Nga: Juli Emiri

Provoje njëherë të zgjohesh nga gjumi i pafundësisë  e të dalësh nga guaska zhgjëndërr ku jeton, se fle prapë.

Provoje njëherë të komandosh gjymtyrët e tu, se ndoshta të binden.

Provoje njëherë të nxjerrësh zërin tënd, se ndoshta të dëgjohet.

Provoje njëherë ta aktivizosh trurin, se ndoshta punon. Ndoshta dhe ti mund të kesh një mendim, ose akoma më mirë, arsyetim. Ndoshta dhe ti mund të bësh diçka. Ndoshta ti nuk ke ardhur thjesht për të vegjetuar në këtë jetë. Ku i dihet? Ndoshta ti nuk je vetëm, por je hallkë e një sistemi të tërë, që ndoshta ka ndaluar së funksionuari pikërisht se ti po rri e po fle.

Provoje njëherë të shfaqesh e jo të fshihesh.

Provoje njëherë të shohësh tablonë e plotë, se ndoshta gjen vendin tënd.

Provoje njëherë ndryshe, sikur dhe ashtu, sa për të thyer monotoninë.

Provoje njëherë të mos kesh nevojë të gënjesh, por të ndihesh i lirë të thuash të vërtetën.

Provoje njëherë të mos të të duhet të mashtrosh a të lutesh a të paguash një diplomë, por të ndiesh pushtetin tënd të papërshkrueshëm kur e ke fituar me forcat e tua e nuk ia ke borxh askujt.

Provoje njëherë të fitosh një vend pune pa u futur në ndonjë parti politike e të ndihesh zot i lirisë tënde, e jo të kesh frikë të hapësh gojë se të pushojnë nga puna.

Provoje njëherë mos t’ia kthesh buzëqeshje një të pushtetshmi, nëse s’të vjen.

Provoje njëherë të mos rrish në mes, o qyqar.

Provoje njëherë të veprosh pa llogaritur humbjet që mund të kesh (në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh si në kumar, në një të vetme lojë).

Provoje njëherë të çlirohesh nga frikërat, e atëherë pushtetin e frikës ta marrë liria.

Provoje njëherë të dashurosh lirisht vendin tënd: të dashurosh gjeografinë e vendit tënd, malet, liqenet, ujëvarat, fushat, lumenjtë, detet-I ka të gjitha mrekullitë ky vend – pa menduar se sa do pasuroheshe po të ndërtoje një hotel aty, pa menduar për veten a për të ardhmen, thjesht i lirë aty, në atë moment …

Të dashurosh njerëzit e tu lirisht pa u burgosur nga filozofia jote ekzistencialiste “ku po ma fut/ku do me dalë/u bo ky”, thjesht i lirë aty, në atë moment …

Provo njëherë ta vësh veten në dyshim kur të dëgjosh aksiomën “çdo shtet ka qeverisjen që meriton”.

Ti e ke në dorë qeverisjen tënde. Askush tjetër.

Provo të bëhesh I vetëdijshëm për forcën tënde.

Provo mos ta shesësh votën – liria më e madhe e njeriut.

Provo t’i biesh malit me grushtin e Migjenit.

Provo njëherë të marrësh në dorë fatin tënd! Provoje se ke lindur i lirë o shqiptar! Nuk ia ke borxh askujt jetën. Gjithë jetën të pushtuan e zaptuan e e të bënë të harrosh se je i lirë. U përpoq Skënderbeu, Qemali, Noli … por prapë ti re se ti ishe mësuar me dhunën, madje kishe nisur ta doje…aq sa dhe kur more pavarësinë shumë shpejt re në diktaturë.

Por, ka ardhur koha të provosh demokracinë o shqiptar.

Provoje!

Provo të krenohesh me vendin tënd, qoftë edhe sa për të ngopur egon që aq shumë të karakterizon.

Provoje njëherë të njohësh e të duash Shqipërinë para vendeve të huaja o levantin i Konicës.

Provoje njëherë ta ndërtosh Shqipërinë para se ta shkatërrosh.

Provo ta ruash, para se ta ndërtosh.

Provo njëherë të kontribuosh para se ta  braktisësh.

Po ta marrin o shqiptar. Po të marrin atë që të takon. Dikur ta morën me dhunë, sot po e jep vetë. Po të zhbëjnë vendin tënd, po të zhbëjnë historinë tënde, po të zhbëjnë emrin tënd. A e kupton ç’do të thotë kjo? Pas pak kohësh askush nuk do e dijë më kush je, nuk do e dijë që je ndër qytetërimet më të lashta, që Berati ka qenë qytet para Londrës, që Apollonia është në Shqipëri, që Skënderbeu është shqiptar … askush nuk do i dijë sepse do jenë falur ose fshirë nga faqja e dheut.

Mos i lër të të fshijnë emrin o shqiptar!

Provo ta ruash dinjitetin tënd, të luftosh për emrin tënd.

Provo të luftosh para se të dorëzohesh!

Provoje se ndoshta fiton.

Provoje njëherë të jesh i lirë o shqiptar.

Provoje se nuk ke ç’humb

Provoje se ke prekur fundin.

Apo nuk e di? Nuk e di që ke prekur fundin? Ç’duhet të ndodhë akoma? Ç’duhet të ndodhë akoma që të kuptosh? Ç’duhet të durosh akoma? Nuk ke pse duron o shqiptar, a din? Nëse shfaqja s’të pëlqen, çohu nga karrigia, mjaft ndejte spektator. Ata po e luajnë tragjedinë e lirisë mu para syve të tu. Ata janë zjarrvënësit që të kërkojnë shkrepëse, e ti Bidermani po ia jep. Çohu nga karrigia spektator! Çohu para se të luhet akti i fundit.

Apo duhet pritur ndonjë tërmet tjetër deus ex machina që të rrafshojë gjithçka si tërmeti I De Radës?

Do e provosh njëherë të jesh I lirë o shqiptar?

Një herë

Provoje se … mundesh.