E njohur në folklorin shqiptar si “Besa e Konstandinit”, kjo këngë e kënduar nga ylli i muzikës arvanitase e arbëreshe, Thanasi Moraiti, ka disa specifika të mënyrës së këndimit arkaik, të cilat na kthejnë në melosin e mesjetës së hershme, si dhe nën ndikimin e muzikës kishtare bizantine.

Varianti arbëresh është fragmentar dhe nuk përshkruan në tërësi ngjarjen, sikur në variantin analog për Ago Ymerin e këngëve të veriut të Shqipërisë. Del shumë i kursyer në përshkrimin e situatave. Kalorësi Konstandin, në kohën kur ishte duke përfunduar afati i pritjes (i lidhur me besë në tri ditët e para të martesës), pasi kishin kaluar nëntë vite e nëntë ditë, kishte arritur nga Napoli në vendlindje dhe në ditën kur bashkëshortja, “E bukura”, po bëhej gati të lidhte kurorë me një kalorës tjetër, ai lajmërohet te dera e kishës. Nusja e njeh bashkëshortin dhe u drejtohet të pranishmëve me fjalët:

– O ju krushkë e ju bujarë,
Është ky trimi i zgjedhuri parë…

Përmbushja e besës, në këtë këngë, paraqet forcën e mbajtjes së premtimit që ishte karakteristikë për shqiptarët në të kaluarën.

Teksti është si më poshtë, në origjinal dhe i përshtatur në shqipen e sotme.