Nga: Kujtim Abdi

Pak dritë është hedhur e pak njohuri të sakta ka mbi këtë figurë të shumanshme shkencore. Të shumtit e njohin vetëm për mjek. Në fakt ai është më shumë sesa mjek dhe fatkeqësisht njihet gjerësisht vetëm si grek. Ai ka lindur në Athinë, më 20 mars të vitit 1826, i njohur me emrin Tasos (Anastasios) Neroutsos dhe nën zë shtohet se ai është dhe me origjinë shqiptare.

Babai tij, Demetrios, ka qenë prift ortodoks me origjinë nga familja e njohur fisnike fiorentine Pitti, nga Neruzzo Pitti, nip i të njohurit Luca Pitti, i përmendur më 1424-ën në lidhje me familjen Acciaiuoli, nga e cila kanë ardhur disa dukë në Athinë. Prandaj Taso në të dyja dokumentet e kumtimit për gradimin Doktor, në filozofi më 10 gusht 1848 dhe po ashtu më pas në mjekësi më 31 maj 1851, e paraqet të plotë prejardhjen e emrit të tij, Ad Disputationem Publicam Sine Praeside Pro Summis In Philosophia Honoribus Rite Obtinendis A Domino Tasso D. Neruzzo De Neriis Atheniensi. Dy koincidenca lidhen me dokumentin e parë, i quajtur athinasi, në respekt të vendit ku kishte lindur e për rastësi dhe gruaja e tij e ardhshme do të quhej Athina, njëkohësisht dhe data, në po të njëjtën që Taso vdes, 44 vjet më pas.

Taso vjen në jetë në vitet më të zjarrta të luftës së popullit grek për çlirimin e vendit. Në ato përpjekje përmendet dhe i ati, Demetrios Neroutsos, për kontributin që ka dhënë në lëvizjen çlirimtare greke. Ai vdiq më 1833, kur Taso ishte shtatë vjeç. Nga ky moment një familje angleze e ndihmoi Tason të ndiqte shkollën fillore në Athinë deri në moshën 12-vjeçare. Pastaj vijoi gjimnazin deri në mbarim, në vitin 1843. Vitin e ardhshëm, më 1844, shkon për të studiuar me bursë në Mynih, me rekomandimin e mësuesit patriot Georgios Gennadios, i cili është themelues i shkollës së lartë greke, bibliotekës kombëtare, muzeumeve dhe shoqërive shkencore, si ajo për arkeologjinë. Nxënësit më të mirë i dërgonte të studionin në universitetet e Gjermanisë. Vetë ai kishte studiuar për filologji në Leipzig. Kështu u bë garant edhe për nxënësin e tij Anastasios Neroutsos, duke e cilësuar në rekomandimin e tij, më 27 gusht 1843, si “nga më të zellshmit, me edukatë dhe me karakter të shkëlqyer”, i cili paraqitet më 8 janar 1844 në Fakultetin e Filozofisë të Mynihut.

Këtu u vihet studimeve me zell e shumë i përkushtuar në drejtim të filohelenizmit, aq sa në vitin e ardhshëm paraqet për çmim të studimeve filozofike një shkrim mbi etimologjinë e Zotave me emra latinë. Ky studim i shkurtër u vlerësua shumë nga universiteti më 26 qershor 1846 dhe e bëri atë menjëherë të njohur në qarqet shkencore. Një vit pas mbarimit të sezonit shkollor 1846/47, merr titullin Doktor. Po këtë vit, më 1847, hyn në fakultetin e mjekësisë, por gjithmonë përkrah studimeve filologjike, historike dhe mitologjike. Pas tre vjetësh merr titullin Dr. med. Pas mbarimit të studimeve, nuk kthehet në Athinë, por shkon në Angli e prej aty në Egjipt, vend ku ishte krijuar me kohë një klimë e shëndetshme shqiptarie, nën drejtimin e Mehmet Aliut. Sipas listës së Ministrisë së Punëve të Brendshme egjiptiane, më 15 mars 1852, Taso ishte mjeku i parë grek që ushtronte zyrtarisht profesionin në Egjipt. Fillimisht jeton në Kairo, 1851-53, më pas shpërngulet në Aleksandri. Më 1865 merr titulin Bej. Krahas punës si mjek, thellohet edhe në studimet egjiptologe.

