Prof.Dr. (Emeritus) Refik Kadija

Diplomati dhe shkrimtari irlandez Sir Robert Windham Graves (1858-1934) është një personalitet britanik i fundit të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, i cili kishte njohuri mjaft të mira për historinë e Ballkanit dhe për popujt e këtij gadishulli të trazuar. Fati e solli që ai ta njihte nga afër realitetin shqiptar, të vizitonte shumë qytete shqiptare dhe të njihej me shqiptarët që nga Mitrovica e Prishtina e deri në Manastir e Janinë. E njihte historinë e vjetër dhe të re të Shqipërisë, Kishte njohuri për Skënderbeun dhe Ali Pashë Tepelenën, Kishte lexuar librin me përshtypje udhëtimi e piktura të mikut të shqiptarëve Edward Lear. E njihte mirë veprimtarinë e mikes së madhe të shqiptarëve Edith Durham, me të cilën u takua disa herë gjatë qëndrimit të tij në Shkodër në mars 1912. U takua në Orosh të Mirditës me Preng Bib Dodën, Kapidan Marka Gjonin dhe Imzot Preng Doçin. E njihte prej kohësh Esat Pashë Toptanin, qysh më 1908-9 në Stanboll, kur Esati ishte i përfshrë në lëvizjen xhonturke dhe ishte bërë anëtar i Parlamentit si deputet i Durrësit. Sipas studjuesit amerikan George W. Gawrych,  më 27 prill 1909, në krye të një delegacioni parlamentar prej 4 vetash Esat Toptani i kishte komunikuar direkt Sulltan Abdyl Hamitit rrëzimin nga froni duke i thënë “kombi të ka çfronësuar”.[1] Graves-i dinte marrëdhëniet e tensionuara midis Esat Pashës dhe Ismail Qemalit dhe e njohu nga afër Esat Toptanin duke qenë në shoqërimin e tij për 2-3 ditë nga Lezha në Elbasan.

Robert W. Graves-i kishte lindur në Parknasilla të Irlandës jugore më 6 korrik 1858 në një prej familjeve më të vjetra me origjinë angleze. Fisi Graves i Gloustërshërit të Anglisë vinte nga mjegullnaja normane e shekullit XII, në kohën e Mbretit John, vëllait të Rikard Zemërluanit. Pastaj, rreth 375 vjet më parë, më 1647 Oliver Kromuelli i dhuroi një Kolonel Graves-i, komandant i një regjimenti kavalerie, një çiflig të madh në jug të Irlandës për trimërinë e treguar nën komandën e tij. Kolonel Graves-i u vendos përfundimisht atje dhe pinjollët e kësaj familjeje patën vazhdimësi deri në ditët tona duke nxjerrë shumë burra të shquar – diplomatë, ushtarakë, shkrimtarë, profesorë universiteti dhe klerikë të lartë. Motoja e familjes Graves ishte “Aquila non captat Musca” (“Shqiponja nuk e ul veten për të kapur miza”). Robert Graves-i është një nga pasardhësit e shumtë të kësaj familjeje të famëshme anglo-irlandeze. Ishte i biri i Charles Graves-it, Profesor i Matematikës në Universitetin e Dublinit për më se 20 vjet, pastaj Peshkop i Limerikut. Pasi u diplomua në Kolegjin Marlborough të Wiltshire-it në Angli, Robert Graves-i e filloi karrierën e tij si student përkthyes në Stamboll më 1879 dhe pas pak kohësh hyri në shërbimin diplomatik. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi me shërbim diplomatik të qeverisë britanike në disa vende të Perandorisë osmane në Lindjen e Afërme. Siç pohon vetë, që nga fillimi i viteve 1890 për më se 20 vjet kishte qenë konsull në Adrianopojë (Edirne), më 1895 ishte konsull i përgjithshëm në Erzurum. Gjithashtu punoi si konsull i përgjithshëm në Egjipt, Kretë e Bullgari. Në pranverën e vitit 1912, ndërkohë që Roberti ishte diplomat në Ambasadën Britanike në Stamboll dhe merrej me çështjet ekonomike duke qenë edhe këshilltar financiar i qeverisë turke, caktohet nga qeveria turke si anëtar i komisionit të nivelit të lartë prej 7 vetash me Mision special në Shqipëri (përfshirë Kosovën) dhe në Maqedoni.

