Nga: Fadil Sahiti

I. PUSHTETI, ARROGANCA, PREPOTENCA…

Në një shkrim kritik për librin e Bertrand Russellit, Pushteti: Një analizë e re shoqërore, George Orwell (1939) mes tjerash thotë: “Adhurimi i arrogancës e prepotencës së maskuar në mënyra të ndryshme, është bërë një fe universale …”. Ky adhurim për pushtetin, për arrogancën dhe për prepotencën, shfaqet edhe sot tek liderët politikë, por edhe tek ndihmëtarët e tyre.

Por, adhurimi për pushtetin, nga ana e njeriut, nuk është e panatyrshme; dëshira për pushtet përbën thelbin e njeriut. Për dallim nga kafshët, “kur njeriu përmbush nevojat primare, i dorëzohet përmbushjes së dëshirave, e dëshira themelore është ajo për pushtet, për lavdi dhe famë” – thotë Russell.

Russell nuk pajtohet me Karl Marxin dhe marksistët kur thonë se thelbin e organizimit shoqëror e përbën aspekti ekonomik; se dëshira për pasuri materiale është motori i dinamizmit shoqëror. Ai e mohon këtë. Për të, dëshira materiale tek njeriu mund të kufizohet. Janë produktet tjera jomateriale të cilat nuk kanë fund. Pushteti dhe fama janë të tilla.

Russell e definon pushtetin si përpjekje e individit apo e një organizate për të ushtruar ndikim tek të tjerët dhe për të prodhuar efektet e synuara. Pushteti është dëshirë për supremaci, për primat. Të njëjtën gjë e thonë edhe Platoni, Hobbesi, Hegeli e të tjerë. Në librin Republika, Platoni e tregon debatin e Sokratit më Trasamakun, ku ky i fundit këmbëngul që njeriu është i dominuar nga dëshira për pushtet, se pushteti dhe dominimi është gjithçka që i intereson njeriut dhe se pushteti e dallon njeriun e vërtetë – një njeri alfa nga një skllav. Ajo që është e vërtetë për individët është e vërtetë edhe për shtetet, thotë Hegeli. Diku tjetër ai thotë se marrëdhëniet midis shteteve bazohen në dëshirën për dominim. “Shtetet kërkojnë të krijojnë marrëdhënie me shtetet e tjera me qëllim të dominimit, duke e bërë marrëdhënien e tyre një kusht të luftës së pandërprerë të të gjithëve kundër të gjithëve”, do thoshte Hobbes. Në gjuhën e ekonomisë moderne, kjo shpjegohet me teorinë e lojës me shumën zero (zero-sum game theory), në të cilën ka vetëm fitues dhe humbës. Sa më shumë që dikush fiton, aq më shumë humbet tjetri. Edhe drejtësia përbëhet nga ligje të vendosura nga fituesit për të mbrojtur interesat e tyre.

Pushteti, lavdia, fama, tipologjitë e pushtetarëve janë temat që Russelli i trajton në librin e tij. Gjatë leximit duket sikur autori e fut lexuesin në një teatër, skena e së cilës është e mbushur përplot me akterë që ngarendin pas lavdisë dhe pas famës. Aty gjen liderë partie, monarkë, despotë, majtistë, liberalë, konservatorë, profesorë, prijës fetarë, gazetarë, ekspertë fushash të ndryshme, pronarë mediash, pronarë kompanie (ish) këshilltarë politikë e çfarë jo tjetër. Të gjithë i japin vlerë normative pushtetit, sepse e dinë se ai sjellë ndikim, lavdi, famë.

II. FORMAT E PUSHTETEVE

Duke qenë brenda teatrit të pushtetit të Russellit, qëllimi është të diskutohet pushteti i njeriut mbi njeriun, jo pushteti i njeriut mbi natyrën, megjithëse përparimi shoqëror i detyrohet shumë kësaj të fundit. Pushteti mbi njeriun mund të jetë i ndryshëm, në varësi të asaj që duam. Fuqia e drejtpërdrejtë është fuqia fizike, përmes burgimit ose vrasjes; pushteti ushtrohet gjithashtu përmes yshtjes ose ndëshkimit, d.m.th. kur ne i ofrojmë punësim dikujt ose e kërcënojmë me pushim nga puna; pushteti ushtrohet edhe me formim të opinionit publik, përmes propagandës në kuptimin e saj të gjerë.