Ai është i pari studiues që ka publikuar një përmbledhje të gërmimeve të varreve helenike në Aleksandri. Me dritën që ka hedhur në studimet e tij, mbahet si babai i egjioptologjisë greke, duke qënë ai egjiptologu i parë grek. Në këtë shkrim të shkurtër për Tason, do të shtojmë pak njohuri për një dukuri tjetër të personalitetit të tij, të lënë fatkeqësisht për shumë kohë në hije. Ai është dhe një albanolog i shquar dhe kjo meritë i është njohur pas vdekjes. Martin Camaj do të jetë një nga më të parët që do të hedhë dritë për figurën e tij edhe si albanolog. Më plotësisht kjo do të vijë, në vitin 1992, kur Helga Neroutsos-Hartinger do të botojë në “Südost-Forschungen 51”, p. 105-148, korrespondencën e Tasos me albanologun e shquar Gustav Meyr, “Der Briefwechsel zwischen Tasos Neroutsos Bey und Gustav Meyer. Ein Beitrag zur Geschichte der Albanologie.”, të cilën drejtpërsëdrejti ia kushton, me pasion e dashuri, kujtimit të Martin Camajt. Aty do të dalin sa e sa fakte të reja e gjithmonë në këtë dokumentacion ka gjëra për të zbuluar. Në të vjen disi më e plotë figura e këtij dijetari me aftësi natyrore edhe për gjuhët.

Përpos gjuhëve klasike, ai është dhe njohës i përkryer i disa gjuhëve të Evropës perëndimore, si dhe turqishtes e arabishtes, duke i shtuar këtyre dhe shqipen si gjuhë e nënës, pasi ajo ishte arvanitase. Për këtë qëllim letërkëmbimi me albanologun Gustav Meyer ka vlerë të jashtëzakonshme, sepse gjatë punimit të tij për fjalorin etimologjik të shqipes, ai i drejtonte herë mbas here pyetje Tasos, kur donte të zbërthente drejt fjalë me etimologji të vështirë, kjo jo thjesht në kornizën e miqësisë, por të kompetencave shkencore me të cilat qe brumosur Taso. Në këtë korrespondencë plot me fakte që ngrenë vlerën e shqiptarisë, nuk preken vetëm temat gjuhësore, por dhe ato historike e politike. Merita e këtij shkencëtari nuk qëndron vetëm në degët që ai studioi, por dhe në parimet politike e shoqërore. Me vlerë për t’u përmendur është debati i tij me arvanitasin Anastas Byku, i cili pretendonte se helenizimi i shqiptarëve ishte rruga e vetme për emancipimin e tyre në brendësi të shtetit grek. Neroutsos është për të kundërtën, për shkollimin e arvanitasve në gjuhën e tyre mëmë, duke qenë në këtë formë pjesë e kulturës greke, sikundër faktohet se deri në vitin 1923, Greqia ishte një shtet i përbërë nga disa popuj. Fatkeqësisht sot gjuha shqipe është krejtësisht drejt zhdukjes, si me fatin e maqedonishtes e të arumanishtes.

Për sa i përket formimit të tij, Taso i është shumë mirënjohës edhe veprës patriotike të Thimi Mitkos, i cili jetonte në jug të Kajros dhe njiheshin personalisht. Në Aleksandri, më 1878-ën, botohet “Bleta shqiptare”, gjë e cila përmendet në letrën që i dërgon Meyer-it, më 29 mars të vitit 1891. Në të mësojmë edhe për dorëshkrimin e tij me titull “Albanica”, me të cilin u mor thuajse gjatë gjithë jetës, për 30 vjet me radhë. Së fundi, ai është zbuluar më 2014-ën në Janinë, nga Prof. Dhori Qiriazi, profesor i universitetit të Selanikut. Taso ka punuar mbi këtë vepër gjatë qëndrimit në Mynih dhe Aleksandri, nga viti 1848 deri më 1878-ën. Ky dorëshkrim prej 200 faqesh, me shkrim të qartë, në më të shumtën në gjermanisht, por dhe me shumë pjesë në latinisht e greqisht, dhe me pak pasazhe në anglisht e frëngjisht, qëndron mbi bazën e të gjitha studimeve të deriatëhershme mbi albanologjinë.

