Nga Libri Lufta e Sarajevës,1993

1.DUKE ËNDËRRUAR TRI VEZË TË FËRGUARA

Në fillim të pranverës

unë isha —

kur Sarajeva ende komunikonte përmes postës

me gjithë botën —

informuar nga poeti dhe përkthyesi Juan Octavio Prenz,

dhe botuesi i tij  Omar Lara, gjithashtu poet,

se libri im në spanjisht

do të botohej në Kili.

Dhe nëse

disa prej lexuesve kilianë edhe mund të pyesin për autorin:

A mund të dime diçka rreth tij?

Çfarë është bërë me të?

Ai është i ulur në një vendstrehim,

duke mbledhur dru,

duke ndezur zjarrin në ballkon,

duke nisur ditarin e luftës

e duke ëndërruar tri vezë të fërguara.

2.LUFTËRAT NË JETËN TONË

Marko Bašić ka arritur kulmin

me dy luftëra në Ballkan dhe dy Botërore.

Kjo është lufta e tij e pestë.

Për mua dhe gjeneratën time – kjo është lufta e dytë.

Edhe për Vladimirin,

18 muajsh,

në këtë moment dikush mund të thotë

se gjysmën e jetës

e kaloi në luftë.

 3.ISH-JUGOSLLAVË

Për Mustafa Cengicnek

Ne jemi

ish Jugosllavë

subjekt për zhdukje

nga një tendosje e ish

Ushtrisë jugosllave.

4.TA MBIJETOSH TË GJITHË KËTË

Për Zija Kafedžić

Ta mbijetosh të gjithë këtë—

përveç këtyre vargjeve

dymbëdhjetë, pesëmbëdhjetë njerëz më kanë ndihmuar mua,

njerëzit e zakonshëm,

shenjtorët e Sarajevës,

që para luftës unë gati nuk i njihja.

Shteti gjithashtu tregoi një lloj kuptimi

në mjerimin tim,

por sa here që i trokisja në derë,

Nuk ishte i gatshëm të më priste—

ishte ose në Gjenevë

ose në New York.

5.NË MUZG

Në fushën e futbollit

një djalë

luan akorde me kitarën e tij;

lart

nga Poljina fluturon një granatë.

A mundej të bëhej ai Bulat Okudžava* i Sarajevës ?

Djalosh i dashur,

tani mendo vetëm se si të mbetesh gjallë.

Arti,

i cili për mua një herë ishte gjithçkaja,

arti është,

besomë mua,

absolutisht i parëndësishëm.