Dashuria e fjalëve – mund të quhet pa mëdyshje korrespondenca e Marina Csvetajevës dhe pareshtu njëri-tjetrit.

Për disa muaj, tre nga poetët më të mëdhenj të kohës së tyre shkëmbyen një korrespondencë plot pasion ekstrem. Pasternak ishte gozhduar në Moskë nga revolucioni, Cvetajeva në Francë nga emigracioni dhe Rilke në Zvicër, ku po vdiste ngadalë. Vetëm Pasternaku dhe Cvetajeva njihen me njëri-tjetrin. Rilke nuk e takon kurrë Cvetajevën dhe vështirë se e njeh Pasternakun: lidhja e vërtetë e trekëndëshit të tyre është adhurimi reciprok.

Izolimi, mungesa e çdo kontakti dhe e gjithë njohurive konkrete favorizojnë lavdërimin, idealizimin, madhështinë… por edhe dramat e ndjeshmërisë, xhelozisë, pendimit dhe ndarjet. Pasioni i dashurisë përzihet pa dyshim me zjarrin poetik.

Në vitin 1930, Marina Cvetajeva jetonte në mërgim, Boris Pasternak ishte gozhduar në Rusi, dy personazhe që zbulojnë njëri-tjetrin si poetë. Korrespondenca e tyre shpalos një marrëdhënie të thjeshtë: dashuria e shpërfytyruar nga fjalët. Ata nuk do të mund ta shohin njeri-tjetrin deri në vitin 1935, në Paris. Mirëpo, ky takim do të dëshmonte të të ishte “një jotakim”: bashkimi me ëndërrimin real nga Marina Csvetajeva nuk ndodhi në takim.

Mbetën vetëm këto letra midis dy poetëve të përjashtimit, shumë kishin humbur, të tjera u gjetën në fletoret e Marinës. Ariadna Efron, vajza e saj do të shkruaj më vonë, në “Kujtimet” e saj, që “të vendosur në një distancë të pakapërcyeshme nga njëri-tjetri, Marina dhe Borisi e gjetën veten falë letrave, poezive të tyre, në përqafimet më të sigurta tokësore”.

Marina Ivanovna Cvetajeva me veprën e vet konsiderohet midis disa prej më të mëdhenjve në literaturën ruse të shekullit të njëzet. Vinte nga një familje artistësh, i ati ishte profesor arti, themeluesi i Muzeut të Arteve të Bukura “Pushkin”, kurse e ëma pianiste, një nga studentet më të mirë të Nikolai Rubinstein. Ajo filloi të shkruaj poezi në moshën 6-vjeçare, njëherazi mori mësime rigoroze për piano.

Në moshën 16- vjeçare studionte në Sorbone, në Paris, në të njëjtën kohë filloi të shkruaj poezi edhe në frëngjisht dhe gjermanisht. Libri i saj i parë me poezi u botua kur ishte vetëm 18-vjeç. Në moshë madhore, Marina mund të fliste dhe të lexonte në rusisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht, ndërkohë që letrat e saj për poetin e njohur Rainer Maria Rilke ishin shkruar në gjermanisht. Ishte një nga poetet më me ndikim të shekullit XX, por edhe një nga më të vështirat për t’u kuptuar, për të mos përmendur përkthimin.
[…]
Nuk përshtatem dhe jam krenare!
Madje e vetme mes gjithë të gjallëve,
Do t’i thosha jo! Jo shekullit.
Por nuk jam e vetme, prapa meje
Janë mijëra, miliarda
Shpirtra, si unë, të vetmuar.

Më 31 gusht 1941, në një fshat në Tatarstan, Marina Cvetajeva, vrau veten në moshën 49 vjeç, gjest i cili përmbylli ciklin e itinerarit tronditës në sfondin e kataklizmave të pashembullt historikë.

