TREGIM

Mbrëmja është shtrirë e qetë, një zjarr i vogël ndriçon kodrën. Po dalin një e nga një yjet!
Valentina pikturon, ndersa Redi sheh ç’ po bën ajo. Vajza shkëputet një çast nga ngjyrat dhe lapsat, shtriq krahët, dhe i hedh një vështrim përkëdhelës djalit.
– Që e vogël kam lexuar Çarl Haroldin e Bajronit, Shekspirin, Kontin e Monte Kristos- i thotë ajo me një zë të shuar sikur pëshpërit.I kam në kujtesë të gjithë ata libra, që tani nuk janë më.
– Po ku janë librat? – e pyeti Redi i merakosur. Pse nuk janë më?
– Lëre, lëre- thotë vajza. Nuk di nga i shpuri babai. Pas demokracise, njerezve iu dukeshin te kote librat. E kishin mendjen vetem per të ikur nga vendi.
– Nesër shkojmë i kërkojmë- i tha Redi. Diku do jenë.
Valentina i flet për një bibloteke librash me
emra të mëdhenj, dhe ai ndihet i brengosur..
Hedh sytë nga biblioteka e tij, i ledhaton librat një e nga një me sy, dhe ndjehet i lehtësuar wë ata jane aty.
Të nesërmen , kur shkuan, në shtëpinë e Valentinës, ai e pyet vjehrrën për librat.
Ajo qeshi me shpoti dhe iu përgjigj;
– Ta dija se do të kisha një dhëndërr poet, do ti kisha ruajtur. Po ç’ më duhen librat mua.
– Ndoshta i kam vënë thellë në barakën e veglave të punës dhe rrangullinave- i tha vjehrri, po s’ mbaj mend mirë. Duhet të jene mbyllur në një kuti kartoni.
Redi bëri ç’ bëri, dhe rrëmoi për dy orë nëpër barake, s’ la gjë pa lëvizur prej vendit, po s’ gjeti gjë.Ai i adhuronte librat, dhe kjo gjë e kishte tërbuar. Donte ti gjente me çdo kusht, dhe ti vinte në librarinë e tij, si miq të respektuar.Kërkoi me ngulm dhe i mërzitur. Asnjë gjurmë librash.
– Nuk po i gjej dot- i tha Valentinës, që i shkoi pranë për ta ndihmuar. Vendosën në vend gjërat qe kishte levizur, pastaj hynë brenda per te pirë një kafe.
– E more dhëndërr poet- tha vjehrra- me të qeshur. Çi hape kot punë vetes.
Ai s’ foli, por syrbi qetë e mendueshëm gllënjkat e kafese se nxehtë turke.
– Tani kujtoj dhe më mirë – tha Valentina, një vajzë njëzet vjeçare që rrezêllonte nga bukuria. Zoti sikur e kishte pikturuar me frymëzim portretin e saj.
– Çfarë të kujtohet- i tha Redi, disa vite pak me i madh se ajo, me profilin e hajthem biond, dhe me sy të gjelbër.
– Po ,po ishin shumë libra. Se babait i pëlqente të lexonte. Vetem se i shkoi dëshira pas trazirave.Biblioteka jote, Redi, do të ishte dyfishuar. Kishin kapakë të mrekullueshëm.
– E mor bir- psherëtiu vjehrri. Dolën nga moda librat.Nëpër bufe mbetën vetëm vëllimet e Enver Hoxhës. Njerëzit i mbanin vetëm për lluks, për tu dukur..Pas permbysjes se komunizmit, po mban mend, njerëzit thyenin xhamat e dyqaneve dhe i vodhën, por nuk harruan pa djegur libraritë.Edhe Bibloteken e qytetit e plaçkitën..I vunë librat pirg mes sheshit dhe i dogjën. Shkatërruan çdo gjè.
– Domethënë- tha Redi, në çdo trazirë librat i ndjek një mallkim i shenjte.
