Alba Dajalanaj

Pas përfundimit të një vepre duket sikur të pllakos heshtja. Në fakt ngjan me të, por gjithmonë të shoqëron një shqetësim që nuk të bezdis, sepse për shkrimtarin shqetësimi është si elemnt kimik i botës së tij. Kanë kaluar pak muaj nga botimi i romanit tim, dhe këto kohë më është dashur ta shpërndajë, t’ua bëj dhuratë miqve e mikeshave të mia. Por herë të tjera, në vetminë dhe heshtjen time të trazuar, e marrë në dorë librin si për t’i ndjerë fëshfëritjen që lëshon shfletosja.

Më përshkon ndjesia e ethshme që ta jep vetëm heshtja, në heshtje më drejtohet një pyetje që e dëgjoj vetëm unë, autorja. Më duket sikur më bëhet ajo pyetja naive që shpesh ua drejtonim nënave në fëmijërinë tonë: -“Si linda unë”? Kumbon fort kjo pyetje brenda meje, por, po aq fort vërshon një lumë përgjigjesh e ndjesish. Ky roman më dha ndjesinë se shkrimtari i ngjan një nëne që mban dhe rrit në trupin e saj një fëmijë. Romani, ishte për mua një fëmijë artistik. Pas ndjesisë magjike që më kanë dhuruar dy fëmijët e mi kur i kam marrë në dorë për herë të parë, kompozimi i romanit ishte procesi më ngazëllyes, më emocionues, gjithpoaq drithërues që unë kam përjetuar ndonjëherë.

Të shkruaja këtë libër, ishte një gjendje e papërcaktuar. Ndërthurja në të njëjtën kohë e shqetësimit me dëshirën e paepur për t’ju ngjitur këtij mali, sa të lartë dhe të vështirë, me ndjesinë kokëfortë të mos dorëzohesha për ç dolloj arsyeje, e bënte këtë gjëndje tepër unike. Shpesh ishte si të bëja dashuri. Të bija e të ngrihesha e përsëri t’i jepesha fjalës. Të shkruaja këtë libër ishte si të udhëtoja me një kurreshtje të përkorë nëpër skutat e shpirtit tim, nëpër të cilat udha s’më kishte ç uar ndonjëherë.

Të shkruaja këtë roman ishte të derdhje atë mundim mjaft të vyer për të ndërtuar karaktere, për t’i formësuar e mishëruar, për t’u dhënë atyre jetë. Ishte si të jetoja me ta. Dhe ajo që më ka emocionuar pa masë ishte të dëshpërohesha e të qaja për ata.

Shpeshherë përjetoja ndjesinë se unë isha trnasformuar në shkrimtaren që ata donin vërtet, të ngrohtë e sentimentale. Unë si asnjëherë tjetër iu dorëzova atyre tërësisht.

Dhe pas kësaj, sigurisht e ndjej, nuk jam më ajo që kam qenë. Ishte e mrekullueshme të ndjeja se si rilindja nëpërmjet një përpjekjeje për t’i dhënë formë këtij fëmije artistik. Ky roman më bëri të ndjeja e të besoja se letërsia endej aty në brendësinë time. Ishte ajo, lënda artistike brenda qënies, së cilës m’u desh t’i japë trajtë me këtë vepër. Dhe e çmoj si një dhuratë kaq të vyer edhe për vetë misionin e shenjtë që ka letërsia: ndriçimin e mishërimin e fjalës.

Të shkruarit, më bëri të dashurohesha me vetminë, dhe jo me atë dëshpëruesen, por me atë momentin vetmitar që shkrimtari e ka aq të çmuar, dhe pret me padurim ta ketë. Të vendosja rregullin, të doja punën, të dashurohesha me artin, këto përfitime m’i dha vetëm të shkruarit.

Të shkruaj, ta ndjej atë si varësi emocionale më bën të ndiehem mirë, të lundroj në ujërat e mia. Të bëj të kundërtën, është si të mos jetoj më. Të shkruaja këtë roman, ishte si të zbuloja një vete tjetër, të shndërrohesha e papritur të isha përsëri vetevetja.

Ditë pas dite të shigjetohesha nga drita shumëngjyrëshe dhe e mrekullueshme e të shkruarit, më nxiti dëshirën dhe qëllimin tim drejt artit të fjalës pambarimisht!