Emri i tij figuron si autor i dhjetëra librave për filozofinë, artikujve shkencorë, fjalorëve e teksteve shkollore. Pesë vjet më parë, nën siglën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ai kishte nxjerrë në dritë të fundin libër “Hyrje konceptuale në filozofi”.

Pasditen e së enjtes, institucioni më i lartë akademik në Kosovë ka dhënë kumtin për ndarjen nga jeta në moshën 89-vjeçare të akademik Ekrem Murtezait.

Në njoftimin e dërguar në adresë të mediave, ASHAK ka bërë të ditur se për shkak të rrethanave të pandemisë, të shtunën në orën 11:00, do të mbahet një mbledhje përkujtimore me familjarët dhe anëtarët e Akademisë. “Ceremonia e varrimit do të bëhet duke respektuar masat parandaluese për mbrojtjen nga pandemia COVID-19”, thuhet në kumtesë.

Ndërsa kanë shprehur hidhërimin për ndarjen nga jeta të profesor Murtezait, kolegë, miq e studentë të tij e kanë vlerësuar për kontributin e tij madhor në filozofi.

Njëri prej tyre ka qenë edhe profesori në Fakultetin Filozofik, Kadri Metaj. Ndërsa e ka quajtur lajm të dhimbshëm vdekjen e Murtezait, ai ka përkujtuar se i ndjeri ishte një prej bashkëthemeluesve të Departamentit Filozofi-Sociologji.

“Unë pata fatin të isha student i gjeneratës së parë dhe të ndjek ligjëratat në ‘Filozofinë antike greke’ nga ai qysh në vitin e parë, për të vazhduar edhe me kurse të tjera gjatë katër vjetëve studimorë”, ka thënë Metaj për KOHËN.

Ai ka kujtuar se si studentët e rinj mrekulloheshin në ligjëratat e Murtezait, “me oratorinë dhe koherencën logjike të diskursit të tij filozofik”.

“E gjithë ajo gjeneratë mësimdhënësish, ku u dalluan veçanërisht profesorët Fehmi Agani dhe Ekrem Murtezai, ishin iluministë të bindur dhe këtë na e transmetonin edhe neve se arsimi ndriçon mendjet njerëzore”, ka thënë Metaj.

Ridvan Emini nga Shoqata e Filozofëve të Kosovës ka vlerësuar se vdekja e Murtezait do të krijojë një boshllëk akademik e intelektual në mesin tonë.

“Profesori Ekrem Murtezai ishte ndër kontributdhënësit e parë në fushën e filozofisë”, ka thënë Emini për KOHËN teksa ka shtuar se i ndjeri ishte disa herë udhëheqës i Katedrës së Filozofisë-Sociologjisë.

“Akademik Murtezai neve si filozof dhe në përgjithësi botës akademike i ka lënë një pasuri të shquar të veprave”, ka shtuar Emini.

Edhe zëvendësministri i Kulturës, Halil Matoshi, nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook ka vlerësuar se Murtezai do të kujtohet si një nga emrat e elitës kulturore e arsimore që e bënë autonominë e Kosovës “duke e përgatitur për të rezistuar e luftuar për të drejtën e saj të plotë”.

“I heshtur, i matur, por punëtor i madh, profesor Murtezai, ndër themeluesit e Katedrës për Filozofi-Sociologji në Universitetin e Prishtinës, e mbylli shekullin e tij jetësor dhe akademik në moshë të madhe, kur po jetojmë epokën e post Së vërtetës, kur fare pak njerëz lexojnë filozofi, e cila megjithatë jeton përderisa bëhen pyetje, për Zotin dhe njeriun, jetën e vdekjen, qenien dhe hiçin, etikën e politikën… estetikën dhe metafizikën”, ka shkruar Matoshi. “Ishte ndër njerëzit që janë përpjekur tërë shekullin 20 për të vërtetën dhe përhapjen e saj, iku në përjetësi në epokën e pasigurisë dhe ‘Fake News’, kur pak kujt i intereson burimi i lajmit dhe e vërteta që e jetojmë, ose ndjekja e parimeve të së vërtetës. Sivjet, Kosova ka humbur aq shumë njerëz që i kanë dhënë asaj identitet, emër e vepër, si asnjë vit tjetër”.

Sipas biografisë së afishuar nga ASHAK-u, Ekrem Murtezai u lind në Gjakovë, ku kreu shkollën fillore dhe mori mësime në Medresenë e Madhe të Gjakovës. Në vitin 1948 u regjistrua në Shkollën Normale të Gjakovës, ndërsa në vitin 1951 u diplomua në Pejë. Studioi për filozofi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit. Pas studimeve deri në fund të viteve ’60 punoi mësimdhënës në Shkollën Normale dhe në Gjimnazin e Gjakovës, ku ishte edhe drejtor. Nga viti 1969 e deri në vitin 1973 ishte në detyrën e këshilltarit të pavarur në Byronë Ekzekutive të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (LKJ) dhe njëkohësisht edhe shef i kabinetit të Fadil Hoxhës, i cili në atë kohë ishte anëtar i Byrosë Ekzekutive. Ndërkohë mbaroi studimet pasuniversitare për politikologji në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.

Në vitin 1973 u zgjodh ligjërues i lëndëve historia e filozofisë antike dhe mesjetare dhe filozofisë marksiste në katedrën filozofi-sociologji në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës (UP), ku më 1977 mbrojti edhe tezën e disertacionit të doktoratës, me titull “Lenini për logjikën dialektike”.

Ishte profesor i rregullt i lëndëve të lartpërmendura gjatë viteve 1983-1991, por edhe i disa lëndëve të tjera filozofike: estetikë, logjikë, filozofi klasike gjermane, filozofi bashkëkohore etj.

“Për një kohë ligjëroi edhe metodologjinë dhe teknikat e kërkimeve shkencore në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Gjatë viteve 1973-1981 ishte drejtor i Qendrës Krahinore të Arsimit Marksist. Kreu edhe detyra të tjera në institucionet e arsimit. Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe i Arteve të Kosovës u zgjodh në vitin 1996, kurse në vitin 2000 u zgjodh anëtar i rregullt”, thuhet në biografinë e ASHAK-ut.

Murtezai ishte autor i disa librave nga fusha e filozofisë, i artikujve shkencorë, i fjalorëve terminologjikë, i librave shkollorë: “Filozofia materialiste-dialektike” (1975), “Studime filozofike” (1975), “Stalinizmi dhe neostalinizmi” (1976), “Pikëpamja e Leninit për metodën dialektike” (1976), Marksizmi, socializmi dhe vetëqeverisja” (1981), “Disa terma aktualë politikë” (1986), “Fjalori i filozofisë” (1995), “Fjalor i feve” (2000), “Hyrje konceptuale në filozofi” (2015) e të tjera./koha.net