Mozaiku në Yavne të Izraelit është i pari i këtij lloji i zbuluar në qytet, duke e çuar ekipin e arkeologëve drejt supozimeve për artefakte të tjera që mund të zbulohen në këtë lokalitet. Poshtë dyshemesë janë gjetur edhe disa monedha të rralla

Arkeologët kanë rënë në gjurmë të mozaikut 1 mijë e 600 vjet të vjetër, i ruajtur jashtëzakonisht mirë në Yavne, qytet në Izraelin Qendror. Mozaiku daton nga periudha bizantine. Modeli gjeometrik i dyshemesë u zbulua gjatë gërmimeve të një zone industriale që ka të ngjarë të ketë qenë aktive gjatë shekujve IV dhe V të erës sonë, është bërë e ditur në një njoftim për shtyp të Autoriteteve të Antikiteteve të Izraelit.

“Trotuari mund të ketë qenë pjesë e një ndërtese rezidenciale e marramendëse në një lagje të pasur ngjitur me zonën industriale”, është shkruar në deklaratë.

Një shtresë e dendur e patinës – një tip shkëlqimi që grumbullohet në sipërfaqe ndër vite – fillimisht errësoi modelin e mozaikut, por një ndërhyrje e kujdesshme në Muzeun Rockefeller në Jerusalem zbuloi një motiv të shkëlqyeshëm shumëngjyrësh gjeometrik, të vendosur në një kornizë të zezë drejtkëndëshe. Për më tepër, disa monedha të rralla u gjetën poshtë dyshemesë.

Mozaiku në Yavne është i pari i këtij lloji i zbuluar në qytet, duke e çuar ekipin e arkeologëve drejt supozimeve për artefakte të tjera që mund të zbulohen në këtë lokalitet. Deri më tani, ekspertët kanë gjetur mbetjet e presave antikë të verës dhe një depo vere, të cilat përfundimisht do të shfaqen në muzeun e ardhshëm arkeologjik të Yavnes, së bashku me mozaikun.

“Ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe ndërgjegjësimi për të kaluarën janë vlera të rëndësishme për qytetin e Yavnes, i cili ka një histori madhështore”, ka thënë Zvi Gur-Ari, kryetari i bashkisë së Yavnes, në një deklaratë. “Në një epokë përparimi dhe zhvillimi të përshpejtuar në të gjitha fushat e jetës, brezat e ardhshëm duhet gjithashtu të jenë në gjendje të shohin se si qyteti ka evoluar gjatë viteve”. /koha/