Xhabir Tabaku

Ishte fillim shtatori por vapa e verës s’dinte të largohej. Nganjiherë të dielave, baba më merrte me vete në punë. Shkoja me dëshirë ndonëse nuk kishte farë variacioni a kënaqësie tjetër posë me ndihmu babën sadopak. Baba ishte i gjatë, me trupin e hollë me muskuj të fortë ndonëse i thatë në pamje. Kishte fytyren e zeshkët nga dielli e me tipare të skalitura. Atbotë un mendoja se baba im ishte burri ma i pashëm në botë. Kur ia thoja nanës ketë, më qortonte. – Boll se nuk shihet burri nga pashija. Baba jot asht burrë i mirë e kjo asht boll për ty, më thoshte ajo duke më pa në sy. Nuk e besoja nanen kur thoshte ashtu. Ajo me të vërtetë ishte e sertë në dukje por kishte shije prej artisteje. Përherë kam menduar se nana ishte në dashuri të thellë me babën ndonëse kurr nuk e pohonte ketë. Baba ka pas qenë gjeometër si fillim mbasi pat mbaruar gjimnazin, por e hoqën që aty sapo ra në burg axha Xhavit. Që atë ditë e deri sa doli në pension, baba nuk pat punë tjetër posë mirëmbajtje rrugash. Ishte nji ndërmarrje me emër të çuditshëm. “Ndërmarrja Rruga-Ura”. E caktonin me punë përherë jashtë qytetit e kështu nganjiherë mungonte natën në shtëpi. Flinte te barakat e gjeologëve a te kapanonet e minatorëve. Se ç’ishte nji minierë diku nga malsia në nji katund me emër skiç, Kurtaj. Bakër më duket se nxirrnin apo kërkonin. Atë ditë që po shkoja me babën, ishte caktuar me punë në segmentin Va i Dejes – Qafë Çelë. Nji ditë ma parë më kishte thanë me ble buk’ gruni sa të mundja. Thuaji edhe ndoj shoku bab, më thoshte se sevap ban. Janë do miq të mi në katund fukara të shkundur që agjinojnë e u vjen mirë kur u çoj buk gruni se e kan ma lehtë e u shijon ma shum iftari e syfyri. Pata ble tri. I futëm në nji trastë pece e un i mbaja hedhur pas shpine. Në Va të Dejës zbritëm nga autobuzi e hipëm në karrocerinë e nji kamioni. Shoferi e dinte ku me zbritë secilin. – Gani ulu ti e Lutfiu thirri ai nga kabina si e uli pak shpejtësinë. – Jo jo i tha baba, kam djalin sot për ndihmë. Jepja Lutin dikuj tjetër. Tek ecnim ngadalë drejt grumbujve të çakullit baba më tha se për Lutfiun flitej të ishte hafije. Rruga ishte e shkretë. Ndoshta nji kamion në orë kalonte aty pari. Gjinkallat plasnin kangën monotone të zhegut. Mbasi mbushnim ca gropa të rrugës me çakull, hidhnim trastat e veglat (nji lopatë e nji kazëm) mbi shpinë e merrnim rrugen përpjetë. Ja te ata shtëpijat atje do i çojmë bukët më tha baba duke shtrirë dorën në drejtim të tri a katër shtëpijave të vetmuara bri rruge. Asht nji plak bab, nja shtatëdhjetë a tetëdhjet vjeç, i sëmurë me veshka e mëlçi që agjinon me buzët e plasura. I ka dalë edhe diabet e ai vazhdon me agjinue përkundër këshillës së mjekut e të nji gjysë hoxhe që e ka fis. Atij i çoj përherë nga nji buk kur më caktojnë këndej. I ndrit fytyra plakut kur më sheh me trastë shpinës. Rrugës për tek shpija e Kasemit, ndalëm disa herë për të plotësuar gropat me çakull. Kur mbërritëm te shtëpia e parë doli nji burrë i moshuar e na ftoi me u futë nën hije të hardhisë. U ulëm mbi do trupa të prerë pemësh që shtriheshin përdhe. Mbasi morëm pak veten nga vapa e madhe bëmë këmbë. Mos shkoni sot nga Kasemi tha ai. – Pse? Pse çka ka ndodhë, e pyeti baba me habi. Dje ka qenë shumë keq dhe e kan çuar në spitalin e Pukës na tha.

Baba ishte i heshtur e i përmbajtur nga natyra. Nuk foli fare.Veç uli kryet.

Kur dolëm nga oborri në rrugë morëm teposhten drejt Shkodrës. Nuk folëm…

Kasemi kishte ndërruar jetë agjinueshëm më tha baba dy ditë ma vonë kur u kthye nga puna. Kasemin e kishin përcjellë te vorret vetëm nji grusht njerëz të afërm. Askush nuk u shkon kulakëve as në dasma as në mort tha, sikur po fliste me veten. Nana ndali ujin e çesmes e me pjatë plot shkumë ne dore erdh ngadalë drejt babës. Ky ishte nji ndër ata rastet që shihja nga nana i sigurtë se do ishte me sy të lagur.