Ky Mision i organizuar gjatë muajve të fundit të sundimit osman në Ballkan zgjati mbi 3 muaj, nga 17 shkurti deri më 20/26 maj 1912. Robert Graves-i e ka përshkruar me hollësi itinerarin e këtij komisioni nëpër të githa trojet shqiptare nga Mitrovica e Prishtina, Peja, Gjakova e Prizreni, pastaj në Mirditë, Shkodër e Elbasan, pastaj në Berat, Tepelenë e Gjirokastër deri në Janinë, etj., si një “Mision otoman në Tokën e Askujt të Turqisë Europjane” në librin e tij me kujtime “Vatra stuhishë të Lindjes së Afërme – Kujtime personale, 1879-1929” (angl. “Storm Centres of the Near East – Personal Memories 1879-1929”), i cili u botua në Londër më 1933 nga Shtëpia Botuese Hutchinson & Co. (Publishers) Ltd, një vit para vdekjes  së autorit. Ky libër ka 375 faqe me 22 kapituj. Në 15 kapitujt e parë Graves-i përshkruan kujtimet e tij për Bullgarinë, Maqedoninë dhe Armeninë.Kapitujt XVI e XVII, me 26 faqe, respektivisht me titujt “Konstandinopojë, 1911-1912. Lufta Italo-Turke. Duke shoqëruar misionin turk në Shqipëri” (f. 252-264) dhe “Shqipëria 1912. Përvojë e mëtejshme me misionin turk” (f. 265-277/8), përshkruajnë misionin e veçantë në trojet shqiptare. Pesë kapitujt e fundit (XVIII-XXII) i kushtohen kryesisht ngjarjeve në Turqi gjatë luftrave ballkanike 1912-1914, gjatë Luftës së Parë Botërore dhe deri më 1932. Libri ka 17 ilustrime fotografike. Fotografia 13 paraqet Robert Graves-in të veshur me kostum shqiptar me mbishkrimin: “The author in Albanian dress, Scutari, 1912” (“Autori me kostum shqiptar, Shkodër, 1912”). Për këtë fotografi Graves-i shkruan në kujtimet e tij: “Përpara se të largoheshim nga Shkodra, Foulon-i dhe unë, me kërkesën e kolegut tone shqiptar, Hajdarit, bëmë fotografi me veshje shqiptare; Foulon-i me kostumin ceremonial madhështor të Bib Dodës, të mbingarkuar rëndë me ar, gurë të çmuar e qëndisma që thuhej se peshonin 70 paund (rreth35 kilogram), kurse unë me veshjen e zakonshme të një beu musliman shkodran”.

Në kujtimet e tij Graves-i tregon se Komisioni i nivelit të lartë prej 7 vetash drejtohej nga Ministri i ri i Brendshëmi qeverisë xhonturke Haxhi Adil Bej dhe përbëhej nga koloneli francez Foulon që trajnonte xhandërmarinë e Selanikut;vetë Robert Graves-si si përfaqësues i Ministrisë së Financave; Leitnant-kolonel Fevzi Bej, i cili përfaqësonte Ministrinë xhonturke të Luftës dhe që më vonë u bë dora e djathtë e Mustafa Qemal Ataturkut dhe Ministër i Luftës i Republikës së Turqisë. Fevzi Bej mbahej si ekspert i topografisë së Shqipërisë së Epërme. Tre anëtarët e tjerë të këtij komisioni ishin: Haidar Bej, inspector i lartë i Ministrisë së Brendshme, malësor shqiptar i lindur në Shqipëri në njërin prej fiseve malësore në kufirin me Malin e Zi; Xhevdet Bej, zyrtar i lartë i Ministrisë së Çështjeve Publike; dhe Bedri Nuri Bej, i cili nuk përfaqësonte asnjë ministri të veçantë por duket se ishte agjent i Misionit të Komintetit të Bashkimit dhe Përparimit – pushtetit xhonturk prapa fronit të sulltanit.

