Nga: Gëzim Tushi

Fenomeni i internetit masiv dhe rrjeteve sociale në zgjerim ka sjellë shumë pasoja pozitive dhe negative në shoqërinë tonë. Nëse nga ana formale e dukjes statistikore për komunikimin virtual rezultatet janë pozitive, në anën thelbësore ndodh shpesh që përballemi me një dukuri të re sociale. Njerëz me pikëpamje të ngjashme nën ndikimin egalitar dhe “bombardimin informativ” nga interneti me rrjetet sociale, duket sikur përfundojnë në “situatë bosh”. Sepse, interneti ka aftësinë t’i vendosë njerëzit në komunikim nëpërmjet një “dhome jehone” të vogël, duke krijuar konturet e dëmshme të një “shoqërie të vogël sociale”, por me dimensione të zgjeruara dixhitale. Tashmë është fare evident ndikimi i internetit në procesin e “egalitarizmit” të ideve, qëndrimeve dhe mënyrave të sjelljes në shoqërinë tonë. Ndikimi pozitiv dhe negativ në të njëjtën kohë, konsiderohet nga sociologët si një problem social urgjent, sepse ka efekte të gjëra dhe “po ndryshon demokracinë tonë, po ndryshon aftësinë tonë për të bërë një bisedë të vërtetë apo për të pasur një marrëdhënie të sinqertë me njëritjetrin” – thotë Tritan Harris, një punonjës me influencë i Google-it.

Ne duhet të bëhemi më sensibël dhe të kuptojmë më mirë realitetet dhe, mbi të gjitha, ndikimin pa rregulla të informacionit të shpejtë, të njëtrajtshëm në publikun shqiptar, që në shumë raste është faktori që sjell shkulme të njëjta, të njëtrajtshme në kohë, të barabarta në sasi, të njëjta në cilësi. Kjo situatë është ndikuese në rrafshimin e nivelit dhe barazitarizmit të informacionit, duke ndikuar në shfaqjen tek njerëzit të një fenomeni të ri, të cilin sociologët e quajnë si shfaqje masive të “publikut egalitar”. Një produkt evident i “revolucionit dixhital” dhe zgjerimit të rrjeteve sociale, që është ekzistent edhe në shoqërinë tonë. Një proces që njerëzit i bën në të njëjtën kohë të jenë “shkrues” dhe “lexues” të lajmeve dhe informacioneve që prodhojnë “fabrikat” e politikës, jetës sociale, shpifjeve dhe thashethemeve banale.

Një nga gjërat pozitive është padyshim karakteri demokratik e masiv i kanaleve të komunikimit social e lidhjeve interpersonale, që padyshim në shoqërinë tonë ka sjellë një realitet të ri, përmasa të gjëra të demokratizimit të skajshëm të komunikimit. Janë të shumtë komponentët e interferuar e të integruar që ka sjellë interneti dhe rrjetet sociale. Por, personalisht gjykoj se mbi të gjitha tashmë është krijuar një dukuri e re, me përmasa të plota sociale, që ka sjellë krijimin e një lloj barazie informative dhe strukturën sociale të “publikut egalitar”.

Dukuri që është më e fortë në dukje se sa në thelbin e vet, duke krijuar dikotominë midis të vërtetës dhe iluzionit të krijimit të një shoqërie që përjeton “informacion të demokratizuar”, në të cilën njerëzit kanë mundësi të barabarta në lidhjen, komunikimin, përdorimin e personalizuar të informacionit. Është e vërtetë që sot në Shqipëri kemi një realitet të ri komunikativ, në të cilin ekziston një “hapësirë virtuale e barabartë”, ku nxënësi e studenti, qytetari metropolitan dhe banori rural, intelektuali dhe i papuni, pensionistët dhe të rinjtë, burrat dhe gratë janë me të drejta të barabarta në këtë konsum të informacionit elektronik të demokratizuar dhe të “egalitarizuar”. Qoftë politik, kulturor, global, rajonal apo nacional, i vërtetë apo i gënjeshtërt.