Neroutsos është një nga arvanitasit e zjarrtë, që ka mbrojtur idenë e alfabetit latin për shqipen, para se kjo gjë të vendosej në Kongresin e Manastirit. Ai është edhe një prej kritikëve të parë të veprës së Hahn-it. Njëkohësisht bën përpjekje edhe për një fjalor arvanitisht-gjermanisht, sipas modelit të fjalorëve shqip-gjermanisht të Hahn-it, në “Studimet Shqipëtare”. Nga kjo përpjekje ka mbetur pak, pjesa tjetër nuk dihet se ku gjendet, ndoshta në ndonjë bibliotekë të Aleksandrisë apo të Greqisë. Kronologjikisht kjo do të ishte përpjekja e dytë në këtë fushë, pas asaj të Hahn-it, por me të tjera vlera, se në të do të dominonte gjuha arvanitase, si njëra nga më pak të studiuarat. Në të gjitha përpjekjet e tij shqipja dhe shqiptarët do të mbeten një nga pasionet më të rëndësishme dhe deri në fund të jetës, ai nuk do të heqë kurrë dorë nga kjo dashuri. Të gjithë këtë e ndjen me shfletimin e çdo letre e rrallë mund të hasësh gjë më të bukur sesa korrespondencën e këtyre dy shkencëtarëve. Ky letërkëmbim ka vlera në shumë drejtime. Së pari, zbërthen personalitetin e letërshkruesit për periudhën katërvjeçare, ku ata përkojnë (1888-1892), pikërisht në vitet që albanologu Gustav Meyer po nxirrte nga duart veprën e tij, “Fjalor Etimologjik i gjuhës shqipe”.

Letra e parë ndërmjet këtyre dy shkencëtarëve gjendet sot në Bibliotekën “Gennadios” të Athinës. Ajo mban datën 4 qershor 1888 dhe zë vend në faqen 126 të artikullit të sipërpërmendur. Në të bie në sy gjuha e kultivuar e Tasos me të cilën i drejtohet Gustav Meyer-it. Pikërisht nga rreshtat e kësaj letre mësojmë mbi familjen e mamasë së Tasos, e cila rridhte nga shqiptarët e Athinës e që e fliste gjuhën arvanitase në mënyrë të mrekullueshme, saqë atij i mbeti aq mirë në kujtesë nga vitet e fëmijërisë dhe sado i ri që ishte, kur u shkëput për studime në Gjermani, mjeshtëria e zotërimit të gjuhës nuk i humbi në vite, edhe duke mos qenë më në kontakt me të. Nga familja, që u përkujdes ta shkollonte, mësoi anglishten e njohu dhe literaturën angleze, aq sa në moshën 20-vjeçare, në vitin 1845, gjatë studimeve në Mynih, korrigjoi përkthimin gjermanisht “Shtegtimet e Çajld Haroldit” të Bajronit, si dhe korrektoi veprën e Ksilander-it “Gjuha e Albanezëve apo Shqipëtarëve”, botuar më 1835, të cilën ai në letër e citon “Gramatik dhe Krestomathi”.

Përgjigjja i vjen më 19 qershor, nga Graci i Austrisë. Sot kjo letër është në fondin e dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare të Athinës, në arkivin Tasos Neroutsos. Në të Meyr e falënderon për dorëshkrimet e dërguara dhe i lutet për të tjera në të ardhmen.