Russelli i ilustron këto forma të pushtetit përmes fabulave ezopiane. Ai merr shembullin e derrit të lidhur me litar për të ilustruar pushtetin e dhunës – pushtetin ushtarak dhe policor; shembullin e gomarit që yshtet përmes karotës për të vepruar sipas preferencës së pronarit, për të ilustruar pushtetin e propagandës; ndërsa shembulli i deleve që hyjnë në anije vetëm kur ogiçi tërhiqet zvarrë drejt anijes, i shërben atij për të ilustruar pushtetin përmes “edukimit”. A nuk i kishte përdorur të gjitha këto forma të pushtetit Hitleri, apo Milosheviqi? A nuk ishte programi nazist propagandë e paskrupullt, apo kampet e përqendrimi mjete që simbolizonin dhunën dhe terrorin? A nuk e simbolizojnë delet turmën që duartrokiti dhe mbështeti verbërisht fyhrerin për gjithë ato vite?

Format e pushtetit mund të jenë shumë të ndryshme, të tilla si sundimi i ligjit – një karakteristikë kryesisht e shoqërive të civilizuara – ajo e traditës, fuqia ushtarake, pushteti revolucionar, pushteti i organizatave politike, organizatave ekonomike etj. Është interesante pushteti që lidhet me individin. Në shoqëritë aristokratike pushteti trashëgohej. Pushteti përcaktohej nga origjina familjare ose fisnore. Ndërkohë, format e fuqisë individuale në shoqëritë bashkëkohore përcaktohen nga cilësi të tjera, të tilla si ato të bazuara në aftësi intelektuale – qofshin ato shkencore apo artistike – ato politike që janë pjesë e një organizate politike (politikanë) ose cilësitë menaxheriale dhe ekzekutive që janë pjesë e një organizate të fuqishme ekonomikisht (shefat ekzekutivë).

Nga këto tre forma të fuqisë individuale, intelektualët konsiderohen “sunduesit” më të pafuqishëm. Russelli thotë se njohuritë shkencore dhe artistike, megjithëse të vështira, nuk janë misterioze, ato janë të hapura për të gjithë. Dijet intelektuale bazohet në empirizëm, por njeriu preferon të kapet pas iluzioneve, ndaj ideve magjike për botën. Jo rrallë njerëzit priren t’i besojnë një fallxhori, horoskopi ose një idioti fetar që predikon marrëzi sesa një intelektual.

Pushteti i një politikani ndryshon shumë nga ajo e një intelektuali. Që politikani të jetë i fuqishëm, ai së pari duhet të fitojë besimin e makinës së tij (partiake) dhe pastaj të elektoratit. Për t’i arritur të dyja këto, cilësitë që duhen nuk janë aspak identike. Ka politikanë që fitojnë pushtet në parti, por nuk arrijnë të trazojnë imagjinatën e elektoratit. Ndonjëherë, megjithatë, është makina ajo që fiton zgjedhjet, pa ndihmën e udhëheqësit. Në raste të tilla, është makina që mbizotëron politikanin pas zgjedhjes së tij, dhe ai/ajo kurrë nuk arrin pushtetin e vërtetë. Ndonjëherë, përkundrazi, politikani ose udhëheqësi i bën të dyja, arrin të krijojë makinën e tij dhe të fitojë mbi elektoratin – Napoleoni III, Mussolini dhe Hitleri janë shembuj më tipikë.

Në një demokraci, suksesi i politikanit varet nga karakteri i kohës. Në kohë të qeta, kërkohen politikanë të qëndrueshëm, me gjykim të shëndoshë; ndërkohë, në kohë të paqëndrueshme kërkohen folës mbresëlënës – jo domosdoshmërisht elokuentë në kuptimin konvencional, sepse, siç thonë Russell, Robespierre dhe Lenini nuk ishin elokuentë, por të vendosur, të pasionuar dhe të guximshëm. Pasioni mund të jetë i ftohtë dhe i kontrolluar, por ai duhet të ekzistojë dhe të ndihet. Në kohë trazirash, një politikan i suksesshëm nuk ka nevojë për fuqinë e arsyetimit, ose gjykimin e drejtë. Ajo që ai duhet të ketë është aftësia për të bindur turmën se ajo që ata dëshirojnë me pasion është e arritshme dhe se ai është udhëheqësi i cili përmes vendosmërisë së palëkundur do t’i çojë ata drejt fitores.

