Nga Luan Rama

Dervishi, përballë saj… Në heshtjen e dhomës dhe meditimin e gjatë. Një dialog nën zë, ndërkohë që ajo shkruan vargje. Poetja dhe dervishi. Dervishi otoman, zbarkuar në Paris nga miku i saj, piktori Omer Kaleshi. Dervishi që e ka lënë teqenë e tij, që është larguar nga vallja e tij rrotulluese nën një muzikë “ney” dhe ka ndalur aty në dhomën e saj, një ditë të vitit 2012, ku qëndron ditë e natë brënda një kornize, duke e parë atë me sytë e tij të mbyllur. «Edhe pse symbyllur, dervishi shikon» – thotë piktori. Magjia e mistikës. Dervishi ka fatin ta shohë poeten dhe në çastet e saj intime, dhe atëherë kur ajo zhvishet, flë, zgjohet, me këmishën e saj të hollë me hiret e saj lakuriq dhe atë trup të hollë si nudot e hershme të vetë piktorit, atëherë kur ishte student, «nudo mjalti» siç i quan ajo, krijuar në vitin 1962.

E kisha fotografuar atë dervish në atelierin e piktorit, kur ai e kishte zbritur atë nga kavaleti i tij i vjetër dhe e kishte vendosur në kornizë. Pastaj një ditë, dervishi, kishte shkuar të gjente një strehë tjetër, më të gëzuar e femërore, një strehë të përhershme, dhomën e poetes që e shikonte me aq kërshëri, poetes që i kishte kënduar aq shumë:

«… dervishi ballë shtratit tim
nuk është në të zeza
veshur me të bardha është
gati të vijë rrotull
por ai nuk rrotullohet
është gati për ekstazën e tij
ai qëndron i qetë dhe i paqtë aty
duke pritur ceremoninë…”

Gjithçka kishte një shije dashurie, apo diçka më shumë: sublimja e ngjyrës, figurës dhe fjalës, e poezisë me pikturën, për çka aq shumë kishte shkruar dhe i madhi Leonardo Da Vinci. Atje në atelierin e tij krijohej mrekullia. A nuk ka shkruar ajo për tablotë e tij se:

«Mrekullia mbahet veç në një fill
ku ti var
nga një breg në tjetrin
peshq dhe koka
virgjëresha dhe barinj
një lot alkimik…»

Ja ku kam ardhur tashmë në sallonin e mikes time Laure Cambau. Dervishi nuk është vetëm. Jemi tre. Ai rri i heshtur dhe dëgjon fjalët tona për atin e tij, krijuesin e tij, Omer Kaleshin.

Kur Laure u njoh me Kaleshin dhjetë vjet më parë, kur kisha organizuar ekspozitën e madhe të tij në hollet e bashkisë së Parisit XIII, ky piktor e habiti me kokat e shumta të tij: Omeri i kokave. Vallë përsëri një poemë homerike në  kohët moderne? Shpejt poetja e adhuroi dhe krijuesin e kokave. Ngjiste shkallët e shumta të katit të shtatë atje në bulevardin Arago. Shkonte të shikonte kokat e reja, barinj e dervishë, vajza që shisnin fruta, çobanë të rinj, personazhe të dramës së fundit ballkanike, fëmijë, fytyra ballkanasish të vjetër e të rinj. Atje, në atelier, ajo shijonte dhe rakinë e tij, dhe heshtjen e tij, pasi Omeri flet pak, ose aspak… një “heshtje memece”, siç e cilësonte miku i tij, filozofi Jacques Lacarriere, i cili po ashtu i kishte kushtuar shumë poezi kokave të tij. Dhe kështu, poetja zbriste pastaj ato shkallë “qiellore” për të shkuar në shtëpinë e saj apo në kafene, për të shkruar vargjet e saj. Kokat e Omerit rijetonin kësaj rradhe brenda vargjeve:

Një podium kokash
të vendosura e të futura bashkë
një kokë e madhe mbi dy koka
dy koka të vogla mbi një të madhe
pesëmbëdhjetë koka kokëforta
që bëjnë veç me kokë të tyre
e nganjëherë të bijen mbi kokë!...”

