Dy dokumentarë të rinj futen në sagën e Salvator Mundit “të” Leonardo da Vincit, në kohën kur po kulmojnë historitë për krimet në botën e artit, shkruan Caryn James për BBC.

Diku në Arabinë Saudite, e fshehur me urdhër të Princit të Kurorës, Mohammad bin Salman, gjendet piktura më e shtrenjtë në botë, Salvator Mundi i Leonardo da Vincit. Ndoshta jo! Askush në botën e artit nuk e di me siguri se ku është piktura. Shumica e vëzhguesve pajtohen se ka të ngjarë të jetë fshehur në Lindjen e Mesme, por disa kanë spekuluar se ruhet në një zonë pa taksa në Gjenevë apo në jahtin gjysmë-miliard dollarësh të Princit. Ndoshta kjo nuk është vepër e Leonardos. Imazhi i Krishtit si Shpëtimtar i Botës u cilësua si da Vinci i Fundit në ankandin e vitit 2017, kur u shit për një rekord prej 450 milionë dollarëve tek një përfaqësues i bin Salmanit (po, ai bin Salman të cilin CIA u shpall përgjegjëse për urdhërimin e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi). Por, edhe atëherë, shumë ekspertë të Leonardos ishin të dyshimtë nëse piktura kishte më shumë se disa prekje të furçës së tij, dhe ato dyshime janë shtuar që nga ajo kohë.

E mbuluar me vellon e misterit dhe të intrigave ndërkombëtare, historia e Salvator Mundit është një sagë e vazhdueshme, e pafund dhe magjepsëse, që tregohet në dy dokumentarë të rinj: “Leonardo i humbur” dhe “Shpëtimtari për shitje: Kryevepra e humbur e Da Vincit?”, të cilat kanë dramën dhe tensionin e një historie detektivësh. Ato vijnë pas librit interesant të Ben Lewisit të vitit 2019, “Leonardo i fundit”, dhe dhjetëra artikuj tjerë. Piktura që daton kah viti 1500, humbi në histori për më shumë se 200 vjet; u dëmtua dhe u restaurua keq dhe u shit dhe e rishit si një vepër e vogël, ndoshta nga një ndihmës i Leonardos. Por, tani Salvator Mundi ka famë që ndërlidhet me paratë, pushtetin dhe gjeopolitikën që përcakton botën e artit sot.

“Kur e zgjodhëm titullin”, thotë Andreas Dalsgaard, producent dhe skenarist i “Leonardos së humbur”, “frymëzimi kishte të bënte pjesërisht me faktin se piktura humbi dhe e vërteta humbi, por u frymëzua edhe nga filmat e ‘Indiana Jones’-it që janë plot thesare dhe gjueti thesaresh”.

Rruga drejt fame e mbase Leonardos nisi atëherë kur u shfaq në një shtëpi të dyshimtë ankandi në Nju-Orleans më 2005 dhe kur u ble nga dy tregtarë të Nju-Jorkut për 1175 dollarë. Ata e sollën tek Dianne Modestini, një restauruese e respektuar, që ia hoqi dekadat e njollave dhe bojëra të tepërta, dhe që ishte e para që dyshoi se mund të jetë një Leonardo i vërtetë.

Me narracionin e shkëlqyeshëm dhe një gamë të gjerë zërash nga tregtarët, historianët e artit e deri te gazetarët investigativë, “Leonardo i humbur” është më i miri nga dy filmat dhe përfiton shumë nga përdorimi i Modestinit si personazhi kryesor. Prania e saj në ekran është joshëse dhe elegante, me një zë të qetë dhe sy të gjerë prapa syzeve të zeza ose të kuqe. Ajo kaloi vite të tëra duke e restauruar pikturën dhe e mbron me këmbëngulje vërtetësinë e saj, në detaje të sakta, duke treguar pentimenton nën gishtin e madh të Krishtit ose një lakesë të gojës së tij që mund të ishte vetëm e Leonardos. Por, shumë ekspertë mendojnë se ajo e bëri një restaurim të tepërt e drastik. Në film, historiani i artit, Frank Zöllner, që ka përpiluar një katalog të pikturave të Leonardo, me keqardhje e quan Salvator Mundin si ” kryevepër të Dianne Modestinit”, që e  bëri “më Leonardesk sesa Leonardo e kishte bërë”. Nga ana e saj, Modestini e ka dokumentuar punën dhe studimet shkencore të pikturës, dhe i ka publikuar ato në internet.

Shumica e ekspertëve pajtohen sot se piktura ndoshta është prodhuar nga asistentët në punëtorinë e Leonardos, ku ai shtoi disa prekje përfundimtare – një praktikë kjo e zakonshme. Por, pasiguria është çelësi për ta bërë interesant çdo version të historisë, sepse siç thotë Lewis: “Askush nuk e di nëse është një Leonardo, kështu që edhe ju mund të luani lojën, mund ta bëni kodin tuaj da Vinci te Salvator Mundi”.

Cilësia e pikturës i ndan njerëzit. Kritiku amerikan i artit, Jerry Saltz, thotë te “Leonardo i humbur” se “nuk është as pikturë e mirë”, aq më pak një Leonardo i madh, derisa besimtarët e vërtetë mendojnë se ta shohësh atë personalisht është një përvojë transcendente (ndoshta, por në filma dhe imazhet tjera të riprodhuara ka një pamje më shumë neveritëse).

Disa nga komentet që t’i hapin sytë në të dy filmat nuk kanë të bëjnë me artin. Te “Leonardo i humbur”, Evan Beard, një ekzekutiv i Bankës së Amerikës që merret me artin si investim, flet për motivin e blerësve të zakonshëm për të përdorur veprat e artit si kolateral për manovra të tjera financiare. Filmi nuk ka qëndrim mbi atribuimin e pikturës, por e bën të qartë se muzetë, tregtarët dhe blerësit e mundshëm kishin miliona për të fituar – së bashku me prestigjin e pallogaritshëm – duke zgjedhur të besojnë se është një Leonardo i vërtetë.

Një pikë e madhe kthese ndodhi kur piktura u shfaq në mënyrë kontroverse si Leonardo autentik në një ekspozitë të vitit 2011 në Galerinë Kombëtare në Londër. Në të dy filmat, Luke Syson, kuratori i ekspozitës, mbron qëndrimin të tij. Por, shumë ekspertë, para kamerës dhe gjetkë në shtyp mendojnë se doli si përfundim i hershëm. Alison Cole, redaktore e “The Art Newspaper”, ka shkruar shumë për pikturën që e pa në Galerinë Kombëtare. Ajo thotë: “Që atëherë, Dianne Modestini vazhdoi të punonte në të. Por, kur e pashë, nuk m’u duk si autograf i Leonardos”. Sidoqoftë, ekspozita shkoi drejt legjitimimit të një atribuimi të lëkundshëm.

Dy vjet më vonë, disa personazhe hyjnë në lojë. Yves Bouvier, një tregtar zviceran i artit, e bleu pikturën nga tregtarët e Nju-Jorkut për 83 milionë dollarë, thuhet në emër të klientit të tij, të oligarkut rus Dmitry Rybolovlev, megjithëse kjo kundërshtohet nga Bouvieri. Brenda dy ditësh ai ia shiti Rybolovlevit për 127.5 milionë dollarë. Te “Leonardo i humbur”, Bouvieri i zgërdhirë thotë se veprimet e tij janë thjesht biznes, si zakonisht: “Blini lirë e shisni shtrenjtë (autoritetet zvicerane e hetuan atë për mashtrimin e Rybolovlevit për disa vepra arti, por këtë vit e mbylli çështjen pa e ngarkuar atë). Së shpejti, piktura ishte në rrugën e saj drejt shtëpisë së ankandeve, Christie’s.

Shitja nga Christie’s ishte dramë e inskenuar, duke filluar me një video marketingu që tregonte jo pikturën, por fytyrat e vëzhguesve – shumica njerëz të zakonshëm, e njëri prej tyre Leonardo DiCaprio – duke e parë me adminirim imazhin sikur të ishin duke parë vetë Krishtin. Blerësi ishte anonim, por “New York Times” shpejt zbuloi se ai po vepronte për bin Salmanin, një zbulim që e katapultoi pikturën në fushën gjeopolitike. Në atë kohë bin Salmani po përpiqej të lustronte imazhin e Arabisë Saudite duke i hequr disa kufizime. Shumica e vëzhguesve të botës së artit menduan se Salvator Mundi do të ishte qendra e një muzeu të ri ose qendre arti në rajon, por piktura nuk është parë në publik që nga ajo kohë.

Muzeu i Luvrit donte ta përfshinte atë në ekspozitën madhështore për të festuar 500 vjetorin e Leonardos më 2019. Vetë bin Salmani e vizitoi në Paris presidentin Emmanuel Macron në Paris, ndërsa huazimi i veprës ishte duke u marrë parasysh. Por, deri në konferencën për shtyp të ekspozitës, ishte një hapësirë boshe në mur që e priste Salvator Mundin, por nuk arriti kurrë. “New York Times” konfirmoi thashethemet se Luvri nuk do e pranonte kërkesën e bin Salmanit që piktura e tij të shfaqet në të njëjtën dhomë me Mona Lisan, duke i dhënë asaj një status gati të barabartë.

Cole ishte i pari që raportoi në mars të vitit 2020 për ekzistencën e një broshure prej 46 faqesh që Luvri e përgatiti për botim, por nuk u botua kurrë, gjë që pretendon se vepra është një Leonardo autentik. Për shkak se Luvri nuk mund të komentojë mbi veprat në pronësi private që nuk i ka shfaqur, broshura nuk mund të botohet dhe, në fillim, thotë Cole, muzeu mohoi ekzistencën e tij.

Filmi i regjisorit Antoine Vitkine, “Shpëtimtari për shitje”, më shumë shquhet për disa shtresa shpërthyese në lidhje me atë që mund të ketë ndodhur prapa skenave në Luvër. Dokumentari mbulon pjesën më të madhe të të njëjtit terren si “Leonardo i humbur”, por me më pak stil e me shumë aksione. Vuan nga mungesa e Modestinit ose ndonjë figure tjetër bindëse qendrore. Por, ka dy burime anonime, me fytyrat e tyre të fshehura para kamerës, të identifikuar si zyrtarë të rangut të lartë të qeverisë franceze që kishin qasje në studimet e Luvrit për pikturën dhe në negociatat franko-saudite. Një nga burimet thotë se Luvri arriti në përfundimin se Leonardo thjesht “kontribuoi në pikturë”, por që bin Salmani do të miratonte huazimin vetëm nëse Salvator Mundi do të etiketohej si Leonardo autentik. Burimi thotë se ai këshilloi e qeverinë se “ekspozimi nën kushtet saudite do të ishte si spastrimi i një vepre që kushtoi 450 milionë dollarë”. Luvri dhe Galeria Kombëtare nuk pranuan të komentojnë në këtë film.

Të dy dokumentarët vijnë në kohën kur filmat, podkastet dhe vetë kultura pop duket e magjepsur nga krimet e artit, nga misteret dhe falsifikimet. Vitin e kaluar, dy dokumentarë, “Të bëri të shohësh” dhe “Nxitja nga abstraksioni” e trajtuan rastin e Galerisë “Knoedler” në Nju-Jork, e cila për gati dy dekada shiti falsifikime të supozuara të mjeshtërve të shekullit të XX, përfshirë Mark Rothkon dhe Jackson Pollockun. Me vetëdije apo jo? Kjo është një dilemë. Seria e Netflix-it, “Kjo është plaçkitje”, merret me vjedhjen e veprave të mjeshtërve në vitet 1990, përfshirë Rembrandtin, nga Muzeu “Isabella Stewart Gardner” në Boston. Seriali është plot teori konspirative për grabitjen që nuk u sqarua kurrë.

Lewis ka një podkast të ri me tetë episode, “Arti i dështuar: Rrëfimet skandaloze të botës së artit”, që merret me histori të “krimeve më të shëmtuara, të skandaleve më të mëdha dhe të çudtishme”. Subjektet janë që nga Inigo Philbrick, e akuzuar penalisht për mashtrim të klientëve duke shitur më shumë se 100 për qind të aksioneve në vepra arti, deri tek një arkivol ari egjiptian, e kaluara e tij e kontrabanduar e të cilit doli në pah pasi Kim Kardashian u fotografua pranë tij në një gala të Muzeut Metropolitan. Që atëherë Muzeu e ka kthyer arkivolin në Egjipt. Se këto ngjarje mund të funksionojnë në një podkast, ku askush nuk mund ta shohë punën që përshkruhet, kjo tregon se joshja e tregimeve të sotme për krimet në art është interesante e jo estetike.

Duket se shumë faktorë janë bashkuar për këtë moment lulëzimi për krimet e vërteta në art. Ka kaq shumë informacion në sferën publike saqë të gjithë mund të kenë iluzionin e të qenit të brendshëm. Ka gjithnjë e më shumë platforma për të treguar histori. Dhe, Lewisi thekson se teksa tregu i artit është zgjeruar, vetë pikëpamja jonë për botën ka ndryshuar.

Krahas të gjitha këtyre historive të ngatërruara e interesante, asgjë nuk e kundërshton Salvator Mundin. Pos nëse dokumentacioni i ri nuk del në sipërfaqe (pa gjasa pas gjithë këtyre shekujve), ose nuk vjen një metodë e re shkencore e vërtetimit (gjithashtu e ndërlikuar, sepse vepra është dëmtuar shumë), misteri mund të jetë i përjetshëm. “Jam absolutisht i sigurt se brenda gjashtë muajve ose një viti, do të ketë një lloj informacioni të ri, i vërtetë apo jo, që do të shpërthejë kudo në media”, thotë Dalsgaard. “Për sa kohë që kjo pikturë është e fshehur nga bota dhe e ardhmja dhe fati i pikturës është e panjohur, ajo do të mbulohet në një fushë misterioze dhe bota do të jetë gati të lexojë çdo gjë të re. Sepse, tekefundit, kjo është një histori zbavitëse”./telegrafi/