Ardita Jatru

do t’i hipim trenit
do ulemi të heshtur me fytyra të varura në dritare
me trupa të vjetëruara
pa shpatulla
dhe do të presim fishkëllimën e arritjes në stacion
pastaj do zbresim nga sytë,
dhe do të ecim drejt një vendi me tokë të butë
një shtëpi të vogël do gjejmë sa një trup
dhe do të shtrihemi
me kokën mbështetur në jastëkun prej guri
të gjithë, me xhepat bosh.
Atë çast
do fluturojnë mbi çatinë e hapur
një tufë ëndrrash me ngjyra që s’i kapëm dot
do zgjatim shikimin, por do ndihemi
si një bimë e dobët
me trupin të përkulur
që është gati t’i dorëzohet tokës.
A.Jatru