Meta vlerëson lart punën e aktorit.

Mëngjesin e sotëm është shuar një nga emrat më të mëdhenj të kinematografisë shqiptare.

Bëhet fjalë për aktorin Guljelm Radoja, i cili ka ndërruar jetë në moshën 75 vjeçare, pasi ishte i infektuar me COVID-19.

Aktori ndërroi jetë në spitalin e Tiranës, duke lënë boshllëk të madh e shumë vepra nga krijimtaria e tij artistike.

Lajmin për vdekjen e tij e pranoi me pikëllim edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili u dërgoi telegram ngushëllimi familjes së tij.

Meta vlerësoi lart krijimtarinë e Radojës, duke thënë se me veprën e tij ka lënë gjurmë të përhershme në trashëgiminë tonë artistike.

Madje, Presidenti vlerëson se kinematografia shqiptare sot humb “Petro Nini Luarasin” e saj.

KY ËSHTË POSTIMI I PLOTË I METËS, PA NDËRHYRJE:

“Me pikëllim të thellë mora lajmin trishtues për ndarjen nga jeta të një prej ikonave të kinematografisë dhe skenës shqiptare, artistit të madh Guljelm Radoja, i cili me veprën e Tij la gjurmë të përhershme në trashëgiminë tonë artistike, kulturën kombëtare dhe kujtesën shpirtërore të shqiptarëve.
Falë interpretimit virtuoz, talentit dhe mjeshtërisë së rrallë artistike, Guljelm Radoja u dha përjetësinë personazheve të tij, duke e lartësuar dhe e përfaqësuar denjësisht artin shqiptar, aq sa me të drejtë mund të thuhet se kinematografia shqiptare humbi sot “Petro Nini Luarasin” e saj, që aq mjeshtërisht ai e solli në filmin “Kush vdes në këmbë”. Ashtu sikundër do të jenë të paharruara për të gjithë ne edhe dhjetëra personazhet e interpretuara prej Tij për shumë dekada.
Ngushëllimet më të ndjera për familjen Radoja dhe komunitetin e dashur të artistëve për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme.
Lamtumirë miku ynë i dashur!