Emri i Ismane Mehdi nuk është e panjohur në mesin e artistëve figurativë në Maqedoni. Ajo bën pjesë në grupin e artistëve të rinj të cilët me entuziazëm të madh gjurmojnë pas kreacioneve të tyre, duke marrë pjesë në shumë koloni artistike, ekspozita grupore dhe të pavarura, brenda vendit dhe jashtë tij.

No photo description available.

Duke marrë pjesë në këto manifestime, ajo paraqitet me veprat e krijuara me ekspresionizmin e saj tipik, nganjëherë abstrakt, nganjëherë real, por shumë herë edhe emotiv. Në veprat e saj ajo në mënyrën e saj vetanake i pikturon emocionet e veta, pikëllimet dhe momentet e gëzimit. Ditët studentore, ndodhitë profesionale në përditshmërinë e saj, ngjarjet e përjetuara, gjërat e pakëndshme, sukseset, e preokupojnë opusin e saj, ku emocionet e saj janë shëndërruar në një konglomerat ngjyrash, me elemente dhe figura të cilat secila më vete rrezaton në shkëlqime të ndryshme, varësisht nga momentet e përjetimit të tyre. Ajo atë e sjell në një shprehje ekspresionizmi të butë me pamje reale të krijuar në imagjinatën e saj.

Me këto forma dhe ngjyra, nganjëherë ekstreme, madje edhe të buta “si pambuk”, ajo krijimtarisë së vet artistike nuk kundërvihet me impresionizëm dhe me realizëm, duke e realizuar këtë me veprime shprehëse të cilat megjithatë mbeten stili i saj themelor që buron nga perceptimi dhe shpirti i saj. Në këtë kontekst, në një vend shkrimtari Wilhelm Von Bale thotë: “Artisti nuk ka përherë dëshirë dhe motivacion që ta ndjekë stilin për të cilin është përcaktuar, por në botën e tij të brendshme ngjarjet dhe botën që e sheh, determinohen brenda tij dhe e kushtëzojnë për ta bërë atë”. Te Ismanja të gjithë këto parakushte gjithsesi se kanë ekzistuar për arsye se impresiven dhe realen i ka vendosur në botën e saj ekspresioniste.

Ismane Mehdi duket qartë se në krijimtarinë e saj është frymëzuar nga artisti ynë i njohur, njëherësh edhe profesori i saj, Reshat Ahmeti. Në krijimin e veprave të saj dallohet ndikimi i mentorit, objektet e tij të gjithësisë yjore, lëndët e kristalta nga bërthama e tokës, si dhe loja e dritës, por edhe figurat e errëta të cilat krijojnë paqe për sytë dhe shpirtin. Por ky ndikim mbresëlënës e bën akoma më interesante pikturimin e saj në të cilin edhe vetë ajo shpeshherë gjurmon në univers, duke i vendosur në pëlhurë në mënyrë të vendosur dhe të guximshme, ngjyrat të cilat për nga “shpërthimi”, krijojnë elemente të ndritshme të cilat në të vërtetë e zhytin në ndjenjën e saj të brendshme deri në pafundësi.

Ashtu si te artistët e tjerë të rinj, edhe te Ismane Mehdi mbizotëron një entuziazëm i paparë për “progres” ku përvojën e saj do ta afrojë dhe do ta bartë te të gjithë pranuesit e imagjinatës së saj artistike. Në veprat e Ismanes ndeshemi me një harmoni. Pra, këto ngjyra, forma dhe veprime nga të cilat rrjedhin vepra me një ornamentikë të fshehtë, objekte të cilat janë kompatibile me traditën dhe vlerat që burojnë prej saj. Këto vlera tradicionale si filigrani, qëndisja, drugdhendja, por edhe artizanalet janë aq bukur të gërshetuara, të mbështjella dhe të mishëruara brenda ngjyrave të cilat nganjëherë na i kujtojnë konturet e një peizazhi të pafund ose të një natyre të vdekur. E kjo, nga ana e artistes bëhet me një elegancë karakteristike.

 Është interesante se abstraksionet e Ismanes, pas gjithë atij ekspresionizmi të zbutur, pikërisht me prekjen e saj të njohur si prej pambuku që rri pezull si një vello, dërgon një mesazh të thellë të intimizuar me një notë të ngrohtë feminitetin, në të cilin fshihet humanizmi i saj. Imazhet janë një pasqyrim i një shpirti të hapur filantropik, në të cilin ju mund të shikoni lirisht dhe të njihni dashurinë për njerëzimin dhe botën, të ndarë në fije që do t’ju dërgojnë të vizualizoni gëzimin e ekzistencës, ngarkesën energjetike të natyrës dhe bërthamën e të gjitha formave të jetës. Ajo sensibilizon brishtësinë e njeriut që mbart ngjyrat dhe fatin e tij, mbi të cilin Ismanja me një ndjesi pambuku paralajmëron dritë dhe optimizëm duke na dhënë mesazhin se në atë lëmsh abstrakt përplot me ngjyra e një seri emocionesh, ekziston gjithmonë një shpresë e gjallë.