Lufta e Parë Botërore e ndau nga i shoqi, i cili kishte shkuar në front, revolucioni i vitit 1917, kurse lufta civile i shkatërruan vajzën e vogël, Irina, e cila vdiq nga uria në moshën tre vjeç. Prej vitit 1922, Cvetajeva jetoni në mërgim, në Çekosllovaki, më pas në Francë. Jetoi edhe rikthimin në Bashkimin Sovjetik në qershor të vitit 1939.
Poetesha la pas një trashëgimi të madhe letrare.

Dikush madje pyet veten se si, në dritën e kushteve në të cilat ajo jetonte, ajo ishte në gjendje të krijonte një vepër aq të larmishme dhe të një shkalle të tillë. Kjo është për shkak se, që nga fëmijëria, Cvetajeva ka qenë e banuar me poezi, nga të cilat ajo vetë është vetëm një organ, një instrument. Ajo shkruan ndërsa merr frymë, kështu që roli i luajtur nga frymëmarrja e saj, frazon.

Në folklor, Cvetajeva kërkon atë vend “paraprirës”, ku më shumë se kudo tjetër poezia është “vetë natyra”. Universaliteti origjinal i temave: dashuria dhe vdekja, e mira dhe e keqja, sakrifica, magjia, si dhe motivet: zjarri, uji, ajri, ëndrra, janë gjurmë të rrëfimit legjendar cvetajan. Po ashtu, asaj i takon t’u kundëvihet zakoneve, ligjeve dhe rregullave morale të kësaj bote. Sepse muzika, sipas Cvetajevës, është e lidhur me demonin.

Po, i kam dashur fort ato gostitë tona:
Me zjarrin në oxhak, gjer orëve të vona,
Me gotëzat kristal shpërndarë nëpër tryezë,
Me renë tek pluskon, përmbi kafenë e zezë,
Me gazin gjithë helm të hokave letrare,
Me t’ankthshmit sy të tij, që të rrënojnë për fare…

Marina Ivanovna Cvetaeva e nisi jetën në Moskë më 1894 dhe vdiq, e vetëvarur me litarin e Pasternakut, 15 ditë pas ekzekutimit të bashkëshortit të saj Sergei Efron.
Po zvarrisen pas meje zinxhirët
të gjëmojnë së shpejti i pres,
Sa dëshirë kam, sa dëshirë,
qetësisht të mbyll sytë e të vdes!…

“Pastërnaku erdhi tek ajo për ta ndihmuar të rregullohej. Ai i solli një litar për të lidhur valixhen dhe bëri shaka se ai litar mbante gjithçka, sikur edhe të varej me të… Më vonë i treguan Pastërnakut se Cvetajeva u var me atë litar dhe ai për një kohë të gjatë, nuk mundi t’ia falte vetes këtë shaka fatale”…

NË ZEMËR
Në zemër: ferri dhe altari,
atje parajsa rri dhe turpi.
Kush është i ati?
Ndofta cari,
a, mbase cari dhe hajduti?

Poezia e Cvetajevës kombinon sjelljen e çuditshme dhe një përdorim rigoroz të gjuhës, me metafora paradoksale.

Në qoftë se gjatë fazës së parë të krijimit, Cvetajeva pëlqen ndikimin e Majakovskit dhe forcën e tij poetike, më vonë u shkëput nga ky ndikim për shkak të kulturës së saj në bazë të romantikëve gjermanë, për t’u afruam mandej më shumë me Pastërnakun dhe me shpirtin poetik të Pushkinit.

“Në jetë, sikurse në libër, ajo hidhej me padurim, e etur, thuajse me pangopësi drejt përfundimtares dhe përcaktueses; ajo shkoi shumë larg në këtë udhë, madje shkoi përtej të gjithëve. Ajo shkroi shumë gjëra të panjohura për ne, vepra të jashtëzakonshme dhe plot pasion. Botimi i tyre do të jetë një triumf i shkëlqyeshëm për poezinë e vendit tonë”.