Nga: Fadil Sahiti

Nuk jam filozof, në kuptimin se kam edukim apo formim të strukturuar filozofik. Filozofinë dhe letërsinë e konsideroj vokacion të lirisë. Kam kuptuar se edhe njëra edhe tjetra ndihmojnë shumë për të formuar një botëkuptim më intelektual mbi jetën. Shpesh e kam afishuar simpatinë time për filozofët e vjetër, të tillë si Sokrati dhe Platoni, ose filozofët e erës sonë, Machiavelli, Hobbes, Hegel, Marx, apo të epokës sonë si Russell, Popper, Berlin, Habermas…

Disa miq më thonë se vlera praktike e librave të këtyre filozofëve është pothuajse null, pasi ato nuk adresojnë sfida bashkëkohore. Atëherë pse t’i lexojmë librat e shkruara shekuj më parë? Ndoshta vlera e këtyre librave qëndron jo tek përgjigjet që japin, por tek pyetjet që shtrojnë. Edhe sot preokupohemi me pyetjet që Sokrati kishte shtruar dikur, si: ç’është drejtësia, pse duhet respektuar ligji, çfarë kuptojmë me dinjitet njerëzor etj dhe, natyrisht, pyetja absolutisht thelbësore qe lidhet me Zotin – Quid Sit Deus. Sot ne jemi të lirë të mos pranojmë përgjigjet e dhëna nga filozofë të mëdhenj dhe mbase nuk i pranojmë ato. Por, pyetjet e tyre vështirë t’i konsiderojmë të vjetëruara.

Kur jemi të lirë, bëhemi selektivë. Është normale që autorët që zgjedhim do të ndikojnë në formimin tonë intelektual. Unë personalisht preferoj dy filozofë, dy kritikë racionalistë: Bertrand Russell dhe Karl Popper. I pari anglez (400 karat), logjisti më i madh pas Aristotelit, baba i filozofisë analitike, kritik i pakompromis i deformimeve në shoqëri, aktivist politik, laureat i çmimit Nobel. I dyti një ‘emigrant’ nga Austria, një ndër filozofët më të mëdhenj të shkencës i cili e ka bërë jetën e tij intelektuale në Londër, në një institucion arsimor për të cilin kam afeksion personal.

Arsyet përse jemi selektivë mund të janë të ndryshme. Por (ndoshta), kur i zgjedhim filozofët, besojmë se ata na ndihmojnë të mendojmë, por edhe të shkruajmë më qartë dhe në mënyrë më të strukturuar. Zakonisht qartësia vjen pasi të kemi krijuar një dialog aktiv me idetë e tyre. Megjithatë, thuhet se në filozofi kurrë nuk është e mjaftueshme nëse përgjigjemi “Platoni apo Russell ka thënë kështu”. Në filozofi nuk ka autoritet absolut, siç ndodhë në religjion. Mendimtarët e mëdhenj rrallë janë pajtuar me njëri-tjetrin. Dhe, është pikërisht ky mospajtim që bën të mundur që ne, lexuesit e thjeshtë, të hyjmë në bisedë me ta, të dialogojmë me ta.

Dua ta mbyll shkrimin me mendimin e filozofit amerikan, Steven Smith, për rolin e filozofisë. Ai e sheh filozofinë si një lloj terapie që e ndihmon njeriun të frenojë pasionet animale, që vendosë kufijtë e dëshirave tona, që na liron nga konfuzioni, epshet e pabindura, paragjykimet dhe jokoherenca. Për më tepër, filozofia është terapi e shpirtit që sjell paqe, kënaqësi dhe drejtësi në mendjen dhe shpirtin tonë.

Shembulli më i mirë i një personi që përdori filozofinë si një terapi është Sokrati. Për njerëzimin ai mbetet një model jo vetëm se si të jetohet, por më e rëndësishmja si të vdesësh.