Një rrjet që tashmë në shoqërinë shqiptare, është një realitet socio-komunikativ që ka prekur të gjithë sferat e jetës duke përfshirë politikën, ekonominë, arsimin, shkencën, kulturën, shëndetësinë, ushtrinë etj. Në pikëpamje sociale, kjo teknologji ka sjellë pasoja në strukturën e lidhjeve sociale, tipologjinë e marrëdhënieve të shoqërizimit human. Sepse, njerëzit janë sot më shumë të lidhur, presin më shumë impakt nga teknologjia, potenca e saj komunikative virtuale, se sa nga lidhjet reale e të personalizuara me njëri tjetrin. Sociologët mendojnë se diskutimet për raportet e njeriut dhe shoqërisë, me internetin dhe komunikimin dixhital, duhen vlerësuar në mënyrë sintetike, sepse ndikimet e tij janë gjithëpërfshirëse dhe ndikojnë në ndryshimin e strukturës së jetës dhe cilësinë e demokracisë.

Mbi të gjithë, ky realitet dixhital dhe elektronik po ndryshon aftësinë e njerëzve individualisht, kapacitetet e tyre për të bërë një bisedë të vërtetë, për të pasur marrëdhënie të sinqerta me njëri-tjetrin. Padyshim “egalitalizmi informativ” është një dukuri e postmodernitetit, tërësisht e lidhur me teknologjinë dixhitale dhe fuqinë rrafshuese të rrjeteve sociale. Kjo ka bërë, që në jetën e sotme është e vështirë të shikosh se cilat janë problemet e tua, në kushtet kur edhe të tjerët shfaqin në rrjetet sociale të njëjtat probleme.

Sepse në të vërtetë ndërsa në dukje është krijuar përshtypja se marrëdhëniet midis njerëzve nëpërmjet lidhjeve virtuale duket sikur po forcohen, në fakt është e padiskutueshme që lidhjet e vërteta empirike e sociale midis njerëzve janë duke u “copëtuar”. Madje, deri në nivele të skajshme të shfaqjes në mënyrë masive të “njeriut mbi individualist”, asocial, të vetmuar, i bindur për të qenë i vetëmjaftueshëm në raportet dhe lidhjet e personalizuara. Realisht dhe virtualisht.

Ne nuk kemi statistika sesa është përqindja e popullsisë shqiptare që ka lidhje me internetin, apo se sa herë në ditë, javë e muaj njerëzit tanë përdorin Facebook-un. Por me siguri që është në rritje masa sociale e njerëzve që kanë mundur, përmes telefonave celularë (smartfonëve) të kenë akses të zgjeruar në internet. Kjo ka krijuar një gjendje, për të cilën kohë më parë Eric Shmid, ish-shef (CEO) i Google-it, theksoi se “interneti është gjëja e parë që njerëzimi ka ndërtuar dhe që nuk arrin të kuptojë si funksionon, eksperimenti më i madh anarkik që kemi bërë ndonjëherë”.

Zhvillimi teknologjisë, përdorimi zgjeruar i rrjeteve sociale, celularëve inteligjentë në mënyrë kaq të zgjeruar, me intensitet në rritje, është një nga treguesit sintetikë të faktit që shoqëria jonë është përfshirë integralisht nga sfidat, shqetësimet, dukuritë më komplekse të jetës postmoderne, të lidhur dhe interferuar me teknologjinë dixhitale. Ndërkaq, për shkak të niveleve të ndryshme të arsimimit dhe kualifikimit, struktura sociale e “publikut informativisht egalitar” nuk është e barabartë. Sepse raporti i qytetarëve për shkak të shumë faktorëve materialë e kulturorë, konceptualisht dhe materialisht nuk është i njëjtë me këto zhvillime të informacionit, rrjetëzimit dhe mediatizimit.

Kjo situatë sociologjikisht kaotike e bën imperative nevojën e shpjegimit dhe konceptimit të drejtë të lidhjeve të njeriut me teknologjinë, internetin dhe rrjetet sociale, duke evidentuar anën pozitive, si faktor me rëndësi në përshpejtimin e lidhjeve dhe komunikimit social, por dhe si shkaktar për shfaqjen e shumë negacioneve, patologjive me dimension të gjerë social.