Letra tjetër që i shkruan Taso, është ajo e 30 tetorit, të po të njëjtit vit. Edhe kjo letër bën pjesë sot në fondin e Bibliotekës “Gennadios” të Athinës. Është tre herë më e gjatë se letra e parë dhe e mbushur me fakte nga jeta dhe veprimtaria e Tasos. Në krye të letrës ai shpjegon vonesën e përgjigjes prej katër muajsh, pasi kishte qenë në udhëtim e sipër në Gjermani dhe Francë. Në këtë letër ai thekson shpërnguljen nga Athina në vitin 1843 për në Gjermani dhe Angli. Studiuesja e artikullit, zonja Helga Neroutsos-Hartinger, me të drejtë e lidh qëndrimin e tij në Angli me familjen që e ndihmoi për shkollimin fillestar dhe me të vëllanë, Gjergj (Georg), një vit më të madh se Taso, i cili u shpërngul në Londër dhe u bë qytetar anglez. Ky fakt i faqes 109, lidhet me vetë fjalët e Tasos me mbarimin e vitit shkollor më 21 korrik 1848, në Fakultetin e Filozofisë së Universitetit të Mynihut. Në letër theksohet se që nga viti 1852 ai ndodhet në Egjipt dhe se në vitet studimore si filolog dhe mjek, 1843-1851, ai është marrë intensivisht edhe me studimet albanologjike, të cilat i ka zhvilluar me zell më tej edhe gjatë qendrimit në Kajro, në vitet 1852-1855, ku punonte si mjek. Ai me keqardhje shpjegon më poshtë, se në Greqi, me reformat e reja, mësimi i gjuhës shqipe është mënjanuar nga shteti dhe kush flet shqip në Greqi, ndjehet i përçmuar, ndërsa kush flet greqisht, çfarëdo qoftë, ka përparësi. Gjuha shqipe sa vjen e bjerret. Ajo flitet vetëm në rrethin e ngushtë familjar.

Ai citon se që nga koha e Perikliut dalin gjenealogjitë e disa familjeve të nderuara, si Sklavunis, Sklauohoritis, Vlahos, Vlahakis, Arvanitopulos dhe Arvanitakis. Së bashku me këtë letër ai i dërgon dhe materiale të tjera të çmuara, një alfabet greqisht-shqip të vitit 1860 i bërë në Athinë, që përmban dhe lutjen “Ati ynë” në dialektin e shqiptarëve të Athinës, nga një shqiptar i ishullit Kulluri (Salamisi i vjetër), një alfabetar me lexime të shkurtëra nga Naum Veqilharxhi i vitit 1845, gjithashtu dhe një punë të tijën në përmirësim të veprës së Hahn-it, të hartuar në vitin 1855 në Kajro. Me to dhe një vjershë nga Muhamet Çami. Më poshtë ai vë në dukje faktin se gjuha e arbëreshëve të Sicilisë, të ardhur nga Morea, si dhe ajo arvanitase e ishujve në lindje të Greqisë, vjen nga gegnishtja e veriut të Shqipërisë.

Letra e katërt është po e Tasos, e cila mban datën 1 dhjetor 1888 dhe arkivohet sot në Bibliotekën e Universitetit të Gracit, në shkrimet e trashëguara nga Gustav Meyer, ku i bën të ditur se nuk ka marrë përgjigje nga letra e tij e fundit, dërguar më tetor me të gjitha materialet e tjera së bashku. Njëkohësisht me këtë letër, ai i dërgon dhe veprën e tij arkeologjike të sapo botuar “L’ancienne Alexandrie”, që padyshim është vepra e botuar në Paris, në po të njëjtin vit, 1888, me autorësinë dhe titullin e plotë: “Tasos Demetrios Neroutsos – L’ancienne Alexandrie: étude archéologique et topographique”. Ai ripërsërit edhe një herë idenë e letrës së mëparshme, që qeveria greke bën çmos për të çrrënjosur elementin shqiptar nga Greqia. Ai shton se me ardhjen e mbretit Otto në Greqi, më 1833, popullsia që fliste shqip numëronte mbi 260 mijë frymë, ushtria përbëhej nga dy të tretat prej palikarësh shqiptarë, anijet e luftës ishin të mbushura me detarë shqiptarë nga Hydra, Specia dhe Poros. Komandantët e trupave tokësore, si dhe oficerët e marinës përbëheshin krejtësisht nga shqiptarë. Ndërkohë, regjistrimi i vitit 1879 numëronte 58 mijë shqiptarë nga krahina e Atikës, Megarisit, Beotisë, Livadeas, Korintit, Argolisit, Arkadisë, Eubesë jugore e të disa ishujve. Popullsia shqiptare mbretëron ende sot në Atikë, përreth Athinës e në qendër të saj. Në nderim të këtij elementi, mbreti çdo vit të ri del i veshur me kostum tradicional shqiptar, si dhe fakte të tjera. Pra, është e pabesueshme që numuri i tyre në 45 vjet të bjerë në këtë masë, nga 260.000 në 58.000. Në mbyllje shton se në “Guide-Joanne”, të shkruar në vitin 1888 nga B. Haussoulier, anëtar i Shkollës Franceze në Athinë, me titull “Athènes et ses environs”, në rubrikën “Instruction publique”, faqe 69, lexon se shoqëria për zhvillimin e arsimimit të gruas ka hapur shkolla për vashat në vendet ku ka më shumë popullsi shqiptare dhe kjo me një qëllim të saktë, të greqizojë mamatë e ardhshme në Greqi.