Qëllimi i këtij Misioni specialnë Shqipëri (përfshirë Kosovën) dhe në Maqedoni (faktikisht zonat me popullsi kryesisht shqiptare si Dibër, Ohër, Prilep, Shën Naum, Manastir, sigurisht edhe në Shkup) ishte njohja e dretjpërdrejtë e situatës së vështirë ekonomike e administrative. Misioni kishte autoritet të plotë për të zbatuar masa urgjente për përmirësim të gjëndjes dhe për të bërë rekomandime për qeverisje më të mirë në provincat e trazirave.“Ndërkohë, pozita e qeverisë xhonturke sa vinte e bëhej më e pasigurtë. Lufta me Italinë po zvarritej pa ndonjë shpresë për fitore përfundimtare të Turqisë, trazira serioze kishin ndodhur në Shqipërinë e veriut, ku operacionet ushtarake nën drejtimin e Torgut Shevket Pashës[2] dhe Xhavit Pashës kishin  arritur ta shtypnin përkohësisht një lëvizje revolte të përhapur gjërësisht. Në të njëjtën kohë ishtë e dukshme që regjimi i xhonturqve nuk kishte arritur t’i kënaqte minoritetet e krishtera në provincat europjane dhe tashmë kishte shenja të dukshme që tregonin se ekzistonte mundësia që shtetet ballkanike mund të bashkoheshin për herë të parë për veprime të përbashkëta në favor të tyre.”

Ishte një udhëtim i vështirë plot peripeci për shkak të terrenit të vështirë dhe infrastrukturës rrugore të papërshtatshme dhe sidomos të situatës tejet të turbullt e të trazuar të Ballkanit në prag të dy luftrave ballkanike dhe gjatë kryengritjeve shqiptare për pavarësi (1910-1912).

Udhëtimi bëhej pjesë-pjesë me tren, me karrocë, me kuaj, në këmbë, me varkë.Më 17 shkurt 1912 Komisioni i lartë nis Misionin e veçantë osman. Segmenti i parë i udhëtimit bëhet me tren nga stacioni hekurudhor kryesor i Stambollit ‘Sirkexhi Stasion’ për në Selanik – Shkup – nëpër Grykën e Kaçanikut – Ferizaj – Prishtinë. Graves-i kujton: “Në mëngjesin e ditës së katërt shkuam me karrocë në stacionin hekurudhor dhe gjatë rrugës pamë Tyrben e Sulltan Muratit I (rreth 10 km larg Prishtinës), të ndërtuar pikërisht në vendin ku ai monark u ther për vdekje nga fisniku i ri serb Milosh Kobelitch në mëngjesin e fitores së madhe turke të Kosovës në vitin 1389, e cila i dha fund Perandorisë Serbe të Stefan Dushanit”. Pastaj u nisën për në Mitrovicë, ku ishte edhe terminali i hekurudhës së ndërtuar më 1873 nga qeveria osmane.  Nga Mitrovica vazhduan udhëtimin për në Pejë me kaloshin me katër rrota. Në qytetin e lashtë të Pejës “Haxhi Adili, Valiu, Fuloni dhe unë zumë vend në shtëpinë e guvernatorit ushtarak Xhafer Tajar Beu, një nga tre vëllezrit shqiptarë nga Prishtina, të cilët luajtën rol të spikatur në revolucionin xhonturk.” Pastaj, më tej vazhdonte një udhëtim i vështirë me kuaj (here-herë më këmbë) nëpër terren malor për në Gjakovë – Prizren – Kukës – Qafë Malit, Pukë, Fushë-Arrës – Mirditë e Shkodër. Pastaj vazhdonte udhëtimi (me kuaj, karrocë, trap) për  Shëngjin – Lezhë (Lesh) – Golem, Tiranë (Krujë, kalimthi) – Elbasan (2 ditë) – Berat – Mallakastër – Tepelenë – Këlcyrë – Përmet – Gjirokastër – Janinë ( 9 ditë qëndrim, u larguan më 23 prill) – Leskovik – Korçë (2 ditë) – Dibër (këtu mbaron udhëtimi e inspektimi nëpër Shqipëri; pastaj i çojnë bagazhet në Strugë, për të shkuar me lundër nëpër Liqenin e Ohrit në Shën Naum) – Resnja, Manastir ( 8 ditë pushim në Manastir) – Prilep – Selanik (më 20 maj 1912, pas më shumë se 3 muaj udhëtimi arritën në Selanik, FUND) – Adrianopojë (jashtë itinerarit dhe fundi i udhëtimit, më 26 maj 1912) – Stamboll.

