Gazmend Krasniqi

Çfarë mund të quhet kohë pas kohe eksperiment, në të vërtetë nuk është asgjë më shumë se një përpjekje komplekse, progresive, për të mënjanuar pashkathtësinë teknike. Më shumë se eksperiment, është përmirësim.

Ky qe perceptimi i parë i leximit të këtij teksti.

Italia njihet si vendi i poezisë, prandaj nuk e di se në cilat raporte hyn ky përmirësim. Pra, nuk e di se çfarë ndodh me prozën që shkruhet sot në Itali, e cila përcillet në përkthimet tona shumë pak, për të mos thënë aspak.

Veçse mund të kujtohem për Shkllovskin, që thotë: Arti nuk ka pushuar kurrë së ekzistuari. Gjithmonë mohon vetveten, duke ndërruar mënyrat e shprehjes. Jo me qëllimin për të ndryshuar formën, por për të gjetur shprehjen e saktë në njëmendësinë e re.

Për këtë të dytën nuk ka nevojë për referenca. Arti nuk njeh kufij.Kur në disa shënime interneti pashë se për këtë tekst qe përdorur termi (anti) roman, nuk më pëlqeu si fakt, por duhet t’i bindem asaj parashtese, pasi nuk e di se çfarë kuptimi ka në diskursin e kulturës së sotme italiane.

Nëse mund ta vazhdoj argumentin jashtë atij diskursi, më vjen ndër mend pyetja: Çfarë kemi në këtë roman, ku procedohet me teknikat e sotme të narrativës?

Siç do të thoshte Mario Vargas Llosa, problemi i parë i shkrimtarit ka qenë të gjejë se kush do të flasë (siç e kishte ngritur pyetjen Henry James-i që në fund të shekullit XIX), sepse, për më tepër,në postmodernizëm “e vërteta” e plotë e “realitetit” është se ai është një produkt i gjuhës. Si rezultat të këtij shqetësimi, në tekst gjejmë formulimin: Detyra e rrëfimtarit, kryesisht e atij që i ka shkruar këto faqe është pikërisht kjo gjë: të mbledhë dëshmi, t’i përpunojë, t’i shndërrojë në një realitet të epërm, që është pronë e Qenies. Ky citim na bind se jemi në sferën e postmodernes.

Çfarë kushtesh plotëson ky tekst për të quajtur postmodernist?

Si rrjedhim i asaj që përmendëm më lart, nuk habitemi nëse themi se ky (anti) roman nuk ka kufij tematikë. Ai eksploron vijën ndarëse ndërmjet “realitetit” dhe “fiksionit”, si dhe ndërmjet “realitetit” dhe të “vërtetës”. Ai tërheq vëmendjen se “realiteti’ njerëzor është si fiksion (sepse i tërë realiteti njerëzor është gjuhësor), si dhe se gjërat nuk duhet të jenë “reale” për të qenë “të vërteta”. Teksti është një shembull i mirë i diçkaje “jo reale”, por që përmban “të vërtetën”.

 Si rrjedhim, ky (anti) roman nuk shihet si afirmues vlerash fikse, pasi e gjithë “e vërteta” është relative, në varësi të vlerave kulturore. Edhe morali, gjithashtu. Siç bën zakonisht çdo tekst postmodernist, ky (anti) roman përpiqet të tregojë se sa iluzion i rrezikshëm është thelbi, prandaj përqendrimi i tij është gjithmonë tek identiteti – si formësohet, ndërtohet, realizohet, ndryshohet dhe mirëmbahet.

 Gjithçka fokalizohet përmes një mikroskopi. Loja me kohën bie menjëherë në sy: mësohemi që të mos e kërkojmë linearen.

Para së gjithash, siç cituam më lart, ky (anti) roman përmban metafiksion, i cili është barabartë me veçoritë vetëreflektuese të shkrimit të prozës që i kujtojnë lexuesit se po lexon një shkrim fiksional. Ai i kërkon lexuesit të mendojë se si janë ndërtuar letërsia dhe njëanshmëria në të tilla konstruksione. Për shembull, si ndërtohet një histori nëse do të tregohej nga pikëpamja e një personazhi tjetër.

Teoricienët flasin për rrëfim vetë-reflektivkur narratorët që ngrenë diskutime për faktin se po tregojnë një histori, shprehin ngurrim për mënyrën se si ta bëjnë këtë, apo madje dorëzohen para faktit se si do të dalë tregimi. Ky rrëfim i vetë-reflektimit vë në dukje problemin e autoritetit narrativ. Si rrjedhim, në këtë (anti) roman ne shohim luhajtshmërinë e tij, pasi ai nuk paraqet një fund të qartë: kjo pasqyron idenë postmoderne se historitë/ narrativat që formojnë “realitetin” njerëzor, nuk mbarojnë kurrë. Përqendrimi i teksteve fiksionale postmoderniste është gjithmonë në marrëdhëniet midis njerëzve dhe gjuhës/ narrativës.

Vendi mund të jetë kudo, por, vetëdijshëm, jepet me emër: quhet Kalabri. Një emër që ne shqiptarët e njohim prej De Radës, i cili përfaqëson madhështisht komunitetin arbëresh të atjeshëm. Por është një Kalabri shpirtërore, botë e vrarë nga globalizmi. Njerëzit e saj kanë bërë një kompromis me jetën e tyre. Tani ata jetojnë materialisht më mirë, veçse shpirtërisht më keq.

Por historia nuk është objektive: varet nga ajo se kush e shkruan. Këtë na e thotë vetë narratori: Do të jem thjesht rrëfimtari, ai që di më shumë se gjithë të tjerët, më shumë nga sa mund të merret me mend. Shpesh habitem me fantazinë time, me atë fërfëllimë vdekjeje që rreh brenda meje e që bën të më ziejë gjaku.

(Anti) romani “Kapërcim” është një vend që ofron dhe shpreh larmi të “së vërtetës”; një vend i rezistencës ndaj pikëpamjeve totalizuese/ thelbësore të botës. Është një vend ku mund të eksplorohen ide të reja; ku mund të hapet mendja; ku mund të shprehen gjëra të reja dhe ku njerëzit mund të mësojnë të ndiejnë keqardhje me të tjerët.

Ndoshta, sidomos për këtë./palimpsest.al/