Kësaj letre Meyer i përgjigjet shumë shpejt, më 7 dhjetor. Letra e tij gjendet sot në Bibliotekën Kombëtare të Athinës, në arkivin Tasos Neroutsos, dhe ka një vlerë të jashtëzakonshme për sa i takon vlerësimit të mendimit të Tasos, duke e pyetur për zgjidhjet e koklavitura etimologjike. Ai e pyet nëse ka ndonjë ide për fjalën dolofange, që përmend Reinhold-i me kuptimin “zjarri i Shën Gjonit”. Përgjigja e Tasos është e menjëhershme, në letrën e 15 dhjetorit. Ai i shpjegon me hollësi për këtë festë dhe mendon se Reinhold-i është ngatërruar, sikurse është pak i besueshëm edhe në shpjegimin e shumë fjalëve të tjera. Ky konkluzion letërkëmbyes dëshmohet sot në veprën e Meyer-it faqe 71, ose në përkthimin shqip, faqe 124. Nga ky fakt, Taso merr shkas t’i shpjegojë në vijimin e letrës përpjekjet personale që ka bërë në drejtim të albanologjisë, si në kohën kur ishte student, ashtu edhe më pas. Ai i shkruan se me ardhjen në Kajro, në vitet 1852-55, gjeti një mori shqiptarësh, të të gjitha profesioneve, por dhe disa arbëreshë nga Sicilia. Shumë fjalë që në Shqipëri kanë humbur, duke u zëvendësuar me turqizma e sllavizma, janë ruajtur nga arvanitët dhe shumë fjalë të përbashkëta nuk kanë të njëjtin kuptim dhe shqiptim. Ai gjithmonë ngul këmbë në mendimin e tij, se si Reinhold-i, ashtu dhe Hahn-i, janë të mbushur me gabime. Për ta faktuar këtë, i sjell si shembull fjalën “barbar”, të faqes 12 të fjalorit të Han-it. Ai këtë fjalë e ka përkthyer “gjerman” dhe në faqen 13 fjalën “beitar” me kuptimin “poet” e sjell nga shqipja “bëj” me kuptimin që “bëj vargje”, pa pasur as idenë më të vogël se kjo fjalë vjen nga arabishtja dhe ka hyrë në shqip nga turqishtja, si “bejte, bejtexhi” dhe nuk shpjegohet me gegnishten, por me arabishten “Beit”, ose “Bêt”, me kuptimin “shtëpi, dhomë” ku në orient bëhej muzikë dhe poezi.

Kjo është një nga letrat më të gjata dhe më të bukura. Ajo ruhet sot në Bibliotekën e Universitetit të Gracit.

Letra në vijim zë vend në faqen 136 të artikullit dhe numërohet si e shtata. Ajo ruhet sot në Bibliotekën Kombëtare të Athinës dhe kjo letër hap vitin e ri 1889, saktësisht i takon 2 janarit, dërguar si gjithmonë nga Meyer me të njëjtën adresë banimi, Elisabethstrasse 6, Graz. Ai e falenderon për të gjitha shpjegimet e letrës së mëparshme dhe është mjaft entusiast që Taso po punon për fjalorin arvanitisht-gjermanisht, si i pari shqiptar që merret me atë punë, duke shpresuar se do t’i jetë i dobishëm dhe për fjalorin e vet etimologjik, që ka ende në duar. Ai i bën të ditur se për nevoja studimi ka ndërmend të bëjë një udhëtim në fillimin e prillit. Për të ardhur në Egjipt i duket shumë vapë, prandaj ka vendosur të shkojë në Greqi dhe Turqi, për t’i parë gjërat nga afër. Gjithashtu, ka ndërmend të qëndrojë dhe në Shkodër, Thesali dhe Janinë.