Ekziston një formë e pushtetit individual, krejt e ndryshme nga ato të diskutuara më sipër. Bëhet fjalë për pushtetin prapa skenave: pushtetin e oborrtarëve, intrigantëve, spiunëve, zuzarëve, kodoshëve dhe “tërheqësve të telave”. Në çdo organizatë të madhe ku ka pushtet (politikë ose tjetër), ka burra (ose gra) më pak të shquar që fitojnë ndikim mbi udhëheqësit përmes metodave personale. “Tërheqësit e telave” dhe bosët e partisë i përkasin të njëjtit lloj, megjithëse teknikat e pushtetit që ata përdorin janë të ndryshme. Zakonisht bosët e partive vendosin miqtë e tyre në këto pozicione. Ky është lloji i njerëzve që e do pushtetin më shumë se lavdinë, që shpesh paraqiten si njerëz të ndrojtur. Ndonjëherë, si eunukët në monarkitë orientale, apo dashnoret e bosave të partive sot që, për një arsye ose për një tjetër, përjashtohen nga organizata. Sidoqoftë, burra dhe gra të tilla ka me bollëk, veçanërisht në organizatat politike.

III. ETIKA DHE PUSHTETI

Shumë filozofë – Platoni, Machiavelli, Hobbesi, Adleri, Russell etj. – thonë se dëshira për pushtet është tipar njerëzor. Disa prej tyre madje e ngrenë nevojën për pushtet në nivelin e epshit. Në një nga shkrimet e tij të vitit 1928, Adleri thekson se është një mashtrim i madh nëse besojmë se pushteti helmohet vetëm nga epshi i individit. Edhe masat drejtohet nga i njëjti epsh dhe, në këtë rast, efekti shkatërrues i pushtetit është shumë më i madh, pasi në psikikën e masave ndjesia e përgjegjësisë personale zvogëlohet ndjeshëm.

“Zelli, epshi i njeriut për pushtet, mund të jetë i natyrshëm”, thotë Russell, por është gjithashtu i ndryshëm. Disa njerëz e shohin pushtetin si një mjet për të arritur një qëllim. Të tjerët e duan pushtetin si qëllim në vetvete dhe qëllimet e tjera ia nënshtrojnë arritjes së pushtetit.

A mund të moralizohet pushteti?

Ekziston një shteg për këtë. Por, zelli e dëshira për pushtet duhet të plotësojë të paktën tri kushte. Së pari; pushteti duhet të shërbejë si një mjet për të arritur një qëllim shoqëror dhe të mos jetë qëllim në vetvete; së dyti: pushteti duhet t’i shërbejë një qëllimi i cili, në përgjithësi, është në harmoni me dëshirat e njerëzve të tjerë nëse qëllimi arrihet. Ekziston një kusht i tretë jo i lehtë për t’u përmbushur. Mjetet për të arritur qëllimin nuk duhet të jenë të tilla që të kenë efekte anësore më të mëdha sesa qëllimi përfundimtar që duhet të arrihet. Ky kusht është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet e Machiavellit i cili predikonte dhunën e forcën si mjet thelbësor të pushtetit. Ai thoshte se “sa më të dhunshme të jenë mjetet, aq më ‘i virtytshëm’, aq më ‘burrëror’ është pushteti …” Russell e hedh poshtë këtë qëndrim të filozofit italian. Për filozofin anglez, dhuna dhe padrejtësia prodhojnë dhunë dhe padrejtësi, si ndaj atyre që i shkaktojnë ato, ashtu edhe ndaj viktimave të tyre. Dhuna është shumë e rrezikshme dhe kur përdoret me bollëk, çdo qëllim i mirë fillestar ka të ngjarë të humbasë vlerën e tij. Dikush që drejtohet nga një doktrinë etike vështirë se mund të përballojë të ndikohet nga diçka tjetër, sepse, nëse e bën, ai/ajo është i detyruar të gënjejë me vetëdije në kurriz të virtytit.

