Gjeniu i kolonave zanore për të cilat e gjithë bota e kishte zili, Ennio Morricone, u nda nga jeta një vit më parë, në moshën 91-vjeçare. Kompozitor, multi-instrumentist dhe dirigjent, Morricone ishte autori i disa prej muzikave më të dashura në historinë e kinemasë…

Mjeshtri ka shkruar muzikën për filma për shumë regjisorë të mëdhenj. Quentin Tarantino priti një kohë të gjatë për të pasur kolonën zanore të filmit “The Hateful Eight”, që ia dha atij Oskacin e parë (dytë) më 2016. Oscari i parë nga Akademia ishte ai i vitit 2007 dhe kishte të bënte për karrierën (ishte nominuar pesë herë midis viteve 1979 dhe 2001, pa e marrë kurrë statujën). Hollywoodit iu desh ta rregullonte gabimin. Dhe e bëri.

Dhjetë kuriozitete për Morriconen:

1. Bir Artisti: Ennio Morricone lindi në Romë në vitin 1928. Ishte djali i Mario Morricones, një trumbetist i famshëm që luante në orkestra të ndryshme, gjithashtu në Teatrin e Operës së Romës. Duke ndjekur gjurmët e babait të tij, Ennio shpejt mësoi t’i binte trumbës. Më pas u regjistrua në Konservatorin e Santa Cecilia në Romë, ku u diplomua në 1946.

2. Një mjek i munguar: Në një intervistë të publikuar në vitin 2017, ai rrëfeu se kur ishte fëmijë, në moshën 10-vjeçare dëshironte të bëhej mjek sepse ishte i impresionuar nga aftësia e mjekut të familjes (i njëjtë me fëmijët e Benito Mussolinit). Ishte babai i tij që e bëri të ndryshojë mendje, duke e drejtuar drejt muzikës.

3: Me Sergio Leonen: Takim fatal. Partneriteti i famshëm artistik midis Ennio Morricones dhe regjisorit Sergio Leones filloi në 1964, vit në të cilin ai bëri muzikën për filmin “A Fistful of Dollars”. Të dy personazhet ishin takuar tridhjetë vjet më parë. Ata në fakt kishin qenë shokë klase, në fillore.

4. Në RAI: Kur ai ende nuk e kishte filluar rrugën e suksesit, gjeti një punë në RAI si asistent muzikor, por përvoja në televizion nuk zgjati shumë. Ai dha dorëheqjen vetëm pas një dite, sapo zbuloi se profesioni i ri (dhe i mërzitshëm) do ta përjashtonte atë nga ushtrimi i plotë i veprimtarisë së kompozitorit.

5. Këngët e suksesit: Përveç se shkroi më shumë se 500 kolona zanore, Ennio Morricone gjithashtu kompozoi këngë të shumta pop, disa prej të cilave u bënë shumë të famshme, si “Abbronzatissima” (1963), “Sapore di sale” (1963), “Il mondo” (1965) dhe “Se Telefando” (1966). Gjithashtu kompozoi këngën zyrtare për Kupën e Botës e cila u zhvillua në Argjentinë në 1978.

6. Stanley Kubrick, një mundësi e humbur: Një nga keqardhjet e tij ishte që nuk mundi të bashkëpunonte me regjisorin Stanley Kubrick, i cili dëshironte që ai të shkruante muzikën për filmin “A Clockwork Orange” (1971). Kompozitori pranoi, por rrëfeu gjatë një interviste se Sergio Leone i tha atij se “unë isha akoma duke punuar me të, kështu që Kubrick nuk më pyeti më kurrë”.

7. E quanin “Dan Savio”: Në filmin “A Fistful of Dollars”, nënshkroi me pseudonimin Dan Savio, që i ishte sugjeruar nga gruaja e tij. Arsyeja? Producentët pretenduan se filmi duhej të dukej amerikan aq sa detyruan Sergio Leonen të quhej Bob Robertson dhe aktori Gian Maria Volonté të quhej John Wells.

8. Kultura e dëgjimit: Në një letër të famshme të 2012 kritikoi përdorimin e flautit si instrumenti kryesor i mësimdhënies së muzikës në shkollat italiane. Sipas tij, ishte e nevojshme të luheshin instrumente të tjerë dhe të promovohej një “kulturë e të dëgjuarit” midis studentëve, duke furnizuar “të gjitha shkollat me një sistem për të dëgjuar muzikë”.

9. Në Romë me pianon e tij, vetëm: Kur i duhej të kompozonte një kolonë zanore, preferonte të gjente frymëzim në vetminë e shtëpisë së tij në Romë. Aty punonte për një kohë të gjatë në tryezën e tij para se të ulej në piano. “Dëgjonte” pjesët muzikore në kokën e tij dhe pastaj i shkruante menjëherë, para se t’i luante.

10. Përgjithmonë mes yjeve: Ennio Morricone ka fituar një vend midis trupave qiellorë pikërisht në firmën e yjeve të muzikës. Në vitin 2016 një asteroid i vogël (emri i plotë, 152188 Morricone) me një diametër prej dy kilometra u emërua pas tij, i vendosur midis orbitave të Jupiterit dhe Marsit. /A2/