12 janar 1889. Letër e Tasos drejtuar Gustav Meyer-it, si gjithmonë nga vendi ku banon, Ramleh, në afërsi të Aleksandrisë. Ai i tregon për klimën e muajit prill, që nuk shquhet për erën e ngrohtë të shkretëtirës, e cila quhet Khansîn. Muaji i majit është nga më të bukurit. Ai i propozon Meyer-it të udhëtojë direkt nga Trieste në Aleksandri e të paktën një dhjetëditsh ta kalojë në Ramleh, i cili lidhet me qytetin nëpërmjet hekurudhës. Trenat janë të shpeshtë. Shtëpia e Tasos është pranë stacionit, pranë hotelit “Beau-Sejour”, kështu që Meyer ka mundësi të flejë në hotel e gjithë ditën ta kalojnë bashkë në shtëpinë e Tasos, i cili nuk del dot nga shtëpia, për shkak të sëmundjes reumatizmale. Nuk i bën fjalë për djalin e tij të vdekur dhe se gruaja e tij vjen nga Smirne, por vetëm i thotë që jeton vetëm për vetëm me të shoqen, mjaft i tërhequr, në më të shumtën e kohës i mbyllur në studion e punës. Maksimumi një herë, apo dy herë në muaj shkon në qytet. Pastaj nga Aleksandria mund të udhëtojë direkt në Athinë me anijen me avull, për 38 orë, e cila niset rregullisht çdo të mërkurë. Edhe në Athinë muaji më i bukur është maji. Aty mund të vendoset në një hotel të Kefisias, mes shqiptarëve, e prej aty arrihet kollaj kudo, si në një ekskursion ditor, në fshatrat Menidi, Kasiá, Tatoi me pallatin veror të familjes mbretërore, në Marusi, Kalandri etj. Ka disa herë trena në ditë nga Athina në Kefisia e më tej në drejtim të Atikës. Është e mundshme të arrihen të gjitha fshatrat shqiptare të Mesogaias: Keratiá, Markopulon, Bari, Liopesi, Koropi, Spata, Kapantriti, Kiurká, Suli. Nga Athina udhëtohet me tren edhe për në Eleusis, Megara, Korinth, Argolis, ku ndërmjet ka fshatra të tëra shqiptarësh, si Mandra, Lepsina, Magula, Bollia, Kriekuqi, Perahora, Kiati, Matsani, Klementi, Bellesi, Bujati, Kaidari etj. Me anije shkohet edhe nëpër ishujt ku banojnë shqiptarët. Në brendësi të Moreas s’ja vlen të shkohet, sepse fshatrat shqipare: Lala, Golemi, Kalenci, Toskesi, Zoga, Lopesi, Gropa, Spata, Dibra, Nuse, Kriekuqi, Pakie, etj., janë asimiluar krejtësisht. Gjithashtu, me anije arrihet në Eube, ku në jug të saj ka fshatra komplet shqiptarë, si Stura, Varibobi, Kriezi, etj. Krahinat e shqiptarëve në Beoti, Lokris, Doris dhe Fthiotis janë të vështira për t’u arritur, për më tepër që gjuha është mpleksur fort me greqishten e s’ka shumë interes studimi. Pokështu edhe në Thesali. Në kthim mund të bëhet me anije apo me tren nga Volo në Kalabaka për në malin e Pindit, në Janinë e prej aty në jug të Shqipërisë, Gjirokastër, Berat e deri në veri, në Shkodër.

Kur lexon këtë letër kaq të bukur, të ruajtur në Bibliotekën e Universitetit të Gracit, s’ke se si të mos mbushesh me dashuri për Tason dhe Greqinë. Të duket e tëra si vendi yt e kur ai i drejtohet Meyer-it, po në këtë letër, me shpresën e madhe se në prill do ta ketë mbaruar fjalorin e menjëherë do t’ja nisë dorëshkrimin, kupton zemrën e madhe të këtij dijetari kozmopolit dhe patriot për t’i shërbyer Shqipërisë. Janë të pakta figurat që mund të gjesh si ai.