             Pikërisht ky mesazh i ngrohtë që e zhvesh atë punë abstrakte, na jep një mesazh se të gjithë jemi në një kaos të rregulluar hyjnor, në të cilin mbizotëron pasuria e emocioneve… Drita e pambuktë e Ismanes është një ngushëllim i butë në këtë kozmos ku rendi, paqja dhe koncepti universal mbizotërojnë dhe në të cilin Krijuesi na dha jetë dhe një vend të çmuar në atë analogji hyjnore. Atë që te mentori i saj, Reshati e njohim si një “shpërthim” kristalesh, te Ismanja është e qetësuar në “aurorë”, sepse ajo shpërthimin e ngjyros me fragmente ylberi, gjë që thekson edhe një herë pikëpamjen e saj femërore ndaj bukurisë së botës.

             Betejat e saj të brendshme emocionale në piktura janë në të vërtetë një simfoni e ndjenjave që bëjnë paqe dhe piqen, dhe, si të pjekura mund të thithin jetën me të gjitha ngjyrat e emocioneve: trishtimin, zemërimin, frikën, gëzimin, dashurinë, dhembshurinë, dhimbjen, pasionin… Pra, të gjithë ato që janë mbledhur si përvojë në “lëmshin” e saj abstrakt shumëngjyrësh, të cilin në imagjinatën tuaj mund ta interpretoni në “tezgjah” dhe tanake, ku mesazhin e saj do ta transformoni në një copë pëlhure ose në këtë rast, në një pikturë.

             Të gjithë ne kemi kode arkaike që na identifikojnë me modelet e traditave të popullit tonë, të absorbuara që nga mosha e djepit. Ata hyjnë spontanisht në shprehjen që përmban vulën ose shenjën e mjedisit, e që gdhend modelet e jetës së përditshme në vetëdijen tonë. Këto janë ngjyrime të bukura që kanë integruar harqe dhe bakllava, dredhkë dhe lule. I gjithë ky zbukurim përbën simfoninë e Ismanes që shndërrohet në stil dhe shprehje të saj.

             Ekspresionizmi në të vërtetë është një botë, ndërsa seria e “shkreptimave” është një notë reminiscente e kujtimeve të cilave kjo artiste ua shton bukurinë e së kaluarës, si një përvojë që pavarësisht gjithë hidhërimit ka një shije të ëmbël të qëndrueshmërisë. Për të, e kaluara nuk është as barrë, as një libër i mbyllur, për të e kaluara është një burim nga ku nxjerr ngjyrat me të cilat ushqen pasionin, mallin dhe energjinë, shpirtin që ka marrë rrugën drejt së ardhmes. Ismanja na motivon të ecim së bashku me ngjyrat e ndjenjave që janë të natyrshme, t’i çlirojmë ose t’i mbledhim ato, që në fakt përsëri janë shtigje dhe pasqyra ku një shpirt ecën dhe reflekton, e që përhapen si një margaritar në ndjenjat e saj.

             E gjithë ajo metafizikë në veprat e saj është përmbledhur në një filigran shpirtëror, i cili përmes ngjyrave flet për sekretet dhe misticizmin e ekzistencës. Meqenëse ato janë një dhuratë hyjnore, ashtu si dhe talenti, lë të nënkuptohet se  ndoshta jemi racionalisht të paaftë për t’i kuptuar ato, por nga ana tjetër jemi të  shpërblyer me një shpirt që edhe vetë është një tokë ose një pëlhurë mbi të cilën ne perceptojmë me dashuri ngjyrat e jetës. Dhe kur ato bashkohen si një valë vjen shkëlqimi që na fisnikëron dhe na çon lart, një hap më afër pafundësisë…

Duke e ndjekur vazhdimësinë e opusit të saj që nga studimet e deri më sot, jam i bindur se krijimtaria artistike e Ismane Mehdit do të zhvillohet në drejtim pozitiv, rrugës së vizionarëve dhe elitës së piktorëve te ne.  Krijimtaria e Ismane Mehdit është edhe një dëshmi se talenti i saj i madh në artin pamor, qëndrueshmëria dhe tablotë e saj me ngjyra të theksuara janë garanci se ajo me veprat e saj artistike do të na sjellë gëzim, do ta na lartësojë si dhe do të na emocionojë.

                                                                 Behixhudin Shehapi

                                                                      Historian i artit

No description available.
No description available.
No description available.
No description available.
No description available.
No description available.