Lindja e muzikës Blues përbën fazën më të rëndësishme të zhvillimit të muzikës moderne në botë. Askujt nuk do t’i kishte shkuar mëndja, që në shtetin e varfër të Mississippi, të mbushur me plantacione pambuku, do të kuiltivohej një muzikë e tillë. Periudha e saktë e fillimit të kësaj forme muzikore nuk është shumë e qartë. Zanafilla i ka rrënjët tek këngët që këndonin skllevërit zezakë në lidhje me punën e tyre.

Në shekullin e 20-të, fëmijët e këtyre skllevërve, tashmë të lirë, filluan të kultivonin formën origjinale të muzikës Blues. Një nga stilet kryesore të Blues e ka origjinën në deltën e lumit Mississippi. Kjo zonë prodhoi disa nga muzikantët më të mëdhenj dhe më me ndikim. Charley Patton, Son House, Skip James dhe Robert Johnson janë disa nga emrat më të mëdhenj të fillimit të kësaj muzike. Këndonin për të siguruar para për mbijetesë, duke udhëtuar nga një vend në tjetrin. Muzika e tyre është ideale. Ajo shoqërohet me një kitarë perfekte dhe shpreh dhimbjen dhe vuajtjen e jetës së tyre. Nuk ka asnjë diskutim se kitaristët më të mëdhenj të të gjitha kohërave i përkasin këtij brezi.

Kjo lloj muzike pati ndikimin kryesor në muzikën Rock and Roll, por edhe në shumë rryma të tjera muzikore. Rolling Stones, Led Zeppelin, Rory Gallagher dhe shumë grupe të tjerë, prodhuan disa nga kryeveprat e muzikë Rock and Roll, duke u bazuar në muzikën Blues të viteve 20-30.

Zezakët e Mississippi këndonin për vështirësitë dhe dramat e jetës së tyre. Në vitet ’60 u vu re një ringjallje e kësaj muzike, madje duke rikthyer në skenë disa nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të viteve ’30, duke i marrë nga vendet e harruara, ku shpenzonin vitet e fundit të jetës.

Grupe të ndryshme britanike, ju dedikuan tërësisht muzikës Blues. Por, nëse siç e thamë më lartë, në Mississippi këndohej për vështirësitë dhe dramat e jetës, këto banda këndonin Blues për të shprehur vuajtjen nga absurditeti dhe zbrazëtia e jetës moderne. Gjithsesi, në të gjitha rastet, muzika Blues shpreh vuajtje, por edhe një lloj proteste ndaj padrejtësive shoqërore. Këtë lloj ndjenje proteste muzika Blues ja ka transmetuar edhe zhanreve muzikore rrjedhim të saj, si muzika Rock and Roll.

Mississippi, një shtet i varfër i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prodhoi revolucionin më të madh muzikor të të gjitha kohërave. Muzika Blues përbën një ideologji, që ka ndikuar jo vetëm në muzikë, por edhe në mënyrën e të menduarit të rinisë perendimore.