Problemet e raporteve të shoqërisë dhe individit me internetin dhe rrjetet sociale mbeten në qendër të vëmendjes së jetës së shoqërisë. Të gjithë sociologët dhe psikologët kanë arritur në një përfundim që kjo situatë duhet vlerësuar seriozisht, sepse “rrjetet sociale janë ndër problematikat tona më të mëdha”, sepse ka sjellë shumë probleme dhe shqetësime sociale. Madje, deri në nivelin e rrezikut social, që në lidhjet dhe marrëdhëniet tona jo vetëm të “mos i zëmë besë njëri-tjetrit”, por edhe të kemi vështirësi për të “punuar bashkë” me njëri-tjetrin. Interneti ka sjellë ndryshime konceptuale në shoqërinë shqiptare dhe jetën e përditshme komunikative të njeriut, i cili ka filluar ta kuptojë, ndjejë dhe realizojë ndryshe “rolin”, jo vetëm këtu në vendin tonë, por edhe si “lojtar universal” dhe aktor pjesëmarrës në këtë dramë të madhe të historisë globale. Shumica absolute e shqiptare e kanë kuptuar dhe janë ndërgjegjësuar me faktin, se sasia e ngjarjeve dhe densiteti i pandërprerë i informacioneve, kanë krijuar një raport të ri me kohën, shoqërinë dhe perceptimet vetjake.

Sepse, jetojmë në kohëra të reja, kur “nga të gjitha ndryshimet e shpejta në jetën moderne, asgjë nuk krahasohet me evolucionin e shpejtë në teknologji dhe mënyrën se si e përdorim atë për ta argëtuar veten, për të komunikuar dhe për të influencuar të tjerët – dhe mënyrën se si na ndikojnë të tjerët përmes asaj që na vjen përmes televizioneve tona, kompjuterëve, ekraneve të smartfonëve dhe mediave të tjera” (Eliot Aronson, Joshua Aronson, “Kafsha sociale” f. 139),

Padyshim, teknologjia e informacionit u ka dhënë një formë të caktuar postmoderne zhvillimeve në qytetërimin tonë, sepse ajo është bërë tashmë “frymë e kohës” ose akoma më qartë, “filozofi kolektive e jetës”, në kuptimin që ka përfshirë të gjitha strukturat e jetës intime, private, kulturore, kolektive e globale. Sikurse shkruan Margartet Archer, jetojmë në një “shoqëri informative”, e cila po sjell rikonceptualizimin e çështjes, se çfarë do të thotë të jesh njeri në këtë kohë, në kushtet kur e gjithë kultura i nënshtrohet teknologjisë informative, kurse racionaliteti instrumental bëhet bazik, dhe për pasojë mbizotëron “imperializmi i arsyes instrumentale”, që është tipik për sjelljen e njeriut postmodern që jeton intensivisht në mënyrë të pashmangshme, madje të detyruar në konturet determinante të “shoqërisë së informacionit, rrjetëzimit … dhe komunikimit të përshpejtuar”.

Në këtë kontekst duhen parë të dyja anët e ndikimit të ndikimit kontradiktor të internetit dhe komunikimit virtual, i cili paradoksalisht sjell pasoja, që në dukje janë me ndikime të kundërta te publiku i gjerë. Kjo gjendje sociale, raportet e reja të njeriut me teknologjinë e informacionit ka sjellë disa të mira, që jo vetëm duken, por kemi filluar t’i “shijojmë”, sikurse janë humbja e kontrollit dhe censurës së informacionit, mundësitë e leximit dhe komunikimit të lirë midis njerëzve. Komunikimi përmes kanaleve mediatike apo rrjetit dixhital, ka mundësi që nëpërmjet transmetimit të një informacioni të gjerë, në përmasa të mëdha në të njëjtën kohë të sjell një proces social që shfaqet në formën e “unifikimit” të opinionit publik për çështje të caktuara që shqetësojnë qytetarin, politikën apo shoqërinë shqiptare.

Nga ana tjetër, është plotësisht e besueshme, shfaqja e zgjeruar e një lloj ndikimi social “fragmentues” i strukturës së opinionit, për shkak të larmisë virtuale të këndshikimit të fakteve ngjarjeve apo interpretimit të diversifikuar të tyre, si rezultat i larmisë dhe peshës sociale të hermeneutikës mediatike apo optikës individuale me të cilin vështrohet informacioni që përcillet.

Të gjitha këto realitete të interferuara midis shoqërisë, individit dhe teknologjisë duhen parë me një “optikë” të re, sepse sikurse mendojnë sociologët jetojmë në kohën kur, “Shoqërinë informative e lëvizin informacionet, jo vlerat materiale. Zhvillimi kuptohet përtej rritjes materiale, sepse kërkon ndryshim qëndrimesh, përshtatje kulturore, një arsimim të ri të fuqisë punëtore dhe një strukturë të ndryshuar politike. Me fjalë të tjera, kujdesi për cilësinë e jetës zëvendëson prirjen e njëanshme për qëllime ekonomike”.