V.Th. / RTKlive

Opera e Kosovës në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës ka nderin të prezantojë premierën e operës së parë kosovare “Goca e Kaçanikut” nga Rauf Dhomi.

Ky moment historik shpaloset teksa ‘Goca e Kaçanikut’ del në skenë për herë të parë në Prishtinë, pas krijimit të saj më shumë se gjysmë shekulli më parë.

Në këtë vepër bëhet fjalë për luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës. Këta dy ëndërrojnë për një jetë të lirë dhe të lumtur. Mirëpo tradhtari Rus Bashi i pengon, duke e akuzuar Trimorin për tradhti. Trimori burgoset, kurse Rus Bashi tenton ta rrëmbejë Pafikën. Në ndërkohë shokët e lirojnë Trimorin. Në momentin kur Rus Bashi e sulmon Pafikën, paraqitet Trimori, ndërsa Pafika arrin ta vrasë tradhtarin. Të gëzuar, të gjithë i këndojnë lirisë e dashurisë në fund.