Prandaj, sipas Russellit, qëllimi përfundimtar i atyre që janë në pushtet duhet të jetë promovimi i bashkëpunimit shoqëror, jo ndërzimi i urrejtjes së një grupi politik kundër një tjetri. Pengesa kryesore e këtij promovimi është ekzistenca e ndjenjave të armiqësisë midis grupeve politike si dhe dëshira për supremaci ndaj tjetrit. Ndjenjat e tilla mund të zvogëlohen ose drejtpërdrejt duke futur elementin etik në politikë, ose indirekt duke hequr rrethanat politike dhe ekonomike që aktualisht i stimulojnë ato. Ajo që i duhet më shumë një shoqërie është moralizimi i politikës, jo politizimi i etikës dhe moralit.

Shkrimin dua të përfundoj me disa mendime tjera të filozofit Adler mbi pushtetin. Ai thoshte se ndjekja e pushtetit personal është një mashtrim katastrofik që helmon jetën e njeriut. Kushdo që synon të përmirësojë jetën e njerëzve duhet të heqë dorë nga epshi i dominimit mbi të tjerët. Vetëm një gjë mund të na shpëtojë: mosbesimi ndaj çdo forme të dominimit.

IV. PUSHTETI, A MUND TË ZBUTET?

Problemi i zbutjes së pushtetit është i lashtë sa njerëzimi. Taoistët thoshin se është e kotë të besohet se pushteti mund të zbutet. Duhet të mësohemi të jetojmë pa pushtet, në një lloj anarkie; të jetojmë thjeshtë, në ekuilibër dhe në harmoni me natyrën. Konfuçianët, nga ana tjetër, besonin se pushteti mund të zbutet nëse pushtetarët marrin edukim etik dhe qeveritar dhe se kjo i bën ata disi më të urtë, më të moderuar. Edhe helenët e lashtë kishin provuar egërsinë e pushtetit – oligarkinë dhe tiraninë (tridhjetë tiranët). Kur e zbuluan demokracinë, ata shpresonin se do t’i kontrollojnë abuzimet e pushtetit. Por, demokracia e mposhtte vazhdimisht veten duke rënë viktimë e popullaritetit të përkohshëm të pushtetarëve demagogë.

Por, a mund të zbutet pushteti?

Bertrand Russell thoshte se po, porse duhet plotësuar katër kushte: të ketë demokraci politike, kushte adekuate ekonomike, kontroll të propagandës, si dhe arsimim adekuat.

Demokracia politike ndihmon, por nuk është kushti i vetëm dhe nuk ofron zgjidhje të plotë në zbutjen e pushtetit. Edhe Britania e Madhe gjatë periudhës 1885-1922 ka pasur demokraci politike, por e ka shtypur dhe e ka persekutuar popullin irlandez. Pra, pushtetet demokratike të bazuar në shumicë, mund të ushtrojë tirani brutale mbi një pakicë, qoftë ajo politike, etnike apo fetare. Ndërkaq, dihet se ruajtja e sigurt e pakicave është pjesë thelbësore e një demokracie. Dishepulli i Russellit, Karl Popper, këmbëngulte se demokracia është i vetmi sistem politik që mund ta zbusë pushtetin. Zbutja ndodh kur ndërrohen pushtetet përmes votës së lirë; duke ofruar kornizë ligjore që mundëson reformim të institucioneve të shtetit apo duke i dhënë individit ndjenjën e pjesëmarrjes më efektive në ushtrimin e pushtetit politik.

Përveç demokracisë politike, zbutjes së pushtetit i ndihmojnë edhe kushtet ekonomike. Madje, Karl Marxi besonte se pushteti ekonomik është thelbi që ka primat karshi pushtetit politik që është vetëm forma, apo superstruktura e pushtetit. Barazia ekonomike është kusht i barazisë politike, thoshte ai. Popperi pajtohej me Marxin se pushteti ekonomik mund të jetë po aq brutal dhe persekutues sa ai politik, por edhe njëri edhe tjetri mund të zbuten përmes kushtetutës dhe ligjeve. Qeveria mund dhe duhet të mbrojë ata që janë ekonomikisht më të dobët.

