Nga: Dashnor Kokonozi

Ai, emri i të cilit do të kujtohet edhe si biblioklast me autodafen e Berlinit më 1933 e më pas në Dresden, Hanovër, Nuremberg etj., Adolf Hitleri, pra, kishte një nga bibliotekat më të pasura të Evropës. Mes kryeveprave që rëndonin në raftet e saj, specialistët gjejnë dhe ndalen më gjatë te ca lloj librash konspiracionistë, okultistë, spiritualistë, ezoterikë, duke lënë të kuptohet se diku aty duhen kërkuar rrënjët e së keqes. Kjo punë më lë mjaft dyshues. Ka qenë një kohë kur lexoja pa hesap libra të tillë, nganjëherë deri në mëngjes, por nuk mbaj mend të më ketë lindur dëshira të fus në furrë shokët e mi hebrenj të vegjëlisë, madje as të kem bërë plane të pushtoj Maqedoninë, edhe pse aty nuk mungonin sudetët tanë. Nuk dihet shumë nëse presin gjësendi nga ne, por për të qenë, aty janë.

Flitet se ishte vegjetarian, nuk i pëlqente alkooli, pinte me qejf çajra të ndryshëm dhe, të paktën në prani të tij, askush nuk guxonte të tymoste.

Nganjëherë them me vete se origjina e holokaustit dhe i gjithë atij horrori që ndodhi, do qe shpjeguar thjesht e me qartësi prej kohësh, po qe se së fundi do të zbulohej se Hitleri pinte uiski pa hesap e tymoste puro të shtrenjta Havane. Ndërkohë që U. Churchilli ishte kategorikisht kundër të dyjave.

Rrallë thuhet se lexonte një libër në natë, se qe i etur për gjithçka, sa gjente kohë, midis angazhimeve të shumta, të lexonte edhe një libër tjetër gjatë ditës.

Që biblioteka e tij duhej të ketë gëzuar emër edhe përtej Gjermanisë, kjo ka të ngjarë të jetë e vërtetë. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që më 1935 ajo u bë subjekt i një reportazhi të gazetës «The New Yorker». Më tej është marrë vesh se ai kishte nga një bibliotekë të tillë në secilën prej rezidencave të tij të njohura.

Kohët e fundit, T. Ryback, një ish gazetar, i ka kushtuar një libër të tërë bibliotekës së tij, libër që është përkthyer në shumë gjuhë. Natyrisht, flet për atë pjesë të bibliotekës që ka mbetur, se nga 16 mijë titujt e saj, sot gjenden jo më shumë se 1200. Kryesisht të shpërndarë në bibliotekat e universiteteve amerikane.

Më bën përshtypje se për këdo që i pëlqen të lexojë, thuhet se është i etur për libra, lexon shumë, ka pasion të madh leximin, humbet pas librave. Për Hitlerin thuhet: ishte gllabërues librash, farosës, rrufitës librash (nuk e di çfarë i ka penguar të thotë se i shqyente me dhëmbë, i mbllaçiste, i ripërtypte dhe si sigurohej mirë se nuk kishte mbetur gjë e lexueshme, i pështynte në një tas të madh). Në përfundim, nis e dyshon se mos leximi i shumtë nuk është veçse një ves i keq, se po të kishim dy të tillë që lexonin si ai, ekzistenca e njerëzimit do të qe rrezikuar seriozisht.

Më tej thuhet se ai lexonte me laps në dorë dhe se në zyrat e tij do të kishte gjithmonë një bust të Schopenhauerit. Ai përpin librat e Clausewitzit, biografitë e Jules Césarit, të Aleksandrit të Madh. Kanti bashkë me Makiavelin do të gjenden në bunkerin e tij, pas vetëvrasjes.

Ndërsa përpiqesh të kuptosh kompozimin e bibliotekës së tij, sheh se është i rendit klasik, sa më nuk bëhet. Ka të ngjarë me atë të bibliotekës së secilit prej nesh.

Fillimisht është ajo pjesë që simbolikisht quhet fondi i noterit, fondi i trashëgueshëm, ai që të jep një vetëdije e të siguron se ke çfarë të duhet, se të tjerët nuk dinë më shumë se ty, se nuk je pas tyre. Siç e keni kuptuar,  është fjala për libra që nuk i prek më kush. Aty, edhe në bibliotekën e tij gjendet Don Kishoti, Udhëtimet e Guliverit, Robinson Kruzoe, Kasollja e xha Tomit, Hamleti, romanet me aventura të Karl Mayt etj.

