Një qind e pesëdhjetë vjet më parë, më 5 tetor të vitit 1871, në Delvinë lindi Sulejman Delvina – patriot, mësues, politikan dhe veprimtar i çështjes kombëtare.

Mësimet e para i ndoqi në vendlindje dhe më pas studimet e larta në Stamboll. Mbajti disa poste të rëndësishme brenda administratës osmane, deri në vitin 1911, ku kundërshtoi hapur politikën xhonturke dhe politikën ekspansioniste të vendeve fqinje kundrejt territoreve shqiptare.

U zgjodh një nga përfaqësuesit e kolonisë së Stambollit në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Pas Kongresit të Lushnjës u emërua kryeministër i qeverisë, ku u përball me probleme të shumta nga të cilat më të ndjeshmet ishin çështjet e kufijve dhe çështja e Vlorës. Ai dha mbështetje të madhe si dhe firmosi protokollin italo-shqiptar për zbrazjen e Vlorës dhe rrethinave të saj nga italianët.

Delvina mbështeti Lëvizjen e Qershorit dhe u caktua në krye të Ministrisë së Jashtme në Qeverinë Noli. Pas dështimit të Lëvizjes, largohet nga vendi për t’u rikthyer më 1928. U nda nga jeta më 1 gusht 1933, në Vlorë.