Dhe kështu, njëra pas tjetrës ajo krijoi nëntëmbëdhjetë poezi. Atëherë po përgatisja një libër me titull “Fjala e Omerikëve”, duke përmbledhur poezitë e poetëve të ndryshëm, miq të piktorit, si poetë francezë, shqiptarë, turq, maqedonas. Aty u vendosën edhe poezitë e Laure-s: një poezi, një tabllo. Pas botimit të këtij libri në frëngjisht, shqip dhe maqedonisht, Laure Cambau do të vazhdonte udhëtimin e saj poetik nga atelieri i piktorit në sallonin e saj në Rue Damesme. Poezitë shtoheshin dhe kur takoheshim, unë shpesh e pyesja nëse kishte ende ndonjë poezi të re për mikun e saj. Dhe ajo m’i dërgonte për të shuar kureshtjen time:

 “Kam ëndërruar se më pikturoje
dhe unë kisha frikë në të bardhën e telajos…”

Këto poezi u botuan në librin poetik të saj Letra vagabondit qiellor (Lettres au Voyou céleste), të shtëpisë botuese Editions de l’Amandier, një vëllim i ndarë në dy blloqe poetikë, ku blloku i dytë E bardha pa të bardhë (Blanc sans blanc)  i kushtohej Omerit dhe tablove të tij. Dhjetra poezi kushtuar Omer Kaleshit. Por përsëri, kjo aventurë poetike, nga atelieri i bulevardit Arago, në Vavin, Denfert Rochereau apo në Buttes aux Cailles, etj,  e pastaj do të vazhdonte në mbrëmjet e vona në Rue Damesme. Kështu u krijuan poezitë e tjera si Sytë e triptikutMbi sytë e miTabloja e të katërve, Përse dy data – palimpsest, etj. E kuqe me të kuqe, e zezë pa të zezë… një paletë ngjyrash poetike ngjizur në vargje, si në një pjatancë frutash të Chardin. Piktori gjithnjë e befasonte atë me krijimet e reja të tij, por dhe poetja e befasonte piktorin me vargun e saj. Dhe ishte ai tani që më përcillte poezinë e saj më të fundit, një poezi pas tjetrës: «Merre, lexoje… bukur!»… Dhe kështu lindi idea e këtij libri poetik, ku çdo poezi do të vendosej përkrah tablosë që e kishte frymëzuar atë, përcjellë nga frëngjishtja në shqip, nga njëri cep i urës gjigande në tjetrën, nga Parisi në Tiranë, në sofrën poetike të Rita Petros… Laure shikonte nuancat e së kuqes, humbiste në të kuq si në ujrat e një deti dhe në mëndje i vinte historia e asaj ngjyre pas së cilës ishte kapur aq shumë ai piktor: ngjyra e përzgjedhur e tij që në vitet e Akademisë së Arteve të Bukura në Stamboll:

«Ti bën zjarr me çdo dru
nga druri i spatulës tek druri i kavaletit
nga këto flakë lind qielli i tablove të tua
tabloja që mbushet me gjakun tënd
në kufirin e së kuqes dhe të hapësirës
nga hauri tek therrtorja
fëmija rritet dhe në ditët që zgjohen
kërkon ngjyrën e zjarrit
gjaku thahet në tas dhe në porta
në këmishat dhe në koka
spatula vazhdon udhën e saj…”

Në atelierin e Omerit, çdo detaj kishte për të një domethënie. Shpesh gjendeshim të tre, ulur në minderet otomane, para një rakije që ia sjell piktorit gjithnjë nga Shqipëria. Ajo vështronte atelierin dhe humbiste në detajet dhe imazhet e çuditshme të një jete, të një historie, në atë Ballkan të vockël, të rikrijuar aty, në katin e shtatë, buzë reve, në prag të qiellit dhe gjithësisë, në natën e yjëzuar… Përse ai kolltuk i rëndë prej druri i piktorit bërë nga duart e tij? Përse ajo musandër, ajo tabelë plot manometra elektrikë të një bote të shkuar, ato kukulla dervishësh, etj, përse syreti i gjyshit i varur në mur, figurinat në miniaturë të çobanëve, shportat ku ai imagjinonte të vendoste kokat e tij, ajo këmbë allçie që varej në tavan të atelierit apo ikona e kokës së prerë të Gjon Pagëzorit? Njëmijë “përse” të saj si njëmijë shkallë për tu ngjitur e zbuluar jetën e një njeriu, e një artisti. Dhe kështu, duke kërkuar domethënien e një date, një ngjarje, dhimbje e dashurie, ajo e ktheu këtë histori njerëzore në një poemë të gjatë që s’dihet kur do të mbarojë, pasi piktori është e habitshëm, poetja gjithashtu! Gjithnjë do të ndeshesh me një të papritur.

