tudimet e akademikut Shaban Demiraj mbi gjuhën e Jul Varibobës dhe transkriptimin e plotë të tekstit të veprës “Gjella e Shën Mëris Virgjër”, u botuan nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Në arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë (ASA Tiranë) ndodhen të depozituara në dorëshkrim, prej vitit 1951, dy dosje që përmbajnë një monografi të shkurtër mbi poetin arbëresh Jul Variboba, bashkë me transkriptimin e plotë të tekstit të veprës së tij “Gjella e Shën Mëris Virgjër” (Romë 1762).

Këto dy dosje i prijnë në kohë një studimi të tretë mbi gjuhën e Varibobës, i cili e pa atëbotë dritën e botimit në dy numra të revistës “Buletin i Institutit të Shkencave”.

Të tria këto punime kanë për autor Shaban Demirajn dhe të tria përkojnë në kohë me fillimet e aktivitetit të tij shkencor-intelektual në albanologji, një angazhim ky që nuk reshti për dekada me radhë, derisa mbylli sytë për të fundit herë më 30 gusht 2014.

Botimi i këtij triptiku punimesh, ku feks sidomos transkriptimi i plotë i veprës poetike të Jul Varibobës, përcjell përpos parësisë në kronologjinë e recepsionit filologjik-letrar të veprës edhe individualitetin e autorit në hulumtim, i cili – në rolin e dikurshëm të debutuesit në albanologji – merr përsipër tagrin e rëndë të filologut, bash në një periudhë kur vetë paradigma e re e kërkimit në shkencat albanologjike ishte në shpërgënj.

Për më tepër, veçantia e autorit në transkriptimin filologjik bëhet e qartë sapo fillojmë të ngjërojmë tekstin, ku vërejmë që synimi i tij kryesor është riprodhimi sa më besnik i arbërishtes së shkruar në gjysmën e shekullit XVIII, që vjen me thënë jo në atë dinamikë zhvillimi të variantit të saj folur dy shekuj më pas, sikurse na paraqitet sot në të folmen arbëreshe të Mbuzatit (San Cosmo Albanese) e të zonës dialektore të Cosentinos në përgjithësi dhe që e përjetojmë si të tillë edhe në botimet e mëvonshme kritike të tekstit.

Është pikërisht kjo perspektivë studimi filologjik e përmendoreve të hershme në kulturën e shkrimit shqip, çka nxiti më pas autorin të zbresë i sigurt gjithnjë e më thellë në fazat e mëhershme të zhvillimit diakronik të shqipes, ku mungon dokumentimi shkrimor, bash ashtu siç e dëshmon mirëfilli aktiviteti i tij intelektual-albanologjik si historian i gjuhës shqipe.

Këto materiale të mbetura deri sot në dorëshkrim janë një dëshmi më shumë e asaj ecurie që përjetoi kërkimi filologjik në fazën e parë të organizimit shkencor-institucional në Shqipëri në vitet ‘40-‘50-të të shek. XX, sikurse edhe një ofshamë më e thellë, madje sidomos, se si dhe përse u dëmtua më pas aq rëndë ajo klimë e bekuar e hulumtimit shkencor prej orientimit politik-ideologjik ateist dhe dhunës strukturore informale të regjimit në fuqi.

Akademik Shaban Demiraj (1920-2014) ishte gjuhëtar, profesor, akademik, anëtar i AShAK-ut, Mësues i Popullit. Në vitet 1993-1997 ka qenë kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Lindi në Vlorë. Kreu shkollën e mesme (Medresenë) në Tiranë dhe studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Institutin Pedagogjik dyvjeçar (1946-1948) dhe më pas në Institutin e Lartë Pedagogjik (1954-1955). Në vitet 1948-1954 punoi si mësues në disa shkolla të mesme (Gjirokastër, Tiranë).

Në vitin 1954 filloi punën si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik e më pas në UT ku shërbeu deri në vitin 1990. Në vitin 1962-1989 ka qenë përgjegjës i katedrës së gjuhës shqipe dhe në vitet 1962-1966 zv.dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të UT-së. Ka zhvilluar kryesisht lëndët: morfologji e gjuhës së sotme shqipe, gramatikë historike e shqipes, histori e gjuhës së shkruar shqipe (shek. XVIII-XIX), duke hartuar dhe tekstet përkatëse për to, si edhe një kurs special për gjuhësinë ballkanike. Ka botuar veprat: “Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe”, (1972); “Gramatikë historike e gjuhës shqipe” (1986, në një formë më të përmbledhur është botuar edhe gjermanisht nga Akademia e Shkencave e Austrisë, 1993); “Gjuha shqipe dhe historia e saj” (1988, botuar edhe italisht nga Universiteti i Kalabrisë, 1997); “Gjuhësi ballkanike” (1994, shqip dhe maqedonisht, ribotuar në Tiranë më 2004); “Fonologjia historike e gjuhës shqipe” (1996); “Prejardhja e shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe” (1999) dhe një version anglisht i saj “The Origin of the Albanians (linguistically investigated)” (2006); “Eqrem Çabej” (1990); “Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët” (2008).

Shaban Demiraj ishte redaktor dhe bashkautor në veprën “Gramatikë e gjuhës shqipe, vëll. I Morfologjia” (1976, ribotuar 1995, 2002) etj. Ka botuar edhe një varg artikujsh shkencorë edhe jashtë vendit për çështje të ndryshme të historisë së gjuhës shqipe, të gramatikës dhe të fonetikës historike, si edhe të ballkanologjisë.

Ka transkriptuar e përshtatur në shqipen e sotme veprën e Gavril Darës “Kënga e sprasme e Balës” (1994), ka përkthyer edhe romanin “Martin Iden” të Xhek Londonit (1959). Ishte anëtar i komisionit organizues dhe delegat i Kongresit të Drejtshkrimit (1972).

Ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë dhe të shkallës së dytë (dy herë), ndërsa është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”. /j.p/r.e/