Nga Aurenc Bebja*, Francë – 4 Dhjetor 2023

“La Tribuna” ka botuar, të martën e 15 nëntorit 1927, në ballinë, një shkrim rreth vizitës së Fan Nolit asokohe në “Kongresin e Miqve të BRSS-së në Moskë” dhe deklaratave të tij në shtypin rus, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Kongresi i Miqve të BRSS-së

Leninizmi, fashizmi, militarizmi dhe Shqipëria në deklaratat e neobolshevikut imzot Fan Noli

Burimi : La Tribuna, e martë, 15 nëntor 1927, ballinë
Burimi : La Tribuna, e martë, 15 nëntor 1927, ballinë

Moskë, nëntor.

Pasi përfunduan festimet jubilare të 10 vjetorit të bolshevizmit, Moska po përgatitej të mirëpriste një ngjarje të re dhe të papritur : “Kongresin e Miqve të BRSS-së”. Ideja i atribuohet delegacionit anglez, i cili erdhi në Moskë me rastin e festimeve jubilare. Qëllimi i Kongresit është “të shqyrtojë mjetet për mbrojtjen e Bashkimit Sovjetik kundër sulmeve të imperialistëve”.

Moska i kushton shumë rëndësi këtij fakti të ri. Para së gjithash — thuhet këtu — ky Kongres do të bëjë të mundur zhvillimin e një programi të tërë dhe hartimin e mjeteve më të mira për të ushtruar një veprim “të kombinuar” dhe “kolektiv” kundër imperializmit luftarak.

Ndër të tjera, ai do të lejojë njohjen e ndërsjellë dhe një afrim shumë të dobishëm ndërmjet përfaqësuesve të proletariatit të të gjitha vendeve, të bashkuar nga lidhja “shpirtërore” e parimeve të revolucionit të tetorit.

Kongresi i Miqve të BRSS-së në Moskë do të shërbejë — dhe ky duket të jetë rezultati kryesor i pritur — për të shkatërruar, midis punëtorëve të racave, kombësive dhe kontinenteve të ndryshme, ato barriera që do të ngrinte borgjezia dhe që reformistët do t’i përforconin, barriera që do të përbënin një pengesë shumë më të madhe për fitoren e revolucionit punëtor se sa topat dhe bajonetat e ushtrive borgjeze.

Moska parashikon një sukses të madh dhe beson se nga “Kongresi i Miqve të BRSS-së” duhet të nxjerrë një armë shumë e fuqishme, si për mbrojtjen e saj, ashtu edhe për qëllimet e revolucionit proletar botëror.

Entuziazmi me të cilin ideja do të ishte mirëpritur nga të gjitha delegacionet e shumta të huaja — të ardhura këtu me rastin e jubileut — do të siguronte rezultatet më të mira.

Ndër ata që folën në solemnitetin e 10-vjetorit të “Kongresit të Miqve të BRSS-së” përfshin edhe “Imzot Fan Nolin”, ish-Presidentin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë. Ai duket të jetë një nga miqtë dhe mbështetësit më aktivë dhe më “të bindur” jo vetëm të BRSS-së, por edhe të komunizmit sovjetik.

“Imzot” Fan Noli ka dhënë një intervistë për shtypin rus, e cila sqaron këndvështrimin e tij. Në të, pasi kishte thënë frazat e zakonshme në përdorim dhe të detyrës kur dikush është mysafir në një vend të huaj, ai foli për mundësinë e “Kongresit të Miqve të BRSS-së” dhe rezultatet e pashmangshme që ai do të duhet të japë. “Pjesëmarrësit e këtij Kongresi, pasi të kthehen në vendet e tyre, do të mund t’u tregojnë masave punëtore se cili është drejtimi i vërtetë i politikës së BRSS-së; dhe do të demaskojnë makinacionet kriminale të imperialistëve, me qëllim përgatitjen e një lufte të re”.

BRSS-ja duhet të përqëndrohet në “agjitacionin e anëtarëve të Kongresit” për të fituar simpati të reja.

Por më e rëndësishmja e deklaratave të tij bëhet për “fatin” e Shqipërisë.

“Imzot” Fan Noli tha : “Populli shqiptar ka simpati të madhe për BRSS-në. Ai e di se çlirimi i Shqipërisë është i mundur vetëm nëpërmjet federatës ballkanike të republikave punëtore-fshatare, sipas shembullit të BRSS-së. Por nuk është në interesin e Fuqive imperialiste të lejojnë formimin e një federate të fortë dhe të lirë ballkanike.

Prandaj imperialistët po i zmadhojnë me të gjitha mënyrat dallimet kombëtare në Ballkan. Nuk mund të flitet për perspektiva të ardhshme revolucionare në Shqipëri për sa kohë që pranë saj ekziston Italia fashiste apo Jugostavia militariste, sepse një fitore e lëvizjes revolucionare në Shqipëri do të provokojë padyshim ndërhyrjen e këtyre forcave reaksionare. Por pakënaqësia e përgjithshme e popullsisë së këtyre vendeve jep arsye për të llogaritur ekzistencën e shkurtër të regjimeve të tyre politike. Me eliminimin e kësaj pengese të jashtme, ideja e një federate ballkanike të shteteve punëtore dhe fshatare bëhet një realitet i gjallë.”

Nuk e dimë se sa e ka marrë dhe do ta marrë seriozisht Moska — që di të peshojë gjithçka — “bolshevizmin” e Fan Nolit; por “akrobacitë” e tij të lehta, sigurisht, duhet të kenë ngjallur habi, nëse jo admirim të përgjithshëm.

Në fakt, karriera e tij ishte e shpejtë : nga monsinjor në kryeministër, nga kryeministër në emigrant, nga emigrant në bolshevik, dhe më pas ? A do të ndalet këtu karriera e monsinjorit ? Lehtësisht po, nëse shpresa e tij e vetme është të rikthehet në pushtet si kryetar i Këshillit të “Komisarëve të Popullit”.

Është një çështje “parimesh”.

Por Fan Noli së pari pret fundin e Fashizmit.

Dhe thjesht pret. Është punë e tij.

PIETRO SESSA