Mes rapsodëve aktual në Dibër të cilët me sukses prezantojnë këngë patriotike edhe në shtetet të tjera janë edhe Mislim Strikçani i cili punon dhe jeton në Itali dhe Selaudin Radoveshi i cili jeton dhe punon në SHBA

Vjollca SADIKU

Dibër, 16 nëntor- Krahina e Dibrës tradicionalisht ka pasur rapsodë të cilët nëpërmjet këngës kanë përshkruar kohën, historinë, patriotizmin dhe veprat e ndryshme kreshnike. Gjatë historisë këngëtarët të epokës shqiptare në mënyrë më të mirë nëpërmjet këngës kanë përshkruar historinë e lavdishme dibrane dhe më gjerë. Rapsodët janë muzikantë të cilët nuk e kanë ushtruar profesionin e tyre në shkollë apo eventet e ngjashme edukative e arsimore dhe zakonisht ata kanë kënduar dhe këndojnë pa pagesë në raste festash. Shpirti i rapsodëve dibran ka karakteristikat që kanë të bëjnë me besën e zanave, orëve të malit të kreshnikëve, burrëria dhe trimëria e tyre kundër armiqve etj. Rapsodët dibran kanë qenë prezent gjatë gjithë historisë. Ata janë prezent edhe sot. Vlerat e tyre kanë efekte jo vetëm në trojet shqiptare por edhe në gjerë. Mes rapsodëve aktual në Dibër të cilët me sukses prezantojnë këngë patriotike edhe në shtetet të tjera janë edhe Mislim Strikçani i cili punon dhe jeton në Itali dhe Selaudin Radoveshi i cili jeton dhe punon në SHBA.

Rapsodi i njohur dibran Mislim Strikçani më se katër dekada me sukses prezanton këngët e vjetra patriotike dibrane. Ai para 20 vite migroi në Itali me familjen e tij si edhe shumë familje të tjera dibrane. Por, çiftelinë e tij e mori me vete dhe në Itali ku përveç punës është një person i cili në mënyrë të suksesshme prezanton folklorin dibran. Mislimin e takuam gjatë realizimit të festivalit “Oda dibrane” që u mbajt këto dit në Dibër. Ai thotë se merr pjesë aktive në festivalet folklorike që mbahen në Itali dhe ku marrin pjesë edhe ansamble shqiptare. Ai shton se deri tani janë prezantuar me këngën dibrane patriotike në shumë qytete të Italisë. “Atje jetojnë shumë shqiptar por edhe italianët e preferojnë muzikën tonë. Në mënyrë të denjë prezantojmë bukurinë e folklorit shqiptar. Vite me radhë jemi mes interpretuesve më atraktiv në festivalet folklorike që mbahen në Itali. Unë si anëtar i denjë i shoqatës kulturo artistike “Liman Kaba” në Dibër shumë vite më parë vazhdova të jem rapsod i cili prezantoj folklorin dhe këngën dibrane edhe në Itali. Kam kënduar dhe i këndoj patriotëve dibran, Elez Isufit, Mahmud Dacit, por edhe luftërave të njohura që bënin dibranët kundër osmanlinjve dhe okupatorëve të tjerë”, thotë Strikçani

Edhe rapsodi të njohur dibran i cili jeton në SHBA,  Selaudin Radoveshi thotë se gjatë mërgimit në Amerikë me vete e ka marrë çiftelinë. “Nëpër dasmat dibrane në Amerikë pjesëmarrës janë ansamble të ndryshme dhe këngëtar të njohur shqiptar. Por dasmat përfundojnë me këngët patriotike të cilat i këndojmë ne si rapsodë”, thotë Radoveshi. Edhe ai mori pjesë në grupin folklorik “rapsodët dibran” në festivalin “Oda dibrane” që u mbajt këto dit në Dibër. “Rapsodët dibran janë të respektuar mes mërgimtarëve dibran në Amerikë. Kënga folklorike dibrane është një këngë kreshnike e cila në mënyrë më të mirë i këndon të kaluarës historike të Dibrës dhe dibranëve”, thotë Radoveshi. Ai shton se prezantimi i këngëve patriotike në migrim ka një vlerë të veçantë meqë ndikon në rruajtjen të kombit sidomos tek gjenerata e re.

Ardhja në vendlindje e rapsodëve Mislim Strikçani dhe Selaudin Radoveshi gjithmonë respektohet nga dibranët .Ata sidomos takohen me rapsodët të tjerë dibran siç janë vëllezërit Lala, Klloboçishta, Lela, dhe realizojnë nga një program me këngë kreshnike dibrane./koha.mk/