– Ashtu bir , ashtu. Se ti flet dhe bukur se je poet.Dhe vjet,’ përsëri pas humbjes së lekëve nëpër firma, njerëzit dogjën prapë gjithçka; universitete, portin, monumente kulture e historike, po përsëri nuk i harruan bibliotekat e librarite..Jetojme kohë trazirash…
Redi po mendonte dhe një shkulm vreri nga brenda ia pështjellonte ndjenjat.. ” Këta njerëz.. sa mosmirënjohës!
Por duke ia thënë vetes, fjalët kishin dalë padashur jashtë, dhe Valentina që ishte ngjitur me të e dëgjoi.
– E tmerrshme- tha ajo.Më duket sikur kam një zjarr në trup. Më ngjan se çdo pore e lëkurës sime, është një germë e përflakur.
– Ç’ mëkat! – tha Redi me zë të dobët, dhe teksa po pinin në heshtje kafetë, i bëhej ende sikur vêshtronte njerëz që në mes të qytetit digjnin buste e libra. I dukej sikur edhe jetën e tij e kishte rrethuar një zjarr zemërak.
– Eshte një vit që s’ka për tu harruar lehte..I mbaj mend te gjitha- i tha vjehrrit. S’ kam si harroj! S’ ka kaluar ende një vit.
Pastaj, mori dhe Valentinen, dhe pasi u përshendet me prindërit e saj shkuan në shtëpinë e tij.
Të nesërmen kur po e kthente Valentinën në shtëpinë e prindërve, ajo ndali hapin para portës së gjyshes se saj dhe e pyeti Redin;
– Si thua ? Kthehemi pak te gjyshja ta shohim. Se do i bëhet qejfi.
– Po mirë- i tha Redi shkojme. E dinte se e fejuara e tij e kishte pikë të dobët gjyshen. Shpesh i fliste për të dhe sa e kishte mbajtur ajo. U ulën pranë vatrës se ndezur dhe gjyshja qe ndriste prej gezimit qe i kish ardhur dhëndrri i ri në shtëpi, lëvizte si flutur nëpër dhomë dhe i qeraste te rinjte me fruta dhe ëmbëlsira.
Ja moj bijë, të deshi zoti dhe ta dha fatin..Siç je vetë e ke gjetur dhe burrin.Te keni jetë e të trashëgoheni.
– Faleminderit, gjyshe- i tha Redi pak i ndrojtur.
– Gjyshe- i tha Valentina- mes të tjerash- mos ti ka zënë syri ca libra të babit? Se dje kërkuam me Redin çdo cep të shtëpisë, po si gjetëm.
– O korba unë! E c’i donit librat moj bijë?
– Po ja, Redi shkruan poezi, dhe donte ti merrte për ti lexuar.
Gjyshja pa zjarrin në vatër dhe ia plasi te qeshurit. Të rinjtë e panë me çudi.
– Çke moj gjyshe që qesh.- i tha Valentina..Me duket se ti,gjyshe, e dikërke ku janë, ë?
– O korba unë, korba! Po si nuk e di..Yt atë mi solli për të ndezur zjarrin.
– Po ai tha qe i kishte ruajtur në një kuti. – i tha vajza e pezmatuar.
– Po ku mban mend ai.Me tërë ato brenga e halle që ka. Ja këtu janë. Brenda ne vatër.I dogja dimrit ,njënpër një, fletë për fletë, që të ndizja zjarrin.
Edhe ti je ngrohur.
– Mirë, gjyshe mirë- i tha ajo..Doja ti beja qejfin Redit, po s’ ka gjë. Iku kjo punë tani.
– Po moj bijë. T’ na marrin të keqen librat. Te jemi shëndoshë vetë. Se kanë ardhur kohë të këqija. Janë bërë njerëzit si të tërbuar.
Pas pak ajo shkoi në dhomën matanë, gërrmoi në një sënduk të vjetër, dhe u kthye tek të rinjtë me një libër në duar. Ia zgjati Redit.
– Merre bir- i tha. Këtë më erdhi keq ta digjja .Dhe e ruajta kot. Punë plakash!
Redi e mori librin nder duar dhe e përkëdheli..Ishte një botim i vjetêr i Odiseut.E vuri pranë vetes, dhe vazhdoi te haje në qetësi embelsiren e mbetur pëgjysmë.
Rifat Ismaili
Shijak 1998