Siç shihet nga itinerari, vizitojnë shumë qytete, në disa prej të cilave qëndrojnë disa ditë për inspektim dhe çlodhje.

Për Shkodrën thotë se është një qytet i mirënjohur nga shumë të huaj. Qëndrojnë 10 ditë në Shkodër (20-30 mars). Në kujtimet e tij Robert Graves-i jep përshkrimin e mëposhtëm të Shkodrës: “Skutari e Shqipërisë, ose Shkodra, siç e quajnë vetë shqiptarët, ka qenë për një kohë të gjatë dhe aq mirë e njohur nga europjanët sa që unë nuk do të përpiqem ta përshkruaj, poe po them vetëm se ajo paraqiste pamjen e zakonshme të një qyteti provincial turk me rreth 30 mijë banorë, ishte selia e Guvernatorit të Përgjithshëm dhe shtatmadhoria e një divizioni të ushtrisë. Liqeni i Shkodrës, vërshimi i të cilit e shtyn derdhjen e Bunës në bregdetin e Adriatikut afër Ulqinit, e ndan nga Mali i Zi. Vetëm rreth njëzet milje më tutje në veri dhe verilindje të qytetit fillojnë vargmalet e larta të populluara nga pesë klanet e malësorëve, shumica të krishterë, të cilët ishin bashkuar në kryengritjen e kohëve të fundit dhe nuk kishin rënë ende në ujdi me autoritetet turke”. [Këtu bëhet fjalë për Memorandumin e mirënjohur të hartuar nga Ismail Qemali dhe të nënshkruar në Kuvendin e Greçës me 23 qershor 1911 nga 22 bajraktarët e 6 fiseve të Malësisë së Madhe (Hoti, Gruda, Shkreli, Kastrati, Kelmendi e Shala), si edhe nga Luigj Gurakuqi, Ded Gjon Luli, Mehmet Shpendi, Tringa Smajlia, Risto Siliqi, Hil Mosi, etj., gjithësejt 34 pjesëmarrës.]

Gjatë qëndrimit në Shkodër takohet me valiun Hajri Pasha, një nga pashallarët e shumtë osmanë të emëruar nga sulltani që nga shuarja e dinastisë së famëshme të Bushatllinjve dhe që zakonisht nuk qëndronin në Shkodër më shumë se 7-8 muaj, maksimumi 1-2 vjet, nuk bënin asgjë për zhvillimin e qytetit dhe vilajetit të Shkodrës (dhe as që kishin mundësi të bënin gjë), sepse mendonin vetëm për të mbushur xhepat e tyre. Hajri Pasha ishte një njeri i paaftë që u shërbente dhe u bënte ndere atyre që ia lyenin rrotat e qerres më mirë. Ashtu ndodhi edhe me Esat Pashë Toptanin që e zëvendësoi një vit më vonë, kur u bë për pak muaj vali i Shkodrës, i cili ia shiti serbo-malazezëve gjakun e shkodranëve dhe ua dorëzoi atyre portat e qytetit për 10 mijë lira stërlina. Shkodranët nuk ia falën kurrë Esat Pashës këtë tradhëti. Robert Graves-i vlerëson personalitetin e komandantit të divizionit të Shkodrës Hasan Riza Pasha, officer i aftë karriere që kishte kryer akademinë ushtarake në Gjermani dhe mbante gradën e gjeneralit, të cilin, siç dihet, e vrau Esat Pasha me tradhëti.

Esat Pashë Toptani duke ia dorëzuar Shkodrën serbo-malazezëve, pikërisht te muri i kështjellës së Rozafës.