Meyer-i i përgjigjet gati pas dy javësh, më datën 27 janar, me një letër të shkurtër, që ruhet sot në Bibliotekën Kombëtare të Athinës. Ai e falenderon për të gjitha të rejat që mëson nga ky letërkëmbim, por i komunikon se ekonomikisht ende nuk është në gjendje ta përballojë këtë udhëtim nga Egjipti, ku do të dëshironte të rrinte më gjatë e ta shikonte edhe atë më me imtësi. Ai i premton se me t’i ardhur fjalori i Tasos, do të bëjë ndonjë shkrim në Akademinë e Shkencave të Vjenës, për ta bërë të njohur, ose do të përdorë materialin për fjalorin e tij, duke ia cituar emrin.

Shumë shpejt vjen përgjigjja e Tasos, më 2 shkurt, ku shpreh dëshirën se mund të shkojë ai në Grac për disa ditë. Ai i tregon përparimet me fjalorin, që ka arritur në germën K dhe shpreh entuziazmin që vepra e tij mund të bëhet e njohur në Vjenë, e për këtë qëllim duhet t’i vihet punës edhe me më përkushtim, që në fund të dalë diçka me vlera të mirëfillta. Gjithashtu, thotë se do t’i vërë në dispozicion të gjitha dorëshkrimet që ka hartuar në vite në lidhje me gjuhën shqipe dhe nëse ai e lajmëron kur do të niset për në Athinë, i premton se do ta njohë me dy miq shqiptarë shumë të vlefshëm. Njëri nga ata është zoti Karakacanis, i lindur në Specia, kapiten i flotës mbretërore greke, me të cilën udhëton familja mbretërore. Prinzi i madh Paul, burri i premtuar prinzeshës Aleksandra, është nuni i djalit të tij të fundit të pagëzuar dhe është person me shumë influecë e njohje me të gjithë oficerët e tjerë të marinës dhe familjet e tyre, që janë shqiptarë e jetojnë në ishujt Poros, Specia dhe Hydra. “Për momentin ai gjendet me pushime në Aleksandri dhe është mik tek mua, – i shkruan Taso. – I kam folur atij për ju dhe është i gatshëm t’ju gjendet në të gjitha nevojat. Nëpërmjet tij dhe miqve të tij mund të udhëtoni me lehtësira e të mirëpritur nëpër familjet shqiptare. Personi tjetër është avokat i pasur në Athinë, me amrin Balukas. Prindërit i ka nga Suli, por i lindur në Athinë dhe ka studiuar në Evropë. Meqë ai flet shqip, pjesa më e madhe e klientelës së tij janë shqiptarë.” Pra, nëpërmjet tij Meyer-i ka mundësi të takojë mjaft shqiptarë të tjerë.

Kjo letër ruhet në Bibliotekën e Universitetit të Gracit.

Meyer-i i përgjigjet më 19 shkurt, duke e falënderuar për letrën miqësore. E pret me dëshirë vizitën e tij në tetor, ku mund të bisedojnë gjerë e gjatë për temat albanologjike. I thotë se plani i tij është të niset rreth 20 marsit me destinacion Korfuzin. Pas një qëndrimi të gjatë aty, do të shkojë në Athinë e më pas, nëpër Thesali në Janinë. Edhe Thimi Mitko që jeton në Beni-Souef i ka premtuar disa rekomandime. Në mbyllje të letrës, që ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Athinës, e pyet për kuptimin e disa fjalëve.

Sipas lutjes për t’i kthyer përgjigje sa më shpejt, vjen letra e Tasos, e shkruar më 2 mars dhe që ruhet në Bibliotekën e Universitetit të Gracit. Kjo është dhe letra më e gjatë e tij, që përmban shumë fjalë të shpjeguara. Njërin nga shpjegimet ia ilustron me thënien: “Mesi im me kallamure, i bon ata si paçavure”.

