NGA MERXHAN JAKUPI

Sipas disa sondazheve në Izrael, shumica e popullit prej mbi 85 për qind janë kundër rikthimit të territoreve të okupuara palestineze. Po ashtu, ata janë kundër çfarëdo federalizmi apo konfederate mes hebrenjve dhe palestinezëve. Madje asnjë subjekt politik apo opozita në Izrael nuk janë për planin paqësor dhe formimin e dy shteteve, pos subjekteve politike arabo-palestineze që janë pro formimit dhe sovranitetit territorial dhe integritetit, ku sipas rezolutës se Kombeve të Bashkuara, Izraeli duhet t’i rikthejë pjesët e okupuara. Kundër rikthimit të territoreve të okupuara nuk ka përkrahje edhe nga pjesa e elitës intelektuale dhe akademike izraelite.

* * *

Ekzistojnë disa organizata humanitare e pacifiste që janë kritikë dhe kanë ngritur zërin kudër diskriminimit dhe ndërtimit të vendbanimeve të reja të okupuar nga kolonët hebraikë. Njëri ndër kritikët, humanistët dhe pacifistët më prominentë është Gidoon Lewy. Ai e ka quajtur qeverinë e Benjamin Netanjahut si një regjim të aparteidit, shtypësit më bizar. Lewy thotë se ndryshe nga aparteidi në Afrikën Jugore, ku zezakët torturoheshin si skllevër, ndërsa raca e bardhë ishte superiore dhe sundonte në të gjitha institucionet dhe hierarkinë e shtetit, aparteidi në Izrael dallohet nga ai i Afrikës Jugore. Përveç diskriminimit dhe segregacionit, bënë dhe pastrim etnik, kolonializim dhe okupim të një shteti. Lewy potencon se që nga formimi i shtetit hebre, Izraelit, më 1948, vazhdohet me judaizmin ekspansionist dhe okupimin e territoreve palestineze. Populli palestinez që është autokton mbetet i pa mbrojtur, ndonëse në Botën arabe ka 21 shtete arabe. Projekti sionist si kontinuitet konsiston me shtrirjen e pushtimit të tokave arabe.

Sipas projektit dhe elaboratit sionist, të gjithë popujt ose etnitetet që kanë origjinën, së paku nga një prind ose që konvertohen në judaizëm, mund të vinë të marrin shtetësinë izraelite dhe të jenë qytetarë të barabartë. Të gjitha familjet dhe individët që kanë prejardhje hebraike ose që janë konvertuar në judaizëm, marrin pasaporta në aeroportin e Tel-Avivit dhe fitojnë shtetësinë izraelite. Këta kolonë dhe emigrantë marrin nga qeveria e Izraelit banesa falas, ku do të banojnë si kolonë në vendbanime të reja që okupohen nga tokat palestineze.

Populli palestinez që nga pavarësia dhe fillimi i okupimit të territoreve nuk kanë shtetësinë dhe janë qytetarë që nuk njihen nga asnjë shtet tjetër në botë.  Ata marrin nga qeveria e Izraelit viza për qarkullim të kufizuar. Lewy në gazetën  e pavarur izraelite “Haretz” thotë se është turp për popujt e civilizuar dhe botën demokratike që edhe në dekadën e tretë të shekullit 21 po veprojnë kështu dhe si do të dukej po ta kishin edhe ata këtë fatkeqësi të palestinezëve.

NGA NJË POPULL VIKTIMË NË NJË POPULL PUSHTUES

Populli i lashtë hebre ka qenë i përndjekur shumë shekuj më parë e deri në Luftën e Dytë Botërore, kur u ndoqën nga nazistët. Si pasojë kishin vrasjen e më se 5 milionë hebrenjve, të cilët u asgjësuan në furrat e kampeve të koncentrimit në Aushvicë e gjetiu, duke përjetuar një holokaust të vërtetë. Pas një tragjedie të këtillë të hebrenjve, shtetet perëndimore u treguan të mëshirshëm e humanë, duke lejuar që ky popull i përvuajtur ta ketë shtetin e tij. Mirëpo, populli hebre e keqpërdori këtë privilegj dhe përkëdhelje nga shtetet perëndimore, sepse pas holokaustit u shndërruan nga një popull viktimë në një popull pushtues dhe agresor, shkruan ky analist dhe njohës i mirë i gjendjes në Lindjen e Afërt.

