Nga: Daut Dauti

Një ditë isha te mjeku për vizitë rutinore. Në recepsion më thanë se mjeku im nuk ishte aty. Për këtë arsye më pyetën nëse dëshiroja të shkoja te një mjeke tjetër dhe natyrisht që pranova. Mjekja kishte mbiemër tipik anglez, por emër po ashtu tipik sllav. Ajo ishte e re, e sjelleshme dhe tejet energjike.

Pyetjeve që i përgjigjesha, ajo i shkruante në kompjuter duke i përdorur të gjitha gishtat, me shpejtësi të madhe dhe duke më shikuar mua e jo tastierën. U habita. Ndoshta unë vij nga gjenerata e vjetër dhe me paragjykime, por njerëzit që e përdorin tastierën në këtë mënyrë, më duken si daktilografë.

Para disa viteve, derisa po e prisja aeroplanin në një qytet të ShBA-së, e nxora laptopin dhe fillova të shkruaj. Një njëri në moshë, i ulur pranë meje, më shikoi gjatë dhe dikur intervenoi me pyetjen: “Më falni, a jeni gazetar? Apo ndoshta shkrimtar?”Reklamahttps://20856a5b1fe8d3a85551066ac4fcdfca.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-40/html/container.html

“Mendoj se jam që të dyja” – iu përgjigja dhe e pyeta: “Si e morët vesh?”

“Për shkak se vetëm gazetarët dhe shkrimtarët shkruajnë me dy gishta në tastierë” – u përgjigj ai.

E vërtetë, ky është botëkuptimi apo definicioni se si shkruajnë gazetarët dhe shkrimtarët. Megjithatë, me sa e kuptoj unë, kjo ka filluar të ndryshojë për shkak se gjeneratat e reja tashti kanë filluar ta mësojnë në shkollë herët përdorimin e rregullt të tastierës. Megjithatë, mua më duken më shumë si daktilografë sesa diçka tjetër.

Shumica e shkrimtarëve, nga më të njohurit, kanë shkruar me laps dhe në letër duke e injoruar makinën e shkrimit. Disa vazhdojnë edhe sot, përkundër ardhjes së teknologjisë së kompjuterit. Në Tiranë kështu më tha edhe miku im, po ashtu shkrimtar ndër më të njohurit. J.K. Rowling, si shumë tjerë, romanet e saja i shkruan me laps dhe në letër. Pastaj i nxjerr në kompjuter vetëm kur mendon se puna është kryer. Duket që letra dhe lapsi nuk do të zhduken shpejt nga përdorimi. /Telegrafi/