Emri “islahane” vjen nga fjala turke “islah” që do të thotë “mirë” ose “mirësi”, ndërsa “hane” do të thotë hapësirë ose vend, pra një “vend i mirë”. Në zhargonin e popullarizuar të gjuhës turke, ajo mund të interpretohet si një shtëpi rehabilitimi duke qenë se nxënës të kësaj shkolle kanë qenë kryesisht lypës, jetimë, fëmijë nga familjet ekonomikisht të dobëta madje edhe fëmijë problematikë dhe delikuentë

Nga Behixhudin SHEHAPI

Me rastin e Ditës botërore të trashëgimisë kulturore e në dritën e përpjekjeve për mbrojtjen e objektit të Shkollës së vjetër (Islahanes) në Manastir pas privatizimit dhe vendimit për shitjen e saj, po jua sjell shkrimin tim për vendin dhe rolin e tyre gjatë historisë. Islahanet janë shkolla (mejtepe) që për herë të parë u bënë të njohura në shtetin osman në pjesën e dytë të shekullit XIX, më saktë në vitin 1860. Atëvit, për herë të parë në Nish u ndërtua një islahane, që më pas, më 1868 hapet në Shkup dhe në Manastir themelohet në vitin 1902 duke funksionuar deri më 1912. Financimi i tij bëhej nga shteti.

Në kohën e industrializimit islahaneja e Manastirit është privatizuar dhe e kthyer në fabrikë për prodhimin e biskotave dhe çokollatave, si dhe në depo te fabrikës për prodhimin e teknikës së bardhë. Ajo ka qenë e ndërtuar buzë kafenesë Tumba, përreth rrugës që çon nga Manastiri për në lagjen e Bukovës. Në përgjithësi shkolla ka qenë me program të përshtatur për mësimin e artizanateve, e ndarë në pjesën teorike dhe praktike. Prej aty kanë dalë këpucëtarët, bravandreqësit, rrobaqepësit, marangozët, etj. Emri “islahane” vjen nga fjala turke “islah” që do të thotë “mirë” ose “mirësi”, ndërsa “hane” do të thotë hapësirë ose vend, pra një “vend i mirë”. Në zhargonin e popullarizuar të gjuhës turke, ajo mund të interpretohet si një shtëpi rehabilitimi duke qenë se nxënës të kësaj shkolle kanë qenë kryesisht lypës, jetimë, fëmijë nga familjet ekonomikisht të dobëta madje edhe fëmijë problematikë dhe delikuentë. Është interesant fakti se këtu kanë mësuar vetëm djem.

Islahaneja në Manastir funksionoi si shkollë industriale ku studioheshin zanate të ndryshme, dhe më vonë artizanatet. Pas një kohe, islahane kthehet në një shkollë arti. Gjatë kësaj periudhe, secili vilajet kishte një islahane, dmth. në atë periudhë kishte mbi 30 shkolla të tilla ne shtetin osman. Kategori të përmendura të fëmijëve u morën në shkollë, pavarësisht nga kombësia dhe feja e tyre. Islahanet funksiononin në bazë të një statuti të rregulluar (Nizam-name), sipas të cilit koncepti i qeverisjes dhe funksionimit bazohej në reformat e fundit të shtetit osman, të cilat bazoheshin shumë te kontributi i islahanes për të rregulluar qytetin, për të rregulluar rrugët, por që luajti një rol të madh edhe në mbrojtjen e mjedisit, ose ambientit jetësor.

Në fillim, islahanet u krijuan si një vend për jetimët, dhe më pas janë shndërruar në shkolla industriale. Nga gjithsej shtatë të tilla në Ballkan, ruhen vetëm islahanet në Selanik dhe Manastir. Në vitin e parë të ndërtimit të islahanes në Manastir, u strehuan 68 fëmijë. Harxhimet për mbarëvajtje mbuloheshin nga kompani të mëdha të industrisë së lëkurës dhe lotarisë. Sidomos në vitin 1907, lotaria e atëhershme e pajisi godinën me mobilie dhe sende të tjera të nevojshme. Pas rënies së Manastirit nën sundimin serb më 1912, islahaneja është mbyllur dhe është përdorur si depo, por edhe si reparte prodhimi për fabrikat e atëhershme të Manastirit. Islahaneja u dëmtua shumë gjatë Luftës së Parë Botërore, duke humbur shumë nga pamja e tij origjinale. Përveç mësimit të zanateve të ndryshme nga kjo kategori shumë e ndjeshme e fëmijëve, islahaneja ka luajtur një rol të madh në zhvillimin e situatës socio-ekonomike në Manastir dhe më gjerë. Përveç arsimit fillor, fëmijët fitonin aftësi të mëdha për artizanatin. Rëndësi u kushtohej veçanërisht fëmijëve të talentuar, të cilët zgjidheshin për të punuar në projekte të mëdha industriale dhe në punëtoritë e artizanateve në qytet.

