Poezi nga: Robinson Jeffers
Përktheu: Fadil Bajraj

Derisa kjo Amerikë të ngulet në baltën e vulgaritetit të vet, me zahmet ndërlikohet për
t’u bërë perandori sunduese,
Dhe proteston, sall një gurgullim në masën e shkrirë, hidhet dhe psherëtin, e masat
fortësohen,

Unë trishtueshëm kujtoj duke buzëqeshur se lulja fishket për të dhënë frutin,
e fruti kalbet për t’u shndërruar në dhe.
Jashtë amës; dhe nëpër ngazëllimin pranveror, pjekurinë dhe dekadencën; dhe vatër
për nënë.

Ti që pangeshëm ngutesh drejt kalbëzimit: s’ia vlen të fajësohet; jeta është e mirë, qoftë
kryeneçësisht e gjatë apo pa shkëlqim
Të beft mortor: meteorët nuk nevojiten më pak se bjeshkët: shkëlqe, republikë
që po vdes.

Megjithatë përsa u përket fëmijëve të mi, do t’i mbaj tamam larg qendrës që po
dendësohet; korrupsioni
Kurrë s’ka qenë i detyrueshëm, derisa qytetet shtrihen barkas para përbindshit atëherë na
mbesin bjeshkët.

Dhe djema, në asgjë mos jeni të përkorë si në dashurinë ndaj njeriut, shërbyesit urtak,
mjeshtrit të urryer.
Ngase ajo është kurthë që zë shpirtrat më të fisshëm, që e ka zënë – thonë – Zotin, kur ka
ecur në tokë.