Më 10 korrik 1966, rapsodët Salih e Feriz Krasniqi në Langolen të Anglisë, në Festivalin Ndërkombëtar fituan vendin e parë.

Në vitin 1966, prej 4 e deri me 10 korrik, Ansambli “Rugova” ka marrë pjesë në Festivalin e Folklorit Ndërkombëtar në Langolen të Anglisë. Në kuadër të këtij Ansambli që e udhëhiqte Ramë Nikçi ishin edhe rapsodët e mirënjohur të Llapushës, Salih e Feriz Krasniqi.

Nga ky festival, Salihi e Ferizi edhe Ansambli “Rugova” u kthyen me shpërblime të shumta.

Vendi i parë iu takoi rapsodëve Salih e Feriz Krasniqi me këngët: “Lulëzoi fusha, lulëzoi mali”, ”Zuna një kajkë e rashë në det“, ”Gur mbi gur marohet kalaja” dhe u paraqitën me një potpuri vallesh instrumentale me sharki e çifteli.

Etnomuzikologu i njohur kosovar Bahtir Sheholli, pjesëmarrjen e tyre në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit e përshkruan në këtë mënyrë: “Ansambli ‘Rugova’ nën udhëheqjen e Ramë Kapllan Nikçit dhe rapsodët Salih e Feriz Krasniqi, me besnikëri e përkushtim të pashoq e në mënyrën më origjinale u prezantuan para publikut në Angli, ku edhe e zunë vendin e parë. Pra ishin ambasadorë të vlerave të folklorit shqiptar duke mundësuar që bota ta njohë Kosovën dhe shqiptarët”.

Salih Bajram Krasniqi u lind më 1918, në fshatin Drenoc të Krahinës së Llapushës. Qysh si fëmijë filloi t’u bjerë veglave muzikore dhe të këndonte. Këtë frymëzim e mori nga baba Bajram, por e kishte trashëgim nga gjyshi Sadik Laci. Në moshën 6-vjeçare Salihu filloi të këndonte, do të thotë në vitin 1925 dhe këndoi plot 50 vjet. Salih Bajram Krasniqi ka vdekur më 12 gusht të vitit 1987. Feriz Krasniqi përbën figurën e pandarë të dyshes së këtyre rapsodëve. Ai u lind më 1924 në fshatin Drenoc të Llapushës. Ishte i pandashëm nga Salih Krasniqi.

Dueti i rapsodëve Krasniqi ishte bërë i njohur kudo në Kosovë e më gjerë qysh në vitet ’60-a të shekullit të kaluar. Duke marrë pjesë, jo vetëm në dasma e gëzime familjare, por edhe në festivale të ndryshme të këngëtarëve popullorë, Salihu dhe Ferizi u bënë emra të njohur këngëtarësh jo vetëm në Kosovë.

Në vitet ’60-a dhe ’70-a të shekullit të kaluar kur është përhapur shumë dhe ka dominuar kënga e grupeve folklorike, këngëtarët Salih e Feriz Krasniqi kanë qenë në radhën e këngëtarëve më të njohur, por edhe më të preferuar në Kosovës. Publicitetin e tyre e ndihmonte edhe “Radio-Prishtina”, e cila  transmetonte shumë këngë të këtyre këngëtarëve, por pa lënë anash as këngëtarë të tjerë që kishin bërë emër dhe ishin afirmuar