Kujtimet e Graves-sit tregojnë se ka njohje të mirë për veprimtarinë humanitare të Edit Durhamit dhe popullaritetin e saj në malësitë e Shqipërisë së Veriut dhe për vizitën e Edward Lear-it në Shkodër në gjysmën e parë të shekullit XIX. Kur Misioni special kalon nëpër zonën e vështirë malore të Pejës, Gjakovës e Prizrenit, Robert Graves-i përmend Edward Lear-in kur thotë se “bile as Edward Lear-i në udhëtimet e tij të gjëra nëpër Shqipëri më 1848, të përshkruara në mënyrë të admirueshme dhe të ilustruara aq bukur në veprën e tij “Ditari i një piktori pejzazhist në Shqipëri dhe Iliri”, nuk guxoi të vinte deri këtu ku erdhëm ne në Tokën e Askujt të Turqisë Europjane”.   Kurse për Edit Durhamin, ai e dinte se ajo kishte kohë që “ishte angazhuar energjikisht në Ballkan me punë dhe ndihma humanitare qysh kur kishte ardhur në Maqedoni me Buxton-ët më 1903”. Kur Graves-i shkoi në Shkodër, pyeti për të dhe kërkoi ta takonte. I thanë se “Zonjusha Edith Durham kishte shkuar atje midis malësorëve mbi të cilët ushtronte ndikim të jashtëzakonshëm, mirëpo kur erdhi në Shkodër, ajo më dha informacion për çështjen e ankesave e halleve të tyre dhe për nevojën urgjente për ndihma, veçanërisht për furnizimin me misër për mbjelljet e pranverës përpara se të ishte tepër vonë”.

Për Edit Durhamin Graves-i jep një fakt interesant të pakënaqësisë së autoriteteve turke të Shkodrës ndaj Durhamit sepse përkrahte e ndihmonte malësorët. Më 26 maj, pas përfundimit të Misionit special, Ministri i Brendshëm Haxhi Adili e fton Robert Graves-in për të bërë një visitë të shkurtër në Adrianopojë (Edirnen e sotme). Gjatë vizitës, ministri turk në konfidencë i kërkon mendim Graves-it nëse duhej ta zbonte Edit Durhamin nga Shkodra pas kërkesës së autoriteteve turke të qytetit, të cilët ishin të shqetësuar për “ndikimin e jashtëzakonshëm të Miss Durham-it mbi malësorët e pabindur e kokëfortë”. Graves-i e bindi ministrin turk se në asnjë mënyrë nuk duhej ta ekstradonte Edith Durham-in: “Unë e binda atë me forcë se në asnjë mënyrë nuk duhej ta bënte një budallallëk të tillë duke e siguruar se ndikimi i Miss Durham-it buronte krejtësisht nga përpjekjet e saj të palodhura e vetmohuese për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe se dëbimi i saj mund të kishte vetëm pasojat më shkatërrimtare, jo vetëm në vilajetin e Shkodrës, por edhe në opinionin publik në Angli.” (f. 276)

Takohen me Dom Preng Doçin, Kapidan Marka Gjonin dhe Preng Bib Dodën (Preng Pashën) në Orosh të Mirditës: “Ne bëmë disa intervista me abatinme mitër të Mirditës, Monsinjor Primo Doçi gjatë të cilave na tha se nuk kishte fare besim në premtimet e turqve dhe tha se tani për tani do të ishte më mirë që Haxhi Adili të hiqte dorë nga të gjitha premtimet e tij për shkolla, ndërtim rrugësh, rigrupim të klaneve dhe rekrutim të mirditorëve në xhandërmari…. E vetmja gjë që kërkonin mirditorët ishte që t’i linin rehat të shikonin punët e tyre.”

Një nga pjesët më interesante të kujtimeve të Graves-it është takimi i tij me Esat Pashë Toptanin dhe përshtypjet e tij për të. Sipas bashkatdhetares së tij Edit Durham, me të cilën ai u takua disa herë gjatë qëndrimit 10-ditor në Shkodër dhe nga e cila mori informacione të vlefshme, Esat Pashë Toptani “ishte një relikë e çuditshme e Mesjetës . . . një nga aventurierët e pashëm e kapadai që ia shisnin veten dhe shërbimet e tyre monarkucëve, princushëve e dukëve rivalë në shekujt XV e XVI, dhe e transferonin veten gjithë qejf tek armiku nëse ai u jepte pagë më të mirë – njerëz tek të cilët nuk ishte e zhvilluar fare ndjenja e kombësisë dhe tek të cilët ndjesia e nderit, ta themi butësisht, kishte mangësi.”

