz dhe ndoshta i paqenshëm për ndjesitë e veçanta individuale, njerëzit e kohërave të vjetra e pandehën dikur si perëndi, mëpastaj si një fuqi magjike dhe më vonë si diçka mbinatyrore. Çdo entitet brenda në natyrë dhe pikë së pari formacionet shoqërore të njerëzve kanë “Epokën e dashurisë” së tyre. Në këtë epokë, shpirtërat e njerëzve rrojnë në një të zier të thellë, që përhapet si vetëtimë nga njëri te tjetri dhe, atëherë, entuziazmi arrinë pikën më të lartë të lavdisë. Këto janë çastet kur ideali shkakton triumf.

Triumfi i idealit është prova më e mirë e vitalitetit shoqëror të një populli. Ideali, njeriun që është prej natyre partikularist dhe egoist, e shndërron në qenje vetëmohuese dhe guximtare, në një altruist. Ideali, nga “krijesa” e ndyrë e fuqive natyrore, sipas fjalës së Schillerit, krijon “njeriun e estetikës, njeriun artist.”

Ideali, njeriut ia falë mbrojtjen materiale dhe lumturinë shpirtërore. Atje ku ka ideal, atje buzëqeshë bukuria e jetës dhe agimi i shpresës. Atje ku ka ideal, hieja e së ligës ikën për vende të largëta dhe mendimi i vetëvrasjes së një shoqërie shuhet tërësisht.

Ideali e ndritë shpirtin, shpërndanë shpresë dhe ngushëllim në zemrat e njerëzve, të dëshpëruarin e mban të lidhur në jetë, në idenë e shpëtimit, në lindjen e ringjalljes.

Ushtari trim, trupin e tij e sakrifikon për Flamurin e Atdheut të vet dhe mbronë kufinjtë e tij vetëm atëherë kur shfaqet si Mbrojtës i Idealit të një populli të tërë, simboli i të cilit është skalitur mbi një copë pëlhurë të rreckosur. Edhe njeriu i “egër” që derdhë gjakun për Perëndinë e vet, shkencëtari që humb vehten për përparimin e shkencës dhe për shpikjet, s’janë gjë tjetër veçse njerëz që sakrifikohen për idealin.

Mjerë ata popuj që nuk kanë ideal, sepse në shfaqjen e parë të krizës, në fryerjen e parë të rrebeshit, që janë kaq të bollta, kaq të koklavitura dhe, kaq të papritura në jetën e sotme të popujve, do të shkrihen pa patur kohë të psherëtijnë, si një pallat prej letre. Mjer ai grusht njerëzish që adhuron tri Perëndi nën një qiell…

Ideali, ky burim i tmerrshëm dhe krijonjës i fuqisë njerëzore, nuk është e mundur të shfaqet nga fantazia e një njeriu të vetëm. Nuk është e mundur të shpiket nga një njeri i vetëm. Por disa gjeni që jetojnë brenda një kombi, e parandjejnë që ideali lindë në ditët kritike dhe të jashtëzakonshme të jetës së popujve që e shfaqin atë. Këta dhe vetëm këta janë profetët e kohëve të shkuara. Këta janë personalitetet e një Carlyle, reformatorët e vërtetë të ditëve tona. Megjithatë, Ideali është një pjellë e shoqërisë. Nuk është një produkt individual. Ideali është një realitet shoqëror, që na e shfaqë dhe e interpreton Shkenca e Sociologjisë. Prandaj jam i mendjes se kjo shkencë ka fuqi t’a lidhë djalërinë tonë tek jeta, më shumë nga çdo mendim tjetër shkencor.

Djalëria, në studimin e shkencës së sociologjisë do të gjejë një burim të pasosur besimi tek vehtja e saj dhe nga dritat e saj do të fitojë qejf, dispozitë dhe shpresa për punën krijonjëse të së Ardhmes Shqiptare.

Hidhni një sy në historinë e shkollave shoqërore. Të gjitha teoritë e mëdha që u përpoqën të zgjidhin problemet shoqërore, u shfaqën kurdoherë në kohërat që popujt ishin të futur brenda në turbullime të mëdha shpirtërore dhe shoqërore. Një Saint-Simon dhe një Auguste Comte dje, një Mustafa Qemal dhe një Zogu sot, nuk janë veçse profetët e këtyre epokave.

Brezi ynë e pa dritën e diellit në një kohë të historisë tonë kombëtare kur në shpirtërat dhe në mendimet tona mbretëronte anarkia më e madhe. Roli i djalërisë në kohën e sotme të zgjuarjes morale të popullit tonë, është shumë i madh. Duhet t’i vejmë themelet e ekzistencës tonë mendore, pa të cilën Shqipëri nuk mund të ketë. Nuk duhet të lëmë që të na mbulojë përsëri errësira, sepse sa më shumë që dielli zbret dhe qaset në majat e maleve, kaq më shumë zmadhohen hijet – këtu poshtë në fushat tona.

(Shkrim i botuar më 9 mars 1929. Autori ishte shkrimtar, kritik letrar, përkthyes, sociolog, filozof… një nga mendimtarët më të mëdhenj shqiptar.