Kushti i tretë i zbutjes së pushtetit është kontrolli i propagandës. Nuk është e pazakontë që qeveritë përmes mediave publike dhe propagandës shurdhuese përpiqen të minimizojnë brutalitetin e pushtetit. Russelli besonte në të drejtën e individit për të mos u pajtuar me pushtetin. Madje e përkrahte krijimin e mediave publike ku individi afishon ankesa kundër qeverisë, ku fajëson publikisht zyrtarët që tejkalojnë ose abuzojnë me pushtetin. Ai besonte në ekzistencën e mediave publike, si BBC, që mundëson debatimin e një game të gjerë pikëpamjesh mbi çështje të ndryshme politike.

Zbutja e pushtetit varet në mënyrë të veçantë nga kualiteti dhe qëllimet e sistemit arsimor. Kur një shoqëri është e pushtuar nga ndjenjat negative, si frika, tërbimi, eksitimi i dhunshëm kolektiv, është e madhe mundësia që masa të ndjek verbërisht një autokrat, një tiran . Në këto shoqëri zakonisht mbizotëron fryma e dogmatizmit të egër ku mendimi ndryshe provokon konflikt dhe dhunë.

Në mënyrë që demokracia të ketë sukses, qëllimi i sistemit arsimor duhet të jetë krijimi i dy cilësive njerëzore të cilat në shikim të parë duken në kundërshtim me njëra me tjetrën. E para: njerëzit duhet edukuar të kenë vetëbesim dhe gatishmëri për të luftuar për bindjet e tyre. Dhe, e dyta: ata duhet të jenë të gatshëm t’i nënshtrohen vendimit të shumicës kur ato bien ndesh me bindjet e tyre. Shpeshherë, të dy këto cilësi dështojnë pasi njerëzit i nënshtrohen diktatit të një autokrati; ose secila palë mund të jetë shumë ‘vetëvendosëse’ dhe kombi mund të bie në anarki.

Një sistem i mirë arsimor e ka aftësinë të zbusë sentimentet negative, si urrejtja, destruktiviteti, frika, apo nënshtrimi. Shkollat nuk duhet të edukojnë njerëz të nënshtruar, pa bindje personale, sepse kjo i bën ata ose skllevër ose rebelë. Duhet bërë përpjekje të formohen njerëz me mendësi qytetarie, që kanë përgjegjësie për shtetin dhe për shoqërinë. Kjo mendësi është e ngjashme me mendësinë shkencore që kërkohet në jetën intelektuale – mendësi që shkon mes ‘skepticizmit dhe dogmatizmit’, që e di se e vërteta nuk është as plotësisht e arritshme dhe as plotësisht e paarritshme (është e arritshme në një shkallë të caktuar dhe vetëm me vështirësi).

Mendësia autokrate funksionon ndryshe; ajo do që tek ‘myhibët’, e veçanërisht tek te rinjtë, të mbjellë dogmën e vetë; do që përkrahësit të mos kenë aftësinë të mendojnë me kokën e vet. E përsërisin dogmën e tyre aq shpesh duke shpresuar që ‘myhibet’ kurrë më pas të mos jenë në gjendje të shpëtojnë nga efekti hipnotik i tyre, nga histeria masive dhe sugjestionimi masiv.

Si përfundim, pavarësisht nga brutaliteti, egërsia, apo nga butësia dhe gjentilesa e pushtetit, duhet të jemi të vetëdijshëm se fati i jetës sonë nuk përcaktohet vetëm nga pushteti. Jemi ne ata që mund të bëjmë diçka për të hequr qafe vuajtjet e shmangshme, të lirohemi nga veset dhe shëmtitë e panevojshme të jetës. Mbi të gjitha, duhet të bindemi se i vetmi fat që kemi si qenie njerëzore është ai i bartjes së kryqit mbi supet tona. /Telegrafi/