Robert Graves-i i rikthehet figurës së Esat Pashë Toptanit gjatë qëndrimit disaditor në Janinë, nga një takim rastësor me komandantin e Divizionit të Janinës, me të cilin ishte njohur më parë në Selanik.  Ai gjithashtu quhej Esat Pasha dhe vinte nga një prej familjeve të vjetra shqiptare të Janinës. Në kujtimet e tij Graves-i bën krahasimin midis Esat Pashës së Janinës dhe Esat Pashë Toptanit, i cili më 1908 kishte qenë gjithashtu, për pak kohë, komandant xhandërmarie në Janinë:

“Nëntë ditët e qëndrimit tonë në Janinë ishin të zëna kryersisht me diskutimin e çështjeve ekononmike e shoqërore, si ndërtimi i rrugëve, siguria publike, reformimi i taksës së të dhjetave, përmirësimi i gjëndjes së fshatarësisë duke i parcelizuar pronat e mëdha e të administruara keq dhe duke ua shpërndarë kultivuesve të tokës. Por ne ishim të detyruar të duronim edhe serinë e argëtimeve të lodhëshme, duke ngrënë jashtë çdo natë me autoritetet civile, ushtarake, komunale e arsimore (greke) dhe duke dëgjuar oratoritë e tyre të stërgjatura me sinqeritet më shumë se të dyshimtë.Kujtimet e mia më të këndshme janë vizitat e përsëritura në shtëpinë e Esat Pashës, komandantit të divizionit, ai vetë kryetar i njërës prej familjeve të vjetra të Janinës me traditë të mirë të marrëdhënieve miqësore me fqinjët e tyre të krishterë. Ai shquhej për karakterin e tij të lartë dhe për pikëpamjet liberale – në të gjitha drejtimet ai ishte antiteza e emnakut të tij, Esat Pashë Toptanit gjysëm-barbar e të paskrupullt, i cili na kishte shoqëruar nga Lumi i Matit deri në Elbasan”.

Në mëngjesin e 30 marsit Misioni special u nis nga Shkodra, i përcjellur nga paria e qytetit deri në dalje të qytetit, drejt Lezhës e Shëngjinit. Robert Graves-i kujton se kur arritën në breg të lumit Mat, “na priste famëkeqi Esat Pashë Toptani i Durrësit[3] me një shpurë të madhe të armatosur. Na hipën në një trap prej dy varkash të lidhura bashkë, ndërsa kuajt duhej të notonin mbrapa nesh. I gjithë operacioni zgjati më shumë se dy orë. Tani ishim në territorin vetjak të Esatit, në të cilin si kryetar i familjes së fuqishme të Toptanëve ai sundonte suprem dhe e mbante veten me të madh gati si princ sovran. Ai u vu në krye të grupit tonë dhe na udhëhoqi, përsëri nëpër baltën deri në gju, për në fshatin Golem, ku do të kalonim natën dhe ku erdhën Kajmekami dhe paria e Krujës për të shprehur respektin e tyre. Shiu kishte pushuar dhe doli dielli duke na shfaqur një pamje madhështore të fortesës së vjetër të Krujës, kalasë së famëshme të Skënderbeut, me kullat dhe minaret që konturoheshin në qiell përball diellit që po perëndonte. Nuk mund ta hiqnim qafe Esatin, i cili ishte instaluar në shtëpinë ku kishim zënë vend Haxhi Adili, Foulon-i dhe unë. Ai na priti deri në orën dhjetë për të ngrënë darkë bashkë me ne, ndërsa vazhdonte të fliste kryesisht për rëndësinë që i jepte vetes dhe ngulmonte se xhonturqit nuk arrinin t’ia njihnin meritat. Mirëpo gjatë mungesës herë pas here të Haxhi Adilit, ai përpiqej të na mbushte mendjen se sa fort e urrente dhe e kishte frikë regjimin e ri në Turqi, regjim i cili, nëse do të zbatohej, do t’i jepte fund pozitës së tij të privilegjuar dhe do ta detyronte të ikte nga vendi”.(Kapitulli XVII, faqe 266-267)

