FARUK MYRTAJ

Me Betim Muçon po takohesha pas një çerek shekulli, në Maryland, USA, ku jetonte familjarisht prej vitesh. Arrita aty nga Toronto e Kanadasë, ku kisha mërguar vite më pas. …Në ngutin që na rrëmben për të rrëfyer sa më shpejt të veçantat që kanë ndodhur në kohën midis, s’di pse, nga ana ime, zuri vend tregimi “Fjala”.Po, pra po thosha (për Betimin e të tjerët aty) se ishte fjala për një tregim me subjekt të zhvendosur diku në… Amerikën Latine, ndaj shtova në të ca palma, shira të rëndë, sfond për një moment kur diktatori i atij vend, në tregim, pritej të vdiste, atje.

Aq diktator ishte ai atje, sa mjekët popullor dhe modernë nga e gjithë bota që josheshin të vinin ta shpëtonin, mohoheshin menjëherë nga familjet, lagjet, qytetet, vendlindjet e tyre. Gjithnjë në tregim, kishte kohë që flitej se mëkëmbësi i diktatorit pritej të ishte ndryshe, edhe pse ishte zëvendës i diktatorit…Ky mëkëmbës, gjatë një vizite në vend, shkon pas një fëmije, tek një dhomë ku gjyshi i tij ka ndërprerë të ngrënët. Plaku kërkon largimin e gazetarëve dhe flasin për diktatorin…Pastaj, plaku i thotë një FJALE aq të urtë, aq te mençur…sa…mëkëmbësi mendon aty për aty se këtë FJALË s’duhet të kishte thënë ai plak por…tjetërkush! Te nesërmen, ky mëkëmbës del vet në TV shtetëror dhe jep lajmin për vdekjen e diktatorit. Edhe pse vet Njësh tashmë, si kronist përcjell lajmin se Plaku që takoi dy dite më parë qe zhdukur nga forca të pa-identifikuara…

Betim Muço, duke mëndur llullën e tij, vazhdoi të buzëqeshte, deri sa kuptova se diku e kisha shkelur…““Për këtë tregim na ke folur fare herët, qysh atë kohë, Faruk. Mua dhe Ismail Kadaresë. Të ftova unë për kafe te Klubi i Gazetarëve, ku unë i pari të prezantova si krijues i ri me…Ismail Kadarenë! Ismaili të dëgjoi me shumë vëmendje, nuk t’i ndau sytë teksa ti tregoje pikërisht për “Fjalën”, dhe ai tërë kohës me një buzëqeshje…unë që e njihja Ismailin, dija ta lexoja.

Ndaj të thashë pak më parë, më beso mua, për këtë: Ismaili në thelb të tij, nuk i ka dashur Ata…”Mbeta i ngazëllyer, i pa gojë…&Tregimin “FJALA” e ruaj ende, shkruar me dorë, me penë, në vitet e para ’80.Josif Prifti – prozator mik e shok i viteve në Selenicë, dëshirë-mirë, ia kishte dhënë këtë dorëshkrim Ardian Klosit, njohje e tij. Klosi i kishte thënë fjalë të mirë, mbyllur me pikë-çuditësen: “Mirë, por s’e mora vesh ku donte të dilte ai Faruku yt(!)”Përfolja ndaj Klosit, sidomos në polemikat me Kadarenë, mund ta aludonte një “raport” të tij diku. Së paku, do t’ia kishte thënë me dy fjalë subjektin tezes së tij, bashkëshortes së Ramis Alisë, i cili mund të pandehej paraleli latino-amerikan i mëkëmbësit të diktatorit në tregimin tim që Dani sapo kishte lexuar! Nuk ka asnjë provë të dyshohet se ndodhi në rastin tim.

Asnjë shenjë tek unë. Edhe sikur të pranojmë se kanë mbetur jo pak gjëra pa ndodhur, ose kanë ndodhur gjëra që ne s’i dimë…Nuk pretendohet, as mendohej që me Josifin apo letrarë të tjerë në Selenicën e para 1983-it- kur u lejova të nisesha student, të flisnim për lexime a nëntekste të tilla. Vetëm më vonë, kur Tjetërkush bëri leximin ndryshe te “Fjala”, e kam parë me këtë sy, edhe pse sot e kësaj dite në vramendje: cila ka qenë gjendja në kohën e të shkruarit, cila temperatura e shkrimit.

Sërish, edhe përgjatë refleksioneve në vitet më pas, s’marr përsipër të shpall guxime të drejtpërdrejta ushtruar në kohën reale të këtij shkrimi.“Si të mos mjaftonte kjo- (vazhdova t’i rrëfeva Betim Muços në Maryland, 2014, gjëra që ai s’kishte si t’i dinte), këtë tregim ia çova redaktorit të prozës në gazetën “Drita”, Vito Koçi. Vito Koçi vendosi syzat dhe e lexoi në heshtje. Në pritje të leximit të tij, rrija ulur në karrigen përballë. Nuk rrija dot pa ia kundruar sytë. Nga që s’arrija, apo s’doja apo s’kishte cfarë, ula sytë e mi që të mos e bezdisja tjetrin që më lexonte. Më në fund Vito mbaroi. Ende pa folur, asnjë fjalë s’kishte thënë, kur e pashë që shënoi diçka, diku në krye të faqes së parë dorëshkrim. Vetëm pasi isha larguar prej Tij, pashë se Vito Koçi thjesht kishte shënuar datën (23. XI.1984). Në krye, në atë moment, as disa kohë më pas, ky shënim nuk e shfaqte dot vlerën që do të merrte më vonë.

I mbetur aty, në krye të fletës së parë dorëshkrim të tregimit, do më ftonte të hedh edhe këto refleksione të më shumë se 35 vite më vonë. Ngaqë e shkruar me dorë, kjo datë, ky shënim i Tij, mbeti përgjithnjë si kujtesë e imja prej Vitos, për Viton mbase edhe më shumë se për mua. Mbi të gjitha një gjest miqësor, shumë njerëzor ndaj meje. Shenjë qytetare për të dëshmuar se siç në cdo kohë, edhe atë kohë të rëndë, kishte njerëz që jo vetëm dëshironin të mirën, por me një fjalë, me një gjest, të përmendnin, duket të kujtuar ku rronim dhe, pa bujë, të shpëtonin gjer edhe fat-jetën tënde.

Kjo datë, dorëshkrim prej Vito Koçit në dorëshkrimin tim, mbeti po aq, në mos edhe më i qartë, më i guximshëm dhe nderues, dëshmi për të, besim për mua dhe provë për karakterin e tij… Ndaj them se Vito Koçi mu duk edhe më shtatlartë atë moment, kur u ngrit nga tavolina ku lexoi Fjalën time dhe si për një kumt funebër më tha:“Të lutem, merre… dhe…mos ia jep njeriu tjetër…”Unë zgjata dorën, mora fletët e tregimit dhe, dola. Ta merr mendja që isha i turbullt.(Si duket, jo gjithnje arrijme te shkruajme c’mendojme e ndjejme dhe aq me pak ndodh te na lexojne cfare jemi)(vijon rrefimi per Fjalen)