Ato kanë luajtur një rol të madh për shoqërinë duke qenë se aty mësonin fëmijë myslimanë dhe jomyslimanë së bashku. Mision i tyre ka qenë që së bashku të mbajnë barrën e zhvillimit të qytetit. Islahaneja kishte programe të veçanta për lypsarët, delikuentët dhe fëmijët problematikë të sjellë nga prindërit ose familja e gjerë. Fëmijët e talentuar organizonin ekspozita të punimeve të tyre. Zakonisht programi mësimor ka zgjatur pesë vjet, por me mundësinë e vazhdimit edhe për pesë të tjera. Për shkak se u ndërtua me urdhër të Sulltan Abdulhamidit, islahaneja e Manastirit u quajt edhe si Mejtep industrial “Hamidie”. Pas hapjes madhështore më 6 tetor 1902 në prani të shumë të ftuarve, të pranishëm kanë qenë personalitete myslimane dhe ortodokse, si dhe valiu i Manastirit, Edip Pasha.
Në aspekt arkitektonik, kjo ndërtesë monumentale është në stilin neoklasik dhe neorenesansë, kryesisht identike me shumë institucione publike të kohës së sulltan Abdylhamidit, ku ka ardhur në shprehje ndikimi i madh i shkollës së atëhershme të Parisit. Të gjitha ndërtimet e atëhershme të islahaneve dhe idadive kanë qenë të projektuar nga Ministria e atëhershme e Urbanizmit në përputhje me madhësinë e qytetit dhe popullsinë. Kryesisht është një arkitekturë shtetërore ose perandorake (empir) dykatëshe me dritare drejtkëndëshe të vendosura në mënyrë simetrike në tre rreshta, elementët hyrës të ndërtesës ishin zbukuruar me shtylla dhe shkallë të mëdha që i japin një pamje mbresëlënëse godinës.
Lirisht mund të themi se islahanet ishin në një farë mënyre prodhues të zejtarëve, duke pasur parasysh shkallën, cilësinë dhe kualifikimet e zejtarëve të ardhshëm. Për fat të keq këto objekte nuk e marrin trajtimin e duhur kur bie fjala për rindërtimin, restaurimin dhe mbrojtjen adekuate dhe aq më pak të promovohen me imazhin e plotë si pasuri e patundshme të trashëgimisë kulturore. Për këto arsye, ne vendosëm të afronim funksionalitetin dhe rëndësinë e tyre për shoqërinë e atëhershme si një paradigmë në nevojat e sotme për përfshirjen sociale të të rinjve në nevojë. Kjo do të thotë se, nga një këndvështrim modern, sërish kemi të njëjtat probleme si atëherë, por sistemi i asaj kohe gjeti një model të përshtatshëm institucional, një shkollë rehabilitimi, e cila duke filluar nga zanati, gradualisht zgjerohet dhe përmirëson bashkëjetesën me artin. Interesant dhe për çdo respekt është qasja, kujdesi dhe orientimi esnaf i mirëfilltë, një rrugë jetësore e rinisë së rrezikuar, e cila kështu bëhet e integruar dhe e dobishme për shoqërinë.

Duke u nisur nga kjo, kemi të bëjmë me ndërtesa jashtëzakonisht të rëndësishme për nga roli dhe funksionaliteti i tyre, mirëpo duke u bazuar në konceptin e tyre dhe tiparet e njohura arkitektonike, islahanet meritojnë trajtim dhe ndërhyrje të veçantë në kontekstin e trashëgimisë kulturore osmane. Nevojitet mobilizim urgjent i të gjitha institucioneve kompetente dhe mundësi për rindërtimin dhe mbrojtjen e tyre.
Duhet nisur me analiza studimore për riafirmimin, heqjen e tyre nga margjinat e trashëgimisë kulturore. Duhet të bëhet rindërtimin i objekteve ekzistuese si simbole të një kohe dhe një segment i rëndësishëm në regjistrin e së kaluarës dhe si një përpjekje për të ndërtuar të ardhmen. Duke e pasur parasysh këtë që e thamë më lart, mund të biem në përfundim se islahaneja nuk duhet të jenë subjekt dhe diskutim i privatizimit ose ndonjë shitjeje, por një kapacitet që duhet të integrohet në imazhin e bukur të trashëgimisë kulturore, për të cilën duhet gjetur një model i menaxhimit të duhur. Në këtë mënyrë do të fitojë cilësi të re në jetën kulturore si një bërthamë tjetër shpirtërore që nuk duhet të lihet në pamëshirën e injorancës, vetëdijes së ulët kulturore dhe shkatërrimeve të kohës.
(Autori është historian i artit dhe këshilltar shtetëror në Ministrinë e Kulturës)