Nga Gladiola JORBUS

Vëllimi poetik ‘’Lus tokën’’ shpaloset para lexuesit si një panoramë e qëndisur me emocione, lajtmotive dhe mbresa që të mbështjellin me tisin e dëlirësisë. Aromë malli që vjen nga toka e ngrihet përdëllyese gjer në qiell. Poezia e Teuta Dhimës është gruaja që lind jetën, fjalën, dashurinë, dhembshurinë, vargun shumëngjyrësh; është muzë, perëndeshë, fëmijë i çiltër, det e ëndërr.

Vargjet e mbushura me shpirtin e bukur e të pasur poetik të autores, frymësojnë nga ambivalenca, kurse përmbysjet hyjnore telurike, përgjojnë jehonat e thella, që lënë gjurmë që ngjasojnë me thënien apostolike të poetes par excellence Alda Merini ‘’…se poetët nuk mund t’i kapni dot, pasi ju rrëshqasin midis gishtërinjve’’. 

Ky vëllim është thirrje e zjarrtë, fati i veshur me petale, kujtime, perëndime diellore, lot, krenari, valë të ngrohta, zogj, përqafime munguese; është ekstaza shpirtërore që ashtu si vetë jeta njerëzore nuk ka çmim.

E si mund të ndodhë ndryshe, përderisa vargjet i shkruan nje grua?!