Të nesërmen në mëngjes Misioni u nis për në Tiranë. Në Derven Haxhi Adilin dhe Graves-in i priste Esat Pasha për t’i shoqëruar me karrocën e tij. Graves-i tregon për bisedën intime që bëri me Haxhi Adilin rreth planeve të Esat Pashës: “Ministrin dhe mua na vendosën në Konakun Qeveritar dhe kaluam një mbrëmje të qetë së bashku. Atëherë Haxhi Adili më tha disa gjëra që unë tashmë i dija – konkretisht, se Esati kishte ardhur për të bërë pazarllëkun më të mirë të mundshëm për veten e tij, dhe se ai ishte i gatshëm që t’i jepte mbështetjen e tij qeverisë xhonturke në Zgjedhjet e Përgjithshme që ishin duke u zhvilluar ndërkohë. Gjithashtu ai do t’i ndihmonte ata për ta mundur kundërshtarin e tyre më të fuqishëm e më të vështirë Ismail Qemal Beun, udhëheqësin e Nacionalizmit Shqiptar në jug, në këmbim të një posti fitimprurës në Ministrinë e Luftës në Konstandinopojë, si dhe të mosndërhyrjes në sferën e tij të influencës. Pazarllëku vazhdoi mjaft gjatë, aq sa u detyruam ta shtynim nisjen për të nesërmen. Pas darkës Haxhi Adili erdhi e më tha në konfidencë se ata më në fund kishin rënë dakord dhe se Esati do të shkonte në Konstandinopojë si anëtar i një Komisioni në Ministrinë e Luftës dhe do të jepte dorëheqjen nga posti në Parlament ku sapo ishte zgjedhur si deputet i Durrësit”.

Kur Misioni arriti në Elbasan po zhvilloheshin Zgjedhjet e Përgjithëshme. Të nesërmen në mëngjes mësuan se rezultatet e votimit i udhëhiqte një bej i pasur shqiptar që nuk ishte përkrahës i qeverisë xhonturke dhe kishte të ngjarë të zgjidhej. Haxhi Adili deshifroi në praninë e Graves-it “një telegram nga Konstandinopoja që thoshte se Ministri i Luftës ishte i vendosur për ta thyer pushtetin e Esat Pashës, por që qeveria po priste për vendimin e tij. Adili më tha mua se po përpiqej të fitonte kohë duke e parë fuqinë e dukshme të lëvizjes separatiste shqiptare dhe rrezikun për ta kundërshtuar hapur një prijës vendas aq të fuqishëm siç ishte Esati. Kështu Esati shkoi në Konstandinopojë për të marrë në dorëzim postin e tij në Ministrinë e Luftës, kurse ne kaluam dy ditë në Elbasan gjatë të cilave Fouloni dhe unë eksploruam qytetin me rrethinat e tij piktoreske dhe bëmë sondazhet tona për situatën politike. Të dhënat që mblodhëm nga burime të pavarura dhe jozyrtare tregonin se ne ishim larguar nga rajoni i nacionalizmit të rrezikshëm dhe nga propaganda e huaj në veri dhe se këtu të paktën nuk kishte rrezik imediat për trazira, në qoftë se qeveria do të hiqte dorë nga zbatimi i ligjeve të reja dhe të ashpra për rekrutim të përgjithshëm dhe nuk do t’i rriste taksat e drejtpërdrejta.”

Pas Elbasanit, u nisën me kuaj drejt Tepelenës. Pasi kaluan fshatin malor të Gllavës, “qëllimi ynë ishte që ndalesën tjetër ta bënim në Tepelenë, në vendlindjen e Ali Pashait të shquar, i cili kishte luajtur një rol aq të madh në historinë e Turqisë Europjane gjatë viteve të para të shekullit të nëntëmbëdhjetë.” Në fakt, për shkak të vërshimit të Vjosës, ndonëse arritën deri përball Tepelenës në bregun e kundërt të Vjosës, “ndonëse ishte tundim i fortë për ta parë fortesën e Ali Pashës, në anën tjetër të lumit”, nuk e panë dot, por u detyruan ta kalojnë natën në Dragot dhe të nesërmen të kthehen në Këlcyrë e më tej në Përmet.

