Aktori me famë ndërkombëtare, Jim Belushi ka kërkuar që të lidhet edhe më shumë me fansat e tij shqiptarë, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi të bërë në rrjetin social Twitter, Belushi ka kërkuar të gjithë fansave të tij shqiptarë në të gjithë botën, që ta shpërndajnë postimin e tij në mënyrë që të krijojë kështu një lidhje edhe më të afërt me ta.

“Nëse je shqiptar, rishpërndaje këtë, do të doja të lidhesha me më shumë vëllezër dhe motra të mia shqiptarë në këtë platformë”, ka shkruar Belushi.

Jim Belushi, emri i vërtetë i të cilit është James Adam Belushi, është i lindur më 15 qershor 1954, në Çikago, nga prindërit Adam Anastos Belushi (1918-1996), një shqiptar me prejardhje nga Korça, dhe Agnes Demetri Belushi (1922-1989), e cila ka lindur në Ohajo, nga një familje shqiptare, emigrantë nga Korça.