Laure Cambau është një poete e njohur në rrethet letrare e poetike franceze. Disa çmime ndërkombëtare ndër të cilat dhe çmimet “Poncetton” të SGDL (Shoqatës së të Drejtave Autorëve) për librin e saj Letra vagabondit qiellor më 2010 apo “Simone Laundry”, më 2015, etj, dëshmojnë statusin e kësaj poete në poezinë franceze e frankofone në përgjithësi.

Poezinë ajo e përqafoi që në fëmijërinë dhe adoleshencën e saj, kur shtatë vjeçare shkroi poezitë e para e më pas tekste këngësh, kohë kur luante sonatat e para të Chopin në pianon e vjetër familjare. Ishte biblioteka e madhe e prindërve dhe ajo botë librash që do t’i shpaloste magjinë e leximit dhe të krijimit, dhurata e nënës për ditëlindje me një vëllim të Baudelaire në “Pleiade” të Gallimard. Kështu Baudelaire u bë shpejt i preferuari i saj, ylli polar poetik. Pastaj Verlaine, Rimbaud… Më vonë poetë të tjerë trokitën në dritaret e shpirtit të saj: Max Jacob, Eluard, Lorca… Çuditërisht dhe një poet mistik spanjoll: Jean de la Croix apo vetë figura e shenjtes Thérèse de Lisieux në Normandi. Poetë, mistikë dhe shenjtë… shenjtë të të gjitha feve dhe kombeve. Libri i parë poetik Bulevarde lunatike (Boulevards lunatiques), u botua në Editions Brocéliande, në vitin 1998, ku poezitë e saj ilustroheshin dhe me fotot e botuesit.Ishte padyshim një ngjarje në jetën e saj duke e frymëzuar për të ngjitur më shpejt shtigjet e reja poetike.

Laure Cambau është gjithashtu pianiste. Jo rrallë ajo të fton në koncertet e saj muzikore apo ato koncerte që ka dhënë nëpër Europë, ku poezia gërshetohet me sonatat e pianos, ku luan muzikë me tekstet e Heine, Holderlin, Eluard, Hesse, Lorca…

Ndoshta është dervishi i Omerit ai që e shtyu atë të merrte udhët drejt Shqipërisë dhe t’i ngjitej Malit të Tomorrit, atje ku çdo vit bëhet festa e bektashinjve, atje ku kryegjyshi botëror, Baba Mondi, bën lutjen drejtuar Zotit të tij. Lutje me aromë paqeje, shpirti që nuk vdes, vere dhe dashurie. Në dhomën e saj, Laure ka madje dhe një diplomë të firmosur nga dora e kryegjyshit për shfaqjen e saj në majën e Tomorrit në atë ditë plot diell të festës së madhe midis mijra besimtarëve. Ajo më tregon diplomën dhe qesh me mirësi. Një diplomë ndryshe nga diplomat e tjera që shpërndahen në të katër anët e botës… diplomë mistike, sepse ishin dervishët që e nxitën kështu të shkruante për ta dhe për rrugëtimin e tyre të gjatë, nga Bektash Veliu në shekullin e XIII duke kaluar nëpër tokat dhe poemat e sufistit Jonuz Emré, për të ardhur në Malin e Tomorrit në Shqipërinë e vitit 2014. Legjenda thotë se themeluesi i bektashizmit Haxhi Bektash Veliu, morri një grusht dhé nga varri i Baba Abaz Aliut dhe e vendosi në majën e atij mali, duke krijuar kështu një varr të dytë të shenjtë në malet shqiptare. E megjithatë, duket se jo vetëm dervishi i Omerit e nxitën atë të udhëtonte si të ishte një Aleksandra David Néel, Hester Stanhope, kontesha Gasparin që shkruante për brigjet e thepisura të Jonit shqiptar, Mary Montagy, udhëtare këto të shekullit XIX apo dhe si udhëtaret e kohëve moderne. Ajo më tregon për profesorin e saj të historisë, kur ishte në shkollë në moshën 13 vjeçare dhe kur ai u fliste me entusiazëm për Shqipërinë maoiste dhe utopinë e një vendi që nuk donte t’ia dinte për superfuqitë dhe kjo tashmë e bën të qeshë me të madhe. Pastaj më tregon për shkrimtarin e njohur Robert Escarpit që i ati, mik i tij, gjithnjë kur e takonte e thërriste «Robert l’Albanais» («Roberti shqiptari»), i cili ishte mahnitur nga Shqipëria e «Gjeneralit të ushtrisë së vdekur». Më pas ajo vazhdon të më tregojë për udhëtimin e familjes së saj në jahtin e një miku të afërt, kur sëbashku, nga Brindizi, ata u afroheshin brigjeve shqiptare pranë Shkodrës dhe kur shoqëruesi nxitoi t’i largonte nga ato brigje të heshtura pasi «ushtarët e Republikës së «paepur» mund ta kthenin udhëtimin e tyre në një «udhëtim funebër»… kështu, Shqipëria kishte mbetur një mit që gjithnjë e grishte, madje dhe në ditët kur do të shkonte në festivalin poetik të Strugës, aq pranë Shqipërisë mitike, «planetit të pashkelur» nga pinjollja e «princit të vogël»… Më së fundi, atë gusht të vitit 2014, bashkë me poezitë e dervishëve të saj, ajo shkeli zbathur në tyrben e famshme dhe të shenjtë që ngrihej atje në majë të atij mali si një observator i shenjtë i shpirtrave njerëzore… Atje bashkohej dhe qielli, poezia, piktura e Omerit dhe shpirtra që kishin jetuar në mijra vjet.

