Nga:  Marin Mema

Për shumëkënd Mark Bazaiti është një personazh i padëgjuar, edhe pse fama e tij ka kaluar kufijtë europianë që shekuj më parë. Ai ka jetuar mes gjysmës së dytë të shekullit të XV dhe fillimin e atij të XVI, duke e përqëndruar punën e tij si piktor kryesisht në Venedik, por edhe qytete të tjera të kontinetit. Mësues i tij ishte një tjetër artist venecian i famshëm Alvise Vivarini, përmes të cilit sipas studiuesve ai përthithi stilin e të mëdhenjëve Antonello da Messina dhe Giovanni Bellini.

Punimet e tij të shumta prekën nga bazilika e famshme e Shën Mërisë së Frarit një ndër komplekset më të njohura kishtare në Venecia, deri tek Shën Pjetri i Kalasë në të njëjtin qytet. Shumë nga veprat e tij janë sot të ekspozuara në muzeumet më prestigjioze botërore nga Londra, e Shen Petersburgu në Budapest e deri në Boston , Philadelphia e Washington.

Kritikët e kanë cilësuar Mark Bazaitin me një stil të veçantë e që sipas tyre nuk i qëndron aspak inferior një prej më të famshmëve të periudhës së Rilindjes Italiane, mjeshtrit Bellini . Për më tepër shqiptarit i njihen aftësi më të mëdha në realizimin e portreteve. Edhe pse fillimet i pati jo pak të ngurta me kalimin e kohës dhe eksperiencën ai mundi të kthehet në një ndër më të mirët e kësaj periudhe. Aftësia për të ndërthurur realitetin me ngjyrat e forta, por njëkohësisht të ëmbla e bënë të njohur në stilin e tij. Portretet të realizuara prej tij ruhen edhe në Akademinë e Carrarës, por edhe në Universitetin e Kembrixhit dhe Muzeun e Artit dhe Arkeologjisë në Oksford të Britanisë së madhe. Mjaft vepra janë pjesë e koleksioneve private, të blera me shuma të majme në periudha të ndryshme të historisë.

Mendohet se Mark Bazaiti vinte nga një familje luftëtarësh me pagesë apo stratiotësh siç njiheshin në mesjetë. Ata bënin pjesë në trupat e shumtë të tilla që përdoreshin nga Republika e Venedikut në fronte në ndryshme europiane ku ata kishin zotërimet e tyre. Ka të të dhëna se Bazaiti përveçse ka patur kontakte me figura si Marin Barleti, ka qenë edhe kontribues përmes të hollave në shkollen e shqiptarëve ne Venedik.

Për fat të keq figura e tij në vendin tonë njihet vetëm nga studiuesit, kritikët e artit apo ekspertët e fushës, por vetëm kaq . Janë të shumtë shqiptarët që bënë emër ne Venecian mesjetare siç ishte mes tyre edhe një tjetër piktor i famshëm Vittore Carpaccio apo Viktor Karpaçi. Në të dyja rastet harresa ka mbuluar historinë, e bashkë me të edhe njohjen e tyre. Arti botëror mburret me Bazaitin, Karpaçin e shumë shqiptarë të tjerë, ndërsa ne as nuk i njohim./Blitz.al/