Violinistja e famshme me origjinë shqiptare, Ervis Gega-Dodi, u emërua drejtuese e përgjithshme e Filarmonisë Klasike të Bonit në Gjermani. Bordi drejtues i Filarmonisë votoi unanimisht. Lajmi u publikua zyrtarisht dhe në mediat gjermane.

Violinistja Gega-Dodi zgjidhet në këtë mënyrë pasardhëse në post e dirigjentit të njohur gjerman, Heribert Beissel, i cili e themeloi Filarmoninë dhe e drejtoi atë vetë për mbi 50 vjet me radhë.

Ishte porosia e fundit e dirigjentit Beissel, para së të ndërronte jetë pak javë më parë, që Gega-Dodi të marrë përsipër drejtimin, sepse, siç shkruhej në amanetin e tij, “ajo ka aftësitë muzikore dhe përvojën… Përveç kësaj, emri i saj është shumë i njohur në qarqet artistike me të cilat ajo është e lidhur shumë mirë”.

Filarmonia Klasike e Bonit performon në sallat më të famshme muzikore të Gjermanisë, midis të tjerash me shumë sukses me serinë e repertorit të Klasikës Vjeneze (Wiener Klassik).

“Ne do ta vazhdojmë serinë e Klasikës Vjeneze. Dhe, do ta përdorim skenën për artistë me famë ndërkombëtare, si dhe si trampolinë për dirigjentë të rinj të talentuar”, u shpreh Ervis Gega-Dodi pas marrjes së drejtimit të Filarmonisë. /Top Channel/