Nga: Xhevat Syla

Rugova ishte i madh edhe kur ishte i vogël. Këtë e kisha si perceptim dhe si përshtypje nga rrëfimet e të afërmve të tij, të arsimtarëve, të shoqeve dhe shokëve të tij të shkollës. Ndaj, gjatë mësimit në të njëjtën shkollë fillore, mbi një decenie pas tij, komplimenti më i madh që ndjeja të më bëhej ishte se, disa arsimtarëve, ndonjëherë, sidomos në rastet kur si nxënës botoja ndonjë shkrim në të përkohshmet e atëhershme letrare, ua kujtoja Ibrahim Rugovën.

Përmendja e tij në këtë kontekst, pothuajse vetvetiu ma bënte atë njeri të dashur dhe të respektuar. Të tillë e pashë dhe e përjetova gjithnjë Ibrahim Rugovën, edhe atëherë kur e takoja, edhe kur e shihja duke ecur qytetit, sidomos kur i lexoja shkrime apo libra. Duke qenë nga i njëjti vend dhe duke mësuar që herët për fatin e tij, e sidomos duke ia lexuar shkrimet, ai më qe bërë model i njeriut-Njeri, model i artistit, i shkrimtarit, i intelektualit, por ndërkohë edhe i politikanit.

Që në rininë e hershme të tij, pas lirikave të kulluara që kishte botuar në periodikun letrar të kohës, ai kishte zënë të “bisedonte” me penat më të njohura të poezisë kombëtare dhe botërore. Me shkrimet e tij në revistën “Fjala”, rëndom në faqen e nëntë të saj, në rubrikën e titulluar “Zenite letrare” ai na shpalosi poezinë e Serembes, Nolit, Migjenit, Lasgushit, por edhe të Tagores, Khajamit, Nerudës, Lorkës, Jeseninin, Bodlerit, Shellit, Preverit; na shpalosi shpirtin e këtyre poetëve të mëdhenj, botën e tyre të brendshme … Bisedoi dhe “u mor vesh” aq mirë e aq lehtë me ta, ngase shpirt i tillë ishte edhe vetë. Edhe i qetë, edhe i rebeluar. Varësisht nga rasti. I qetë e i urtë në sjelljet e tij me njerëzit, por i rebeluar ndaj dukurive të pamira, posaçërisht ndaj atyre që ngulfatnin lirinë e njeriut. Kjo, e dyta, rebelimi, i doli në sipërfaqe në kohën e studimeve, sidomos gjatë punës në redaksinë e gazetës së studentëve të Universitetit të Prishtinës “Bota e re”.

Roli i Rugovës në udhëheqjen e popullit të Kosovës në ditët e tij më të vështira bëri sikur të lihet në plan të dytë ajo që ishte bazë mbi të cilën qëndronte personaliteti i tij – intelektualizmi, puna e përkushtuar në krijimtarinë letrare e sidomos në kritikën letrare, përgjithësisht në studimin e letërsisë. Këtë rrugë ai e nisi që në fëmijëri, si nxënës i shkollës fillore në vendlindjen e tij. E nisi me vjershat e para për fëmijë, por edhe për të rritur, që i botoi në periodikun letrar të kohës, për të vazhduar si normalist në Pejë, e sidomos si student në Prishtinë, në një qark letrar, që me të drejtë nga studiues të letërsisë u emërtua Qarku letrar i Prishtinës, Qarku që sillte risi në artin letrar te ne. Rugova u shqua në fillim me botimin e poezive për të rritur, pastaj me shkrimet brilante në revistën “Fjala” për poetët e shquar kombëtarë dhe botërorë, e sidomos me shkrime kritike dhe studimore letrare. Qysh si student, e sidomos gjatë kohës sa punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Rugova u bë krijues, kritik dhe studiues i respektuar i letërsisë. Recensionet për librat që duhej të botoheshin, e sidomos për ata që botoheshin, kishin një domethënie të madhe për autorët e tyre dhe jo vetëm për ata, meqë merreshin si një garancë për vlera cilësore.