Pastaj është fondi aktiv, koleksioni që ushqen trurin, siç thuhet. Janë tekstet te të cilat kthehemi herë pas here, që i mbushim me shënime, i shfrytëzojmë sa nuk bëhet më, i bëjmë telef. Dhe përpiqemi të mbajmë përmendësh ndonjë paragraf etj., për të habitur, dikur shoqet e klasës e më pas kolegët e rinj të punës.

Ka edhe një pjesë të tretë, pastaj. Librat që i janë dhuruar nga autorë të ndryshëm si Junger, që i ka autografuar librin e tij “Zjarr e gjak” me fjalët: Fyhrerit kombëtar Adolf Hitler; veprat e Fichtes që Leni Riefenstahl ia dedikon me: Fuherit tim të dashur, me admirimin tim të thellë.

Siç mund të kuptohet, vëmendja e studiuesve është drejtuar gjithnjë te fondi i dytë. Pikërisht këtij fondi edhe T. Ryback i ka kushtuar analizën më të madhe. Ai nuk kufizohet në listimin e librave që gjenden aty, por përpiqet që të bëjë prerjen e tyre me mendimet dhe idetë politike të Hitlerit. Dhe këtu ai, sikundër Walter Benjamini, niset nga ideja se një koleksionues konservohet brenda koleksionit të tij.

Natyrisht, nuk mungojnë edhe manualet e ndryshëm (tankesh, p.sh.), por bie në sy se shumë vepra me subjekt spiritualitetin, okultizmin, ezoterizmin, shpesh herë të shkruara nga autorë hebrenj, janë edhe ato të pranishme në bibliotekën e tij. Dëshmia që flet më shumë për preokupimet e thella të zotit të tyre, thotë autori i librit.

Pak e çuditshme, kjo shprehje.

Më tej përmenden edhe libra mbi telepatinë, Hebreu ndërkombëtar (i Henry Fordit, ky), libra mbi astrologjinë dhe shkenca të tilla: aq paralele sa ato nuk takohen kurrë me inteligjencën, thotë ai. Kjo përsëri më tërheq vëmendjen. Hitleri është ai që është, por kur përmenden si shprehje e një inteligjence të caktuar, duhet thëne se këtë libra nuk e penguan të ulë gjysmën e botës nën çizmet e veta. Kjo flet në mënyrën e vet se sa seriozisht i merrte ai. Ndërkohë mbetet pa përgjigje pyetja përse studiuesit nxitojnë të nxjerrin përfundime për të zotin e koleksionit nisur nga librat ezoterikë dhe jo nga ata filozofikë, që gjenden po aty?

Se, veprave të Schopenhauerit, Kantit etj., që janë aty në bibliotekën e tij, do t’u shtoja edhe të tjerë emra të mëdhenj, por po ndalem vetëm te J. G. Fichte) Në mendjen e A. Hitlerit ai ishte filozofi më pranë lëvizjes së tij nacional-socialiste. Fichte njihet si themelues i lëvizjes filozofike të njohur si idealizmi gjerman. Edhe pse në thelb mendoj se duhet punë e madhe për të ushqyer me të teoritë e Hitlerit, gjithsesi më lë përshtypje të veçantë tërheqja e madhe e diktatorit nazist ndaj tij. Madje shoh edhe një farë nuhatjeje prej profesionisti të filozofisë. Fichte sot po vlerësohet gjithnjë e më tepër. Madje koncepti i tezës-antitezës, sintezës që gjithë jetën na kanë thënë se është i Hegelit, sot po del se në origjinë ka qenë i tiji.

Më duket shumë punë e thjeshtëzuar pra, të thuash se filani u bë i kriminel sepse lexonte libra racistë apo pa vlerë. Nuk besoj se ndodh kështu. Për provë mund të sjell emrat e tre milion shqiptarëve që lexuan me “laps në dorë”, siç kërkohej, një kamion të tërë librash mediokër të Enver Hoxhës dhe nuk kam përshtypjen se pësuan ndonjë pezmatim të madh të trurit. Kjo, ndërkohë që edhe Hoxhës tonë nuk i mungonin hebrenjtë e tij, që ishin “klasat e përmbysura”, të “prekurit në biografi”, të cilët i mbylli edhe ai në kampe internimi, që i la të vdisnin, bashkë me fëmijët e tyre. Edhe pse kundër tyre dhe kundër borgjezisë, kapitalizmit, revizionizmit etj., ai foli po me aq urrejtje sa edhe Hitleri për hebrenjtë e botës. Edhe pse të dy urrenin artistët dhe artin bashkëkohor. Edhe pse të dy, në mënyrë të pavarur, atë art e quajtën “art të degjeneruar” …

Marrëdhënia e diktatorëve me librat është shumë më e ndërlikuar. Stalini duket se nuk lexonte aq shumë, por kishte shije të hollë për letërsinë. Thuhet edhe se mendonte që autorët duheshin shpërblyer mirë. Dhe shkrimtarët sovjetikë kurrë nuk janë paguar më mirë se sa në kohën e Stalinit. Hera herës e dërgonte ndonjërin në litar, por me synimin e mirë të ngritjes së nivelit të përgjithshëm të partishmërisë në letërsi dhe arte.