Në dhomën e poetes tabloja e dervishit, tabloja dhuratë e piktorit, është gjithnjë aty, përballë shtratit, varur si në një qiell mistik, i pagjumë e vigjëlues, i paqtë e njëherësh si një ashik i heshtur që vështron përtej brigjeve ballkanase:

«… fle dhe vallëzoj
dhe ëndërroj në të bardhë
dhe ballë meje
një dervish më flet
fjalët e tij janë karemë memecë
një qumësht blu që më bën për vete
në një këngë para pemëve
në të djathtë kam një plagë
në të majtë një “flakë të pikturuar»
dhe ballë meje një dervish…

Shtatë pyetje për Laure Cambau

1. – Një autobiografi me disa fjalë.

– Laure Cambau është poete, pianiste, autore përrallash për fëmijë si dhe e teksteve për këngë. Në një ekuilibër të përhershëm midis «morisë së shumtë të tingujve» dhe «realitetit magjik të fjalëve» (D. H. Lawrence) ajo mendon që të konsiderohet e veçantë, origjinale. Cambau ka botuar tetë përmbledhje poetike, ndër të tjera «Vajza e pikturuar në blu», (Caractères/ Ecrits des Forges) në vitin 2015 apo «Lëkura ime ju mbron», (Castor Astral). Eshtë nderuar me çmimin «Poncetton» të SGDL për librin «Letra vagabondit qiellor» (L’Amandier, 2010). Po kështu është vlerësuar me çmimin «Venus Khoury Ghata» çmim special për librin «Pallto e arnuar – një udhëtim drejt frymës» (Unicité, 2018), libër ky i frymezuar në piktakimet e saj spirituale dhe ndërkohore me bektashinjtë.

2. – Si mund t’i përgjigjeshit një vendimi të shpejtë: si e përcaktoni poezinë?

– Do doja ta përcaktoja siç thoshte një bari grek: poezia është një fjalë që për herë të parë shkon të takojë një fjalë tjetër. Do të thotë se këto fjalë janë të pandara, pra të luash me një «realitet magjik fjalësh», me peshq në shpirt, për të gjetur çelësin e heshtjes.

3. – A ka kuptim ndarja e poezisë me prozën?

– Një poet dikur ka shkruar: proza shkruhet nëpër rreshta, poezia shkruhet midis rreshtave.

4. – Po mbi formën (informalen) në kohë krize?

– Forma të frymëzon dhe të siguron njëkohësisht. Do të thotë të «organizosh botën për ta përballuar”, të «harmonizosh dizonancat e brendëshme për të shuar zallahitë» (të paktën të përpiqesh). Supervieille.

5. -Cila është e ardhmja e poezisë?

– Karakteri jokomercial i saj –është plotësisht i panevojshëm, pra i domosdoshëm për poezinë dhe kjo e mbron atë; poezia nuk i nënshtrohet ligjeve të Tregut dhe nuk ndjek rrjedhën e saj. Madje ajo i largohet dhe evenimenteve «Të rejat letrare». Duhet të mos përqëndrohemi vetëm në poezinë tonë,- të mos harrojmë rolin primar të poezisë në shumë vende të botës. Hegjemonia e romanit në Francë është një fenomen disi i ri. Duhen shkruar «poezi ekzorciste» që të dështojnë ngado fuqitë e botës që e luftojnë atë. (H. Michaux)

6– Cili është vendi i prosodisë në përpunimin e poezisë?

