Nga: Armira Kapxhiu 

Marrëdhënia e kompozitorëve shqiptarë me folklorin, krahas muzikës simfonike, instrumentalo-koncertale apo skenike, ka gjetur shprehje dhe në lëvrimin e gjinive të zhanrit të muzikës së dhomës. Në zhanrin e muzikës së dhomës këto marrëdhënie shfaqen përmes procesit të citimit të lëndës popullore, përpunimit të saj, krijimit në stil popullor dhe, në shumë raste, dhe si vokacion.

Lëvrimi i gjinive të zhanrit muzikor të dhomës shfaqet që në veprat e para instrumentale të At Martin Gjiokës, “Marsh” dhe “Tsopë”  dhe “Album”, për harmonium. Ato datojnë të krijuara gjatë viteve 1910-1914. Krahas tij, deri në vitin 1915, kompozitori tjetër shkodran, Lec Kurti, kompozon “Kuartet harqesh”, ”Sonatë”, ”Minuet”, ”Skerco”, “Temë me variacione”, për piano etj. Martin Gjoka provon të kompozojë dhe muzikë për ansambël dhome, si pjesa, “Një vjollcë shkodrane”, në të cilën pasqyrohen kontaktet e tij me muzikën popullore të Veriut. Po kështu, korçari Thoma Nasi, gjatë dekadave të para të shekullit të XX-të, kompozon pjesët instrumentale: “Bylbili”, për flaut (violinë) e piano; ”Fyelli bariut”; ”Katër valle”; ”E qarë” etj., që, siç shihet edhe nga titujt e tyre, vinë të orientuara nga muzika popullore e Jugut shqiptar. Nga sa parashtruam më sipër, mund të themi se gjatë gjysmës së parë të shekullit të kaluar lëvrimi i gjinive muzikore të dhomës pati një zhvillim sporadik, duke u përqendruar kryesisht në format e vogla instrumentale e vokale dhe, më radhë, dhe në gjinitë për ansamble të vogla dhome. Në këto sprova, edhe pse të pakta në numër, dallon orientimi i tyre kah muzika popullore e krahinave të ndryshme të vendit.

Do të kalonte një periudhë relativisht e madhe që lëvrimi i gjinive instrumentale, vokale dhe ato për ansambël dhome nuk do të ishin pjesë e preokupimit të krijimtarisë së kompozitorëve të paktë të kohës. Vetëm në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, atëherë kur nis edhe shkollimi i shumë muzikantëve shqiptarë, brenda e jashtë vendit, këto gjini nisin rrugën e lëvrimit, duke u shumuar vit pas viti.

Prova e parë serioze profesioniste është “Kuarteti për harqe”, në “F”dur (Fa+), i kompozitorit Tish Daija, i krijuar në vitin 1954, si detyrë kursi, kur autori ishte ende student në Moskë. Vepra, e strukturuar në katër kohë, ende vazhdon të jetë aktive në skenën muzikore shqiptare. Që në këtë krijim të parë serioz të zhanrit muzikor të dhomës u shfaqën elemente të dallueshme të muzikës foklorike. Shfrytëzimi i melosit popullor të Shqipërisë Verilindore dhe ritmet karakteristike 7/8 e 5/8, që dominojnë përgjatë shtjellimit të kohës së katërt të kuartetit, janë argumenti më logjik i orientimit të veprës nga folklori. Pas viteve 60-të, lëvrimi i gjinive dhe formave të muzikës së dhomës merr hov të paparë. Kësaj periudhe i përkasin: “Tocata” (1962) dhe ”Këngë e lashtë” (1963), për piano të A. Paparistos, “Tocata”, ”Këngë epike”“Variacione” e “Humoresca”, për piano, të Ç. Zadesë, “Albumet pianistike”, të T. Daisë (1963), T. Harapit (1969), K. Larës (1966) dhe F. Ibrahimit (1968), “Sonatina për piano”, e Harapit (1961), “Sonata nr. 1,”, për piano, e Larës (1965), “Sonata” (1965) e “Sonatina” (1964), për piano, e Dizdarit, “Nocturn”, për violinë e piano, e Zoraqit (1968), “Kuartet”, për harqe, të Harapit (1964) e Ibrahimit (1965), “Rondo”, për kuartet harqesh, e Zoraqit (1960), albumi pianistik, “Ditë të gëzuara”, i Larës (1966) etj.

Në vitet 1970, nga gjinitë koncertore të muzikës së dhomës spikasin: ”Sonata”, për violinë e piano dhe “Ballada arbreshe”, për cello e piano, të Zadejës, “Miniaturat pianistike”, të Paparistos, “Trio”, violinë, cello e piano, e Dizdarit, “Tri valle”, për violinë e piano dhe “Sonata” për violinë e piano, të Peçit, “Balladë”, për violinë e piano, e Gacit, “Sonata”, për piano, e Shupos etj.

Në harkun kohor të viteve ‘80-‘90-të të shekullit të kaluar dalin në dritë dhe shumë vepra të tjera muzikore për formacione të ndryshme të muzikës së dhomës. Mes tyre veçohen: 3 “Kuartete harqesh”, të Harapit, “Kuartet harqesh”, i Larës e Ibrahimit, ”Suitat për orkestër harqesh”, të Harapit, Zaharianit e Simonit, “Scerco”, për harqe, e Zoraqit, “Triot”, e Dizdarit, Peçit, Dedës, Kushtës etj. Në shumicën e veprave që përmendëm më sipër, dallon marrëdhënia me foklorin. Në këtë mori krijimesh, muzika popullore zë vend e gjen shprehje gjerësisht në të gjitha format e mënyrat e mundshme, si: citime, krijime në frymë popullore, stilizime e përpunime, dhe si vokacion popullor etj. Duke shprehur gjithmonë e më qartë mbështetjen e saj ne melosin kombëtare, ritmet dhe modet e muzikës sonë si pjesë e folklorit shqiptar.