Kur kishte nevojë për ndonjë teme shkencore, ai porosiste t’ia bënin gati dhe e lexonte si të ishte e vetja. Pa asnjë kompleks. Këtë bënte edhe Enver Hoxha (kësaj i kam kushtuar një roman të tërë, të ndërtuar mbi një fakt të vërtetë), por Nexhmija këmbëngul se ai gëzohej si fëmijë kur i vinte ndonjë libër i ri, të cilin mbyllej ta lexonte në bibliotekën e tij. Nuk ka asnjë arsye të mos besojmë se është kështu. Kurrë nuk kam menduar se E. Hoxha ishte një energumen.

Po ç’rol luanin librat në materien e tij gri? Këtu ka vend për të diskutuar (sikundër për të gjithë). Kam kaluar një herë nëpër duar kopjen e tij personale të Princi-t të Makiavelit. Nuk pata koha ta krahasoj me libra të tjerë, por ishte jashtëzakonisht i nënvizuar. Po a është kjo një arsye për ta paragjykuar për metodat e tij “makjavelike? Nuk besoj.

Gjithsesi, e përfytyroj tek mbyllet në bibliotekën a zyrës së tij me një libër të ri në dorë, një libër që sapo i ka ardhur nga Franca, siç përmend e shoqja. Mund të jetë edhe traktati Mbi tolerancën i Volterit. E shoh tek e lexon, kthen faqet njëra pas tjetrës, mban ndonjë shënim. Por rastësisht, vetëm rastësisht, vëren se sekretari i tij, Kroi, i ka lënë në tavolinë letrën me lutjen e një gruaje që t’i falë jetën të birit të saj (që e kanë arrestuar në Kashar për tentativë arratisjeje), por mund të jetë edhe ndonjë vendim gjyqi me vdekje, që pret miratimin e tij për t’u ekzekutuar. Kjo e bezdis disi, ka ëndje të lexojë i qetë librin e ri. Dhe këtë nuk e fsheh. Por nuk i lë mbas dorë detyrimet që ka për popullin e tij. Kështu, pa i larguar sytë nga faqet e librit, merr një stilograf dhe mbi letër vë shpejt e shpejt shënimin e tij të njohur: të torturohet para se të pushkatohet.

Pastaj rehatohet në kolltukun e tij dhe rrëshqet në botën e mrekullueshme të librave, jo pa ndjerë pak keqardhje që po i afrohet faqeve të fundit të atij libri aq interesant mbi tolerancën.

Volterit i fërgëllon shpirti atje ku është.

Si përfundim, nuk është se kisha pritur të mësoj nga ky libër i T. Ryback se kultura, arti, poezia, muzika etj., nuk kanë materie konsistente që mund të shërbejnë si barrierë kundër barbarisë. Një ide më të strukturuar për këtë çështje kaq të rëndësishme, e kisha formuar kur lexova Kujtimet e një evropiani të Cvajgut. Para se të ikë përgjithnjë nga Vjena, ai riprodhon diku, një bisedë të tijën të fundit me mikun e tij, tashmë të plakur e të lodhur, S. Frojd, pikërisht për këtë temë; për tmerret hitleriane që nuk po kryheshin nga njerëz të dalë nga pylli. Cvajgu, përshkruan dëshpërimin e atit të psikanalizës tek i pranon se vërtet, librat, artet, kultura nuk mund të frenojnë shtazërinë. Ato nuk mund ta mbrojnë njeriun nga gjithë lemeria që qëndron fshehur në trurin e tij reptil…

Duke iu kthyer edhe një herë titullit të këtyre shënimeve, them se ne fort mirë mund t’i tregojmë njëri tjetrit librat e mençur dhe elegantë që lexojmë, mund edhe t’i citojmë herë pas here pasazhet e tyre, por kjo nuk do të thotë se dimë shumë për njëri-tjetrin … /Peizazhe të fjalës/