Në fazën e fundit të udhëtimit të tyre me kuaj, më në fund arritën në “qytetin krahasimisht të qytetëruar të Gjirokastrës, kur do të gjenin rrugë karroce për në Janinë. Në Gjirokastër u përballëm me një problem të ri në propagandën rivale të grekëve dhe shqiptarëve, e cila u manifestua kryesisht në çështjet e arsimit. Shqiptarët kërkonin që gjuha e tyre dhe alfabeti latin të bëheshin të detyrueshme në shkollat e tyre, ndërsa klerikët grekë i ndalonin fëmijët e tyre që të shkonin në shkollë.” Pas dy ditë pushimi në shtëpi të mira, Misioni special u nis me karroca për në Janinë.

Në Janinë “ne patëm shumë pak kohë për të vizituar qytetin, por një ditë përpara nisjes Foulon-i dhe unë bëmë si bëmë dhe e vizituam kështjellën dhe ishullin në liqenin ku Ali Pasha u vra me tradhëti nga armiqtë e tij. Pastaj shëtitëm me karrocë rretheqark qytetit dhe shkuam në fshat nëpër rrugën nga kishim ardhur për të parë rrapin e madh ku Aliu zakonisht i varte të gjithë ata që e kundërshtonin autoritetin e tij. U larguan nga Janina me 23 prill dhe u nisën drejt veriut përmes Leskovikut për në Korçë.

Pas një dite udhëtimi në një mot të ftohtë e me shi më në fund arritën në Korçë, e cila, sipas Graves-it, “ishte bërë kohët e fundit kryeqendra e një vilajeti në saje të rëndësisë së saj si qendër tregtare dhe arsimore, por dhe si fushë-betejë e propagandës greke dhe shqiptare. Në Korçë qëndruam dy ditë në shtëpi të mira që na i siguroi deputeti i sapozgjedhur i qytetit. Ndërkohë Ministrin nuk e la asnjë çast të qetë Valiu energjik, Ali Munif Beu, i cili nuk e pati fatin të shihte të zbatuar asnjë prej sugjerimeve e tij, sepse provinca e tij pushoi së qëni turke mbrenda pak muajsh. Në shkollën amerikane për vajzat shqiptare të themeluar njëzet vjet më parë, unë dëgjova nga zoti dhe zonja Kenedi një përshkrim të plotë të vështirësive dhe mangësive me të cilat përballeshin, të cilat unë ia bëra me dije Ministrit dhe mora premtimin e tij për t’i rregulluar”.

“Kthimi ynë në Konstandinopojë ishte arësye për t’u gëzuar për secilin nga ne që kishim qenë të lidhur me Misionin, disa anëtarë të të cilit e kishin kaluar praktikisht tërë jetën e tyre në kryeqytet dhe ishin fare të pamësuar me një lodhje të tillë dhe me mangësitë që nganjëherë ishim të detyruar të përballonim”.(f.277) Kur arriti Në stamboll, Roberti u prit në stacionin e trenit nga nipi i tij Philip Gaves. Fundi i këtij udhëtimi është edhe fundi i kujtimeve të Robert Graves-it për Shqipërinë dhe shqiptarët.

[1]Gawrych, George W., (2006). The Crescent and the Eagle: Ottoman rule, Islam and the Albanians, 1874–1913. London: IB Tauris. p. 193. ISBN 978-1-84511-287-5. (f. 167)

[2]Emri i tij i saktë është Shevket Turgut Pasha, një general osman famëkeq që shtypi me egërsi ekstreme e pabesi kryengritjet e shqiptarëve për pavarësi gjatë viteve 1910-1911.

[3] Në origjinalin anglisht: “the notorious Essad Pasha Topdan of Durazzo”.Facebook