Në një ndenjë të rastit të Rugovës me disa shokë të tij të “Rilindjes”, në Pallatin e shtypit, shkrimtari Musa Ramadani ia pati përkujtuar Rugovës një obligim të shkruante një recension për një libër të tij. Mbaj mend se Rugova, duke iu përgjigjur atij, na tha të gjithëve se nuk merrej më me letërsi, por vetëm me politikë. Ai ishte i vetëdijshëm se rruga dhe roli që kishte marrë nuk ia linin komoditetin të merrej me atë që dëshironte, ndaj e tha troç: tani për tani merrem vetëm me politikë. Atëbotë ai ishte kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, detyrë të cilën e pati marrë pas udhëheqjes së suksesshme të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nga e cila pozitë para opinionit të vendit, por edhe atij ndërkombëtar, pati shpalosur idetë e tij që kishin të bënin me zgjidhjen e fatit të popullit të tij në rrethana tejet të ndërlikuara për shkak të ambicieve rrënuese e pushtuese të politikës serbe. Shpalosja e guximshme dhe e vendosur e atyre ideve dhe mbrojtja e tyre ia hapën rrugën liderit që i vinte popullit të tij, së pari si kryetar i partisë së parë shqiptare në Kosovë, LDK-së, e cila gjatë gjithë viteve ‘90 funksionoi si lëvizje gjithëpopullore shqiptare, e pastaj edhe si president i zgjedhur i Republikës së Kosovës.

Dhe, kush deshi, Zoti apo ai dhe njerëzit rreth tij, që pikërisht ky njeri të na vihej në ballë të luftës për çlirimin tonë, luftës të cilën ai e nisi dhe e zhvilloi me durim e maturi të pashembullt. Ai kërkoi barazinë me të tjerët, duke ua dashur të mirën të vetëve jo më pak as më shumë se të tjerëve, që në kontekstin e zhvillimeve, shpëtimin edhe për të vetët, edhe për të tjerët, e artikuloi në kërkesën e vendosur për pavarësi të Kosovës. Kjo ngeli e vetmja fjalë e tij deri në frymën e fundit. Kjo ngeli e vetmja fjalë që na e la peng të gjithë neve të tijve dhe mbarë botës paqedashëse e demokratike.

Ndaj, shkëputja fizike e Ibrahim Rugovës nga kreu ynë dhe nga jeta jonë, ishte më shumë se shkëputje e njeriut që e patëm në ballë të jetesës dhe të përpjekjeve tona në një pjesë shumë të vështirë të jetës, të rezistencës ndaj dhunës shumëvjeçare serbe dhe të mbijetesës sonë në ato kushte. Ishte shkëputje e njeriut të urtë, i cili me shumë maturi diti t’i bashkojë njerëzit dhe t’u prijë atyre në realizimin e synimeve shekullore – në demokratizimin dhe pavarësimin e vendit. Shkëputja fizike e tij nga ne ishte shkëputje e njeriut i cili diti aq mirë të prezentojë çështjen tonë para botës dhe të sensibilizojë botën demokratike të na përkrahë. Për këtë, në varrimin e tij ishin aq shumë njerëz, si në Pallatin e sporteve “Një Tetori” në Prishtinë, ku u mbajt ceremonia mortore, si në funeralin që mbushi rrugët e qytetit. Për pranimin dhe përqafimin e idesë së tij nga bota demokratike flasin çmimet ndërkombëtare që mori, flet arritja e aq shumë telegrameve ngushëlluese për familjen dhe popullin e Kosovës, si edhe vlerësimet e larta dhe pjesëmarrja e aq shumë burrave shtetërorë në ceremoninë mortore.

Rugova në kujtesën tonë kombëtare ngel edhe si intelektual elitar, kritik dhe studiues i shquar i letërsisë, por edhe si prijs i popullit të vet në një periudhë tejet të rëndë dhe vendimtare për arritjen e lirisë dhe pavarësisë.