Letra që vijon është ajo e Meyer-it, që është më e shkurtra në të gjithë këtë letërkëmbim. Ajo daton 12 korrik 1890 dhe ruhet në Bibliotekën kombëtare të Athinës. Në ato pak rreshta ai e njofton se fjalori i tij etimologjik është gati e së shpejti hyn për botim, duke i shprehur keqardhjen se nuk mundi të shfrytëzojë edhe fjalorin e Tasos.

29 mars 1891. Letra e 14-të, që do të jetë dhe ajo e fundit e shkruar nga Taso, i cili e falenderon për fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe. Aty e informon se fjalori i tij ka arritur deri në germën L dhe se është në përpjekje për të mbaruar fillimisht veprën mbi Athinën e Krishterë. Puna i ka ecur ngadalë për shkak të rëndimit të sëmundjes. Dhimbjet e artritit s’po e lënë të punojë i qetë e me shpresë të Zotit, fjalorin mund ta mbarojë vitin që vjen. Shton se me siguri do ta ketë marrë lajmin e hidhur të vdekjes së Thimi Mitkos, me të cilin kishte korrespondencë, që ishte fatkeqësi për bashkatdhetarët e tij, pasi ai ishte një patriot i zjarrtë.

Kjo është fraza e fundit e letrës së tij, që do të vlejë edhe për atë vetë. Kjo miqësi katër vjeçare mbyllet këtu, me dije gjigante e përpjekje patriotike të rralla, me predispozita humane për të ndihmuar konkretisht një miqësi sa intelektuale, aq dhe të lidhur shpirtërisht nga dija. Në këtë letërkëmbim me tipare autobiografike, mëson se sa e vështirë është jeta e një shkencëtari, me të gjitha problemet e tij, largimin nga vendlindja, endjen nëpër botë, gjurmimin e palodhshëm të dijes, jeta familjare dhe ajo shëndetësore. Përpjekje për të merituar një vend në Panteonin e dashurisë më të madhe, të dijes për njerëzimin. Sa njerëz të rrallë, e sa pak dimë për ta!

Kjo zemër atdhetare, të gjitha librat me vlerë që kishte mbledhur mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, sëbashku me të gjithë bibliotekën e tij të çmuar, ia la me testament Bibliotekës Kombëtare të Athinës, ku sot në sallën e madhe të leximit varet portreti i tij.

Mbas tetë vjetësh, po në gusht, më 1900-ën, vdes dhe Meyer, ndonëse ishte 24 vjet më i ri se Taso.

Ndaj me gjithë zemër është për t’u falënderuar zonja Helga Neroutsos-Hartinger, për punën e saj studimore dhe nxjerrjen në dritë sa më të plotë të figurës patriotike dhe intelektuale të Tasos. Ajo u bë shtysë për gati një çerek shekulli më pas edhe për një artikull tjetër në gjermanisht nga Genc Lafe, të botuar nga Biblioteka e Universitetit në Regensburg, “Forschungen zur deutschen Sprache in Mittel-, Ost- und Südostevropa”, gjithmonë duke shpresuar që figura e këtij dijetari të tërheqë vëmendjen e studiuesve të tjerë edhe në të ardhmen.

17 tetor 1892. Letra e 15-të, e vetmja jo e shkruar në gjermanisht si gjithë të tjerat, por në frengjisht nga e shoqja e Tasos, Athénais Néroutsos Bey.

Letër e shkurtër, me dhimbje, ku e lajmëron Meyer-in për vdekjen e të shoqit dhe trishtimin e madh që e ka pllakosur, prandaj s’ka qenë në gjendje t’i përgjigjet në kohë letrës së tij të korrikut. I thotë se sipas premtimit për fjalorin, që do t’i vinte në dispozicion i shoqi, e ka gjetur ndër shkrimet e tija e se këtë punim prej dy fletoresh, nga germa A-L, përfshirë këtu dhe germën V (ß greke), po ja dërgon, ndonëse është i pambaruar. Ja nis me lutjen që kur të mbarojë punë t’ia kthejë e, që fatkeqësisht nuk u gjend më, as në gjërat e trashëguara të Tasos dhe as në ato të Meyer-it. Ndërsa kjo letër gjendet në Bibliotekën e Universitetit të Gracit, nga gjërat e trashëguara nga Meyer-i. /Palimpsest/