– Nuk mund të bëjmë një dallim shumë të saktë ; ajo që ka shumë rëndësi për mua është ritmi, «forca manjetike e poezisë». (Majakovski).

Më ndodh shpesh të «mbledh» elemente nokturne, një lëndë të parë të pacaktuar që pastaj «ta modeloj» për të shkruar poezi.

7. – Cili është vendi i përkthimit në shkrimin poetik?

– Të përkthesh një poezi është një detyrë e pamundur. Si vallë të arrish të “transmetosh”atë hezitim të zgjatur midis zërit dhe kuptimit» që karakterizon poezinë? (P. Valery). Kjo nënkupton pothuaj një rishkrim, të gjesh ritmin me gjuhën tënde, të kërkosh dykuptime të tjera, metafora që “flasin” më shumë… Më pëlqen të përkthej me katër duar, në një dialog dhe kërkime krijuese; ushtrimi i përkthimit më frymëzon dhe shpesh më stimulon në shkrimet e mia: është si të thuash një lojë “Sudoku”.

Natyrë e qetë e Omerit: për të bërë portretin e një fruti

                        Homazh për Jacques Prevert

Për të bërë portretin e një fruti
duhet pikturuar së pari një pemë
një pemë me njëmijë kokë
që duhen këputur ëmbëlsisht
dhe me një dorë zjarri
shpejt
shndroheni në një lule
nëse piktura është e arrirë
nëse qielli është i pastër
nëse era është e qetë
aty do të shfaqen
një ngjyrë pjeshke
një buzëqeshje dardhe
një vështrim i zbehtë i një molle të vyshkur
atëhere ju mundeni që
në të bardhën e tablosë dhe të dialogut me të
mund ta vendosni në një meny gjithçka keni mbledhur
Për të bërë portretin e një fruti
Pikturoni më parë një kokë.

Koka në fund të shportës: është një vajzë apo një frut

Ti pikturon një natyrë të qetë që nuk është e tillë,
natyra e zgjuar nga vajza në krye të mollëve
vajza nëpër mollë
zgjohet në natyrën që nuk është aq e qetë.
Kjo kokë në fund të shportës
është një vajzë apo një frut?
Djaloshi ka rënë në kazan
me shegët e tij
frut dashurie apo frut i pemës
ti nuk e zgjedh
me spatulën tënde ti përzien gjithçka
në kazanin tënd magjik
djalosh shegë vend fëmijëri
vite tokë
vite vaji
dhe djaloshi i kazanit:
është një engjëll apo një frut?
Një engjëll kalon një engjëll ikën
Një engjëllfrut? Diçka prej fruti?

Dhoma e përjetshme

“Ndjej ajrin e planeteve të tjerë”

Stefan George

Ti kërkon një shkallë
dhe të japin një kafaz
ti kërkon një rreze drite
dhe rrëzohesh nëpër katakombe
ti kërkon rrezen dhe jo grackën
zogu nuk kërkon kafazin
as lëkura kremin
as dashuria tingullin
përjetësia pa kulme
suita pa partiturë

Dhoma e rrobaqepësit të kohës

“Mos e kërko hënën
tashmë kemi yjet”
Robaqepës i kohës dhe bredharake e bordurave
tregëtar shkëndijash
djaj të vegjël të barkut
vagabondë porcelani
të paaftë ditën
shkëlqime alegorish kozmike
në valëzime brenda jashtë
brenda linjës së labirinthit
bëni kodin këtu
për të dëshmuar dashurinë
dhe 200 lira
për të gjetur dritën.
Një shkallare apo një llampadar?
Mbaroje kohën tënde siç mbarojmë pjatën tonë
ji i urtë brenda vazos tënde
mbaro
mos e pre jetën katër copash
me flokët dhe qimet e maces së brishtë
mos lë asgjë
jepi fund ditës tënde
e po kështu pemës tënde
bëj një vrimë në boshllëk
dhe rrëshqit me peshqit
sillmë ngjyrën e zjarrit
aromën e të zezës dhe hutimin e rrugëve
më sill ëndrrat që nuk janë shitur
copat e rrugëve, krifat
dhe gjoja nisjet
mbaroje pjatën
më sill hutimet e tua
mungesën dhe moskuptimin e vetëm.