Të gjithë ata që janë kritikë ndaj gjendjes së krijuar, nuk e mbështesin qeverinë e Tel-Avivit, por për këtë ata akuzohen nga ajo qeveri si anti-semitistë. Po ashtu analistë dhe studiues, njohës të mirë të çështjes së konfliktit mes palestinezëve dhe hebrenjve, për atë nëse do të zgjidhet apo jo ngërçi i këtij konflikti që është një ndër më të komplikuarit në botë, thonë se është utopike dhe iluzore që Tel-Avivi të pranojë shtetin palestinez. Po ashti, edhe Gidoon Lewy, në gazetën Haratz shkruan se shteti hebre ka 9 milionë banorë në një territor prej 20 mijë kilometrash katrore, nga i cili afër 60 për qind e territorit është shkretëtirë, e banuar me beduinë, ndërsa 40 për qind janë vende urbane, ku në një kilometër katrorë jetojnë afër 3 mijë banorë dhe pos hebrenjve jetojnë edhe 2 milionë arabë dhe afër 1 milionë mikro-etnitete të tjera. Sipas sionistëve, edhe pse e themeluan shtetin hebre, këtë e konsiderojnë si një mini-shtet, me një sipërfaqe sa për një provincë, ndërsa arabët kanë 21 shtete dhe me miliona kilometra sipërfaqe tokë, dete dhe oqeane në këtë rruzull tokësor.

Gazetari dhe publicisti Gidoon Lewy shkruan se kohët e fundit projekti sionist është dëbimi i palestinezëve nga Jerusalemi lindor, në mënyrë që ky të promovohet si kryeqytet i Izraelit. Policia dhe ushtria hyjnë nëpër banesa të palestinezëve, duke i nxjerrë me dhunë dhe në vend të tyre sjellin kolonë çifutësh ose blejnë shtëpi e prona të tjera në Jerusalemin lindor nga organizata dhe individë hebrenj. Lewy po ashtu thekson se më parë kishte qenë e ndaluar vizita e hebrenjve në Xhaminë Al-Aksa, ndërsa tash nën mbikëqyrjen e policëve shumë hebrenj vizitojnë këtë xhami. Tashmë është bërë shumë më lehtë vizita në Jerusalemin lindor dhe në xhaminë Al-Aksa, madje edhe për shtetas të huaj, por jo edhe të palestinezëve nga tokat e okupuara.

Me këtë rast po e përmendim rastin e imamit, Alim Bekimit, në qytetin Wil të Zvicrës, i cili është imam i xhamisë së komunitetit mysliman. Ky imam ka organizuar dhe realizuar, pos aranzhimeve të tjera, edhe ekspedita për vizitë në Izrael, përkatësisht në Jerusalemin lindor dhe në xhaminë Al-Aksa, pa kurrfarë problemesh. Me këtë shembull, konfirmohen fjalët e gazetarit hebre, Lewy, se vizitat e shtetasve të huaj në Jerusalemin lindor dhe në xhaminë Al-Aksa, realizohen pa problem, ndërsa palestinezëve po u ndalohet vizita apo realizohet me shumë peripeci dhe tortura, ndërsa u lejohet vetëm për ata që janë më afër këtij tempulli, me leje speciale të qeverisë, duke kaluar kontrolle të rrepta nëpër post-blloqe.

ME ASNJË KUSHT NUK NDRYSHON PROJEKTI SIONIST

Një gazetar i agjencisë Al-Jazeera që i bëri pyetje kolegut të tij hebre, Lewy, se nëse Hamas-i do të heq dorë ka terrorizmi dhe modernizohet, me një doktrinë pacifiste dhe, në fund, do ta njohë shtetin e Izraelit, për çka kohëve të fundit ka pasur sinjale të tilla, për arritjen e një konsensusi dhe gjetjes së gjuhës së përbashkët për çështjen palestineze, ku të dy fraksionet do të kenë një kauzë të përbashkët, për pavarësinë e shtetit të tyre palestinez. Gazetari hebre doli me përgjigje se është skeptik dhe se një opsion i tillë i duket paksa utopik. Ai ka paraqitur qëndrimin e tij se edhe po qe se do të arrihej një unitet dhe konsensus mes Hamas-it dhe Fatah-ut, nuk do të ndryshonte asgjë nga projekti sionist. Po ashtu, qeverisë së Benjamin Netanjahut, me partitë e djathta ultra-nacionaliste ortodokse, i konvenon Hamas-i, të cilin e shfrytëzon si pretekst për të vazhduar me okupimin e pjesëve të tjera të territoreve palestineze, ku po ndërton vendbanime për kolonë çifutësh. Madje, edhe po të arrihej një zgjidhje e gjuhë të përbashkët mes liderëve të fraksioneve palestineze, nuk mund të ketë zgjedhje të lira në një situatë të status-quos, ku mbi territoret e okupuara po ushtrohet një aparteid. Nuk mund të mbahen zgjedhje të lira dhe kampanjë, në mungesë të lëvizjes së lirë për liderët